17 vjet shtet/ Sukseset dhe dështimet e Kosovës
Kosova sot feston 17-vjetorin e Pavarësisë. Për më pak se dy dekada, pavarësia e vendit është njohur gjithsej nga 117 shtete të botës. Vendi i parë që e njohu pavarësinë e Kosovës ishte Kosta Rika, më 17.02.2008, ditën e shpalljes së saj. Vendi i dytë që e njohu Kosovën shtet ishin Shtetet e Bashkuara të

Kosova sot feston 17-vjetorin e Pavarësisë.
Për më pak se dy dekada, pavarësia e vendit është njohur gjithsej nga 117 shtete të botës.
Vendi i parë që e njohu pavarësinë e Kosovës ishte Kosta Rika, më 17.02.2008, ditën e shpalljes së saj.
Vendi i dytë që e njohu Kosovën shtet ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastaj Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Ndërsa, shteti i fundit që e ka njohur Kosovën është Izraeli, më 1 shkurt 2021. Megjithatë, janë bërë 4 vite prej se Kosova nuk e ka siguruar asnjë njohje të re ndërkombëtare, e ky dështim i faturohet Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.
Për këto 17 vite, në politikën e jashtme, shteti ka arritur disa marrëveshje të rëndësishme dhe ka fituar mbështetje ndërkombëtare, por ka hasur gjithashtu pengesa të mëdha, si çështjet e hapura me Serbinë dhe mungesa e njohjeve të plota e “ftohja” e marrëdhënieve me aleatet.
Nga ana tjetër, në politikën e brendshme, Kosova ka zhvilluar institucione dhe ka arritur stabilitet, por ka pasur gjithashtu dështime në fushat e sundimit të ligjit dhe reformave.
Në fushën ekonomike, ka pasur rritje të buxhetit dhe përmirësime infrastrukturore, por ende ka sfida të mëdha në sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik dhe të një cilësie të jetesës më të mirë për qytetarët.
Lidhur me këto sfida dhe të arriturat e Kosovës edhe pas 17 viteve shtet, kanë folur për “Front Online” udhëheqës të diplomacisë dhe njohës të fushës së ekonomisë e politikës.
Behgjet Pacolli: Këto janë shtatë sukseset dhe dhjetë dështimet e shtetit të Kosovës, zhvillim kishte deri më 2021, pastaj dështim
Ish-Presidenti dhe ish-shefi i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli për “Front Online” ka folur mbi të arriturat dhe dështimet e Kosovës për gjatë 17 viteve shtet.
Pacolli ka listuar shtat sukseset e tij, e ku me theks të veçantë i ka cekur ato në fushën e diplomacisë.
Sipas tij, sukses i Kosovës në këto 17 vite konsiderohet arritja e 117 njohjeve dhe forcimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare.
‘’Njohjet ndërkombëtare dhe konsolidimi i shtetësisë – Me 117 njohje dhe anëtarësim në qindra organizata ndërkombëtare, Kosova ka forcuar pozitën e saj në arenën globale. Në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë, u sigurua mbështetje nga SHBA, BE dhe vende të tjera kyçe, duke ndihmuar në legjitimimin e saj ndërkombëtar’’, thotë ai.
Arritje Pacolli e konsideron edhe vendimin e GJND-së për Kosovën, vendim ky i cili e kishte konfirmuar se Pavarësia e Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
‘’Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 2011, ky vendim konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, duke ndihmuar në forcimin e legjitimitetit të saj juridik. Marrëveshjet me BE-në dhe procesi i integrimit’’, shprehet ai.
Tjetër përparim, ish i pari i diplomacisë kosovare, e vlerëson edhe marrëveshjen e MSA-së, anëtarësimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA, organizata të rëndësishme këto të sportit.
‘’Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe përparimi drejt anëtarësimit në organizata si FIFA, UEFA dhe më vonë Këshilli i Evropës, kanë qenë hapa të rëndësishëm në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës’’, potencoi ai.
Më tej Pacolli, si sukses e cilëson edhe forcimin e partneritetit me SHBA dhe BE-në, funksionalizimin e institucioneve, transformimin e ekonomik dhe investimet si dhe demokratizimi dhe zgjedhjet e lira në Kosovë.
‘’Forcimi i partneritetit strategjik me SHBA dhe vendet perëndimore. Kosova ka ruajtur një marrëdhënie të fortë me aleatët kryesorë, duke siguruar mbështetje politike, ushtarake dhe ekonomike. Sukseset në politikën e brendshme, shtet ndërtimi dhe funksionalizimi i institucioneve, krijimi dhe forcimi i institucioneve demokratike, ndërtimi i një ushtrie moderne dhe konsolidimi i sundimit të ligjit kanë qenë hapa të rëndësishëm për stabilitetin e vendit. Transformimi ekonomik dhe investimet, demokratizimi dhe zgjedhjet e lira, Kosova ka dëshmuar stabilitet institucional përmes zgjedhjeve, duke treguar pjekuri politike dhe përkushtim ndaj demokracisë ‘’, deklaroi ai për FrontOnline.
