Zvicra shqyrton taksë të re për të huajt që vendosen në vend

Zvicra shqyrton taksë të re për të huajt që vendosen në vend

Parlamenti zviceran pritet të diskutojë një propozim kontrovers për vendosjen e një takse ndaj shtetasve të huaj që zhvendosen për të jetuar në Zvicër. Çështja ka evoluar prej vitit 2023 dhe së fundmi ka fituar mbështetje më të madhe në qarqet politike.

Një nga variantet e propozuara në vitin 2025 parashikonte që personat që zhvendosen në Zvicër të paguanin 3 për qind të të ardhurave të tyre për 11 vjet. Sipas propozuesit, kjo mund të sillte deri në 1 miliard franga në vit, të cilat më pas do t’i ktheheshin popullsisë, për shembull përmes uljes së primeve të sigurimit shëndetësor, shkruan TCH, transmeton albinfo.ch.

Fillimisht, Këshilli Federal ishte kundër, duke argumentuar se një masë e tillë mund të binte ndesh me marrëveshjen për lëvizjen e lirë me BE-në dhe të krijonte diskriminim ndaj të huajve. Në maj të këtij viti, qeveria gjithashtu konstatoi se një taksë e tillë nuk sillte përfitime ekonomike të demonstrueshme dhe përballej me pengesa të shumta ligjore.

Megjithatë, gjatë muajve të fundit qëndrimi ka ndryshuar. Në gusht, Komisioni për Institucionet Politike i Këshillit të Shteteve propozoi që një tarifë për emigracionin të përfshihej në mekanizmat mbrojtës të paketës së ardhshme të marrëveshjeve Zvicër-BE. Edhe Këshilli Federal është shprehur tashmë më i hapur ndaj një “takse të bazuar në stimuj”, të ardhurat e së cilës do t’i shpërndaheshin popullsisë dhe ekonomisë.

Megjithatë, nuk ka ende një taksë të miratuar dhe as një shumë përfundimtare. Propozimi duhet të kalojë nëpër debate në Këshillin Kombëtar dhe Këshillin e Shteteve. Nëse të dyja dhomat e miratojnë, do të duhet të hartohet legjislacioni përkatës, ndërsa para hyrjes në fuqi për çështjen do të shprehen edhe votuesit zviceranë.

The post Zvicra shqyrton taksë të re për të huajt që vendosen në vend appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.