Zvicra ndryshon sistemin e tatimit për pronarët e shtëpive nga viti 2029

Zvicra do të bëjë një reformë të rëndësishme në sistemin e tatimit për pronarët e shtëpive, e cila do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2029.
Këshilli Federal ka konfirmuar se do të hiqet sistemi aktual i “vlerës së qirasë së imputuar”, që aktualisht përdoret për të taksuar banesat ku pronarët jetojnë vetë.
Ky ndryshim i madh pritet të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën e llogaritjes së tatimeve për mijëra pronarë në të gjithë vendin, transmeton albinfo.ch.
Autoritetet kanë bërë të ditur se qytetarët që planifikojnë renovime në pronat e tyre duhet t’i përfundojnë ato deri më 31 dhjetor 2028, për të përfituar nga zbritjet aktuale tatimore.
Pas hyrjes në fuqi të reformës, interesat e kredive hipotekare do të jenë vetëm pjesërisht të zbritshme nga tatimi, duke ndryshuar ndjeshëm përfitimet fiskale për pronarët.
Ky vendim vjen pasi qytetarët e kanë miratuar reformën në votim gjatë muajit shtator, ndërsa kantonet do të kenë kohë të përshtaten duke vendosur taksa të reja, veçanërisht për pronat e dyta, për të kompensuar humbjen e të ardhurave.
Në përgjithësi, kjo reformë konsiderohet një nga ndryshimet më të mëdha në sistemin tatimor të pronave në Zvicër në vitet e fundit.
The post Zvicra ndryshon sistemin e tatimit për pronarët e shtëpive nga viti 2029 appeared first on Albinfo.



