VLEN zyrtarizon kandidatin për Bërvenicën: Jakup Huseini hyn në garë për kreun e Komunës

VLEN zyrtarizon kandidatin për Bërvenicën: Jakup Huseini hyn në garë për kreun e Komunës

Koalicioni VLEN ka zyrtarizuar sot kandidaturën e Jakup Huseinit për kryetar të Komunës së Bërvenicës në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Huseini është magjistër i shkencave juridike dhe aktualisht ushtron detyrën e nëpunësit shtetëror brenda kësaj komune.

Përvoja e tij e gjatë profesionale dhe kontakti i përditshëm me qytetarët theksohen nga koalicioni si një garanci se ai i njeh nga afër sfidat, hallet dhe nevojat reale të banorëve të Bërvenicës.

Në njoftimin e zyrtarizimit, VLEN vë theksin te gatishmëria e menjëhershme e kandidatit për të drejtuar institucionin pa pasur nevojë për fazë përshtatjeje.

“Përparësia jonë është e qartë: nuk humbim kohë me akomodim. Jakup Huseini e njeh Komunën, administratën, procedurat dhe nevojat e banorëve. Prandaj, nga dita e parë mund të jetë në shërbim të tyre dhe të fillojë punën me përgjegjësi konkrete”, thuhet në deklaratë.
Me këtë nominim, VLEN synon t’i ofrojë Bërvenicës një profil me formim të fortë juridik, përvojë institucionale dhe njohje të thellë të terrenit, me synimin për të qenë në shërbim të qytetarëve qysh në ditën e parë të mandatit.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.