Pacolli përmend dhjetë dështimet: Kosova rrezikon të humbasë shumë nga arritjet e saj të deritanishme
Ish-zëvendëskryeministri i parë dhe ish-ministri i punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli për “Front Online”, krahas sukseseve ka numëruar edhe dështimet e shtetit të Kosovës, duke i dhënë theks të veçantë katër vjeçarit të fundit, ku vendi qeveriset nga kryeministri Albin Kurti.
Për të Kosova në katër vitet e fundit, ka dështuar dhe stagnuar në të gjitha fushat përkundër se kjo Qeveri sipas tij e mori vendin nën udhëheqje të konsoliduar si shtet në të gjitha fushat.
‘’Qeveria e sotme e Kosovës, nëse është korrekte, duhet të pranojë se katër vite më parë mori në dorë një Kosovë të konsoliduar si shtet në të gjitha fushat. Në vitet e fundit, në Kosovë ka ndodhur një “stagnim i madh” në të gjitha fushat, pas fillimit të mandatit të qeverisë aktuale’’, thotë Pacolli.
Pacolli deklaron se për gjatë viteve të fundit Kosova ka dështuar të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, është vënë nën sanksione të BE-së dhe nën sanksione të heshtura nga SHBA-të.
‘’Dështimi për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare kyçe. Kosova nuk ka arritur të bëhet pjesë e KiE dhe organizatave të tjera të rëndësishme, gjë që ka ngadalësuar përparimin e saj në arenën ndërkombëtare. Kosova për herë të parë nën sanksionet e BE-së. Për shkak të politikave të qeverisë aktuale dhe qasjeve që nuk janë në harmoni me parimet e BE-së, Kosova është vendosur nën masa ndëshkuese nga Brukseli. Edhe SHBA ka ndërmarrë sanksione të heshtura, duke kufizuar kontaktet me qeverinë aktuale’’, deklaroi ai.
Sipas Pacollit, mungesa e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, kanë penguar zhvillimin e Kosovës në integrimin tutje.
Po ashtu, ai ka përmendur edhe korrupsionin qeveritar, emigrimin masiv të të rinjve, marrëdhëniet e komunitetit serb dhe Qeverisë të cilat sipas tij janë përkeqësuar edhe më tutje.
‘’Dialogu me Serbinë dhe mungesa e një marrëveshjeje përfundimtare kane penguar zhvillimin e Kosovës dhe integrimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Korrupsioni në nivelet e larta të qeverisë mbetet një problem serioz që pengon zhvillimin ekonomik dhe besimin e qytetarëve tek institucionet. Emigrimi masiv i të rinjve, Mungesa e mundësive ekonomike ka bërë që një numër i madh të rinjsh të largohen nga vendi, duke sjellë pasoja të rënda për zhvillimin afatgjatë të Kosovës. Marrëdhëniet ndërmjet komunitetit serb dhe institucioneve të Kosovës janë përkeqësuar ndjeshëm’’, shton ai.
Ish-kreu i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, thotë po ashtu se kryeministri Kurti, ka provokuar ndarje mes qytetarëve të Kosovës dhe se sipas tij Kosova kishte zhvillim diplomatik e shtet ndërtim deri më 2021, por më pas stagnoi.
‘’Kurti ka provokuar një ndarje të madhe mes qytetarëve, duke polarizuar shoqërinë në ata që e mbështesin dhe ata që janë kundër tij. Në zgjedhjet e fundit, ai ka ofenduar qytetaret ( mbi 80% të popullatës) qe nuk e mbështesin atë duke i quajtur, pos ofendimeve tjera edhe “hajvanatë”, gjë që ka thelluar ndarjet sociale dhe politike në vend. Kosova ka pasur suksese të mëdha në shtet ndërtim dhe diplomaci deri ne vitin 2021 por vitet e fundit janë shënuar nga stagnim, mungesë progresi dhe tensione të brendshme”.
Ish-diplomati Arifi: Politika e jashtme “katastrofale”, ajo zhvillimore më e dobëta
Ish-diplomati i Kosovës, Avni Arifi, ka deklaruar për “Front Online” se Qeveria “Kurti” ka qenë “katastrofale” në fushën e politikës së jashtme dhe se nuk ka shënuar asnjë sukses të rëndësishëm.
Arifi ka paralajmëruar për mundësinë e pasoja afatgjata për Kosovën nga kjo situatë.
“Kosova gjithmonë do të ketë një qeveri të mirë pak më të mirë të keqe apo të dobët. Fatkeqësisht qeveria e 4 viteve të kaluara kur është në pyetje politika e jashtme në asnjërën kategori nuk hyn. Ka qenë qeveria katastrofale me potencial të konsekuencave afatgjate për Kosovën”, u shpreh ai.
