Zvicra rrezikon të bëhet “qendra e pakove” të Evropës

Zvicra mund të përballet me një rol të ri në logjistikën evropiane: atë të një qendre kryesore për shpërndarjen e pakove, nëse nuk ndërmerr masa të shpejta.
Sipas organizatës së tregtisë Swiss Retail Federation, vendi duhet të ndjekë shembullin e Bashkimit Evropian dhe të vendosë një tarifë për pakot e vogla të importuara nga jashtë, përndryshe rrezikon të shndërrohet në një “hub” të madh për shpërndarjen e tyre në gjithë kontinentin, transmeton albinfo.ch.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se deri në fund të vitit do të vendosë një tarifë administrative për këto dërgesa, si përgjigje ndaj rritjes së madhe të blerjeve online dhe volumit të pakove që vijnë kryesisht nga Azia.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse Zvicra nuk vepron njësoj, kompanitë e mëdha të e-commerce mund të zhvendosin operacionet e tyre logjistike në territorin zviceran, duke e përdorur atë si pikë hyrëse për tregun evropian.
Kjo do të sillte sfida të mëdha për autoritetet, përfshirë kontrollin e produkteve, menaxhimin e mbetjeve dhe sigurinë e mallrave që hyjnë në treg.
Ndërkohë, në parlamentin zviceran tashmë janë në diskutim disa propozime për të rregulluar këtë çështje dhe për të shmangur një skenar të tillë.
The post Zvicra rrezikon të bëhet “qendra e pakove” të Evropës appeared first on Albinfo.





