Eurokomisionerja Kos kërkon falje për këngën nacionaliste serbe në Bruksel
Një këngë nacionaliste serbe e interpretuar në një koncert në Bruksel, në prag të Forumit të Zgjerimit, ka shkaktuar reagime dhe polemika. Për këtë ka reaguar edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila ka shprehur keqardhje për përzgjedhjen e këngës, duke theksuar se ajo nuk pasqyron qëndrimet e Komisionit Evropian.
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka shprehur keqardhje për përzgjedhjen e këngës nacionaliste serbe nga ana e muzikantëve, në koncertin e mbajtur të dielën më 15 nëntor. Aji ka theksuar se ajo në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimet e Komisionit Evropian.
“Provokim i qëllimshëm apo injorancë e plotë”: Eurodeputeti estonez kërkon shpjegime nga KE për këngën nacionaliste serbe
Duke folur para gazetarëve, pak para fillimit të forumit, Kos theksoi se qëllimi nuk është harrimi i dallimeve, por ndërtimi i një Evrope ku ato nuk do të përbëjnë pengesë për të ardhmen e përbashkët.
Ajo shtoi se të gjithë janë të vetëdijshëm për vuajtjet dhe sakrificat e njerëzve në atë pjesë të Evropës në të kaluarën. Gjatë koncertit të së dielës në mbrëmje u prezantuan këngë nga secili vend i rajonit. Megjithatë, si përfaqësuese muzikore e Kosovës, në repertor u përzgjodh kënga „Oj Kosovo, Kosovo“.
Kjo shkaktoi reagime të ashpra nga zyrtarët në Prishtinë. Kënga është krijuar në vitin 1989, me rastin e shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, në një periudhë që përkoi me ngritjen politike dhe konsolidimin e pushtetit të ish-presidentit serb dhe jugosllav, Slobodan Millosheviq.
Ndryshe, Forumi për Zgjerim është forumi i dytë vjetor i Komisionit Evropian kushtuar procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Nikoqire e tij është komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Ky aktivitet mbledh zyrtarë të lartë të BE-së, liderë politikë të vendeve kandidate, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ky është viti i dytë radhazi që asnjë përfaqësues i institucioneve të Kosovës nuk është ftuar të marrë pjesë në forum.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.