Sipas tij, politika e brendshme ka pasur stabilitet institucional, por politikat zhvillimore kanë qenë të dobëta, duke shkaktuar një përkeqësim të kushteve të jetesës për qytetarët e Kosovës.
“Sa i përket politikës së brendshme e vetmja e mirë që ka qenë është se ka pas vota dhe ka pas stabilitet institucional. E vetmja qeveri që e mbajti mandatin 4 vjeçar. Politikat zhvillimore tepër të dobëta. Qytetarët e Kosovës jetojnë më keq se para katër vitesh”, deklaroi Arifi.
Halil Matoshi: Asnjë sukses në politikën e jashtme, ekonomia në “socializëm të pashpresë”
Analisti politik Halil Matoshi ka folur për “Front Online” lidhur me dështimet dhe sukseset në politikën e jashtme dhe të brendshme të Kosovës gjatë viteve të fundit.
Ai është shprehur se në politikën e jashtme nuk është shënuar asnjë sukses, duke shtuar se MPJ ka shërbyer për sulme ndaj rivalëve politikë të kryeministrit Albin Kurti.
“Në politikë të jashtme nuk është shënuar asnjë sukses. MPJ i ka shërbye Kurtit veç për propagandë lokale, kundër rivalëve politik”, deklaroi Matoshi.
Në fushën ekonomike, Matoshi e ka cilësuar situatën si një “socializëm i pashpresë”, ndërsa ka theksuar se Kosova vazhdon të mbahet me forca të policisë në veriun e vendit.
“Në politikat ekonomike, socializëm i pashpresë dhe shtet që mbahet me polici në veriun e vendit”, shprehet Matoshi.
Kryetari i OEK-ut: Kosova ka pasur zhvillim ekonomik, por nuk ka arritur nivelin e pritur
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka folur për zhvillimin ekonomik të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, duke vlerësuar progresin e arritur gjatë këtyre 17 viteve.
Ai theksoi se, edhe pse ka pasur zhvillime të dukshme në ekonominë, zhvillimi nuk ka arritur nivelin që ishte pritur.
“Në këto 17 vite ka një zhvillim të madh, por në nivelin që ne kemi pritë nuk është. Është zhvilluar shumë Kosova ekonomikisht, ka një ekonomi të tregut të lirë, infrastrukturë moderne rrugore dhe ligjore. Kemi marrëveshje multilaterale dhe bilaterale për tregti të lirë me BE por edhe vende tjera”, thotë Rafuna.
Rafuna ka identifikuar disa sfida kryesore, që duhet të largohen për një zhvillim më të mirë.
“Nuk kemi freskim të politikave fiskale, s’kemi reformë në sistemin arsimor për ta lidhë arsimin me kërkesat e tregut, reformë të sundimi i ligjit dhe mbylljen e çështjeve të hapura me Serbinë për të pas një zhvillim dhe investime. Lirimi nga masat e BE”, shprehet ai.
Rafuna, ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për mungesën e dialogut publiko-privat gjatë mandatit të saj, duke theksuar se kjo periudhë ka qenë më e vështira për bizneset.
“Në të kaluarën së paku dialogu publiko-privat ka pasur, por tani s’ka. Kjo ka qenë periudha më sfiduese për bizneset sepse ishte pandemia, pastaj lufta Ukrainë-Rusi dhe rritja e inflacionit, tensionet me Serbinë dhe bizneset kërkuan ndihmë të shtetit për t’i ndihmuar, por nuk e morën”, tha Rafuna.
Njohësi i ekonomisë: Rritja ekonomike e Kosovës është nën nivelin që kërkohet për zhvillim afatgjatë
Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, ka folur për “Front Online” lidhur me progresin dhe regresin në zhvillimin ekonomik të Kosovës gjatë viteve të fundit.
Ai ka deklaruar se, megjithëse janë arritur disa suksese, rritja ekonomike ka mbetur nën nivelin e nevojshëm për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme.
“Ka pas disa suksese por edhe dështime. Derisa çdo qeveri që e ka kryer mandatin ka proklamuar 4-5% rritje ekonomike kjo për me krijuar një ekonomi të qëndrueshme, zhvillimore, produktive dhe që gjeneron punësim dhe që ngritë cilësinë e jetës duhet mbi 7% të ketë rritje ekonomike”, thotë ai.
Bellaqa gjithashtu ka theksuar rëndësinë e rritjes së pagave në sektorin privat dhe publik për të siguruar zhvillim afatgjatë.
“Është dashur të zhvillohen sektorët strategjik, reforma energjetike në momentin që ka ngritje të çmimit zingjiri është i lidhur edhe me ngritjet e çmimet bazike. Të rritën pagat në sektorin privat e publik. Progres ka pas që është rritë çdo vit buxheti i Kosovës, që janë ndërtuar disa autostrada, ligji për paga që është miratuar”, shprehet Bellaqa./FrontOnline/