Aeroporti i Prishtinës shton kapacitetet: Gati për të pritur mërgimtarët

Rritet numri i fluturimeve The post Aeroporti i Prishtinës shton kapacitetet: Gati për të pritur mërgimtarët appeared first on Albinfo.

Aeroporti i Prishtinës shton kapacitetet: Gati për të pritur mërgimtarët

Tashmë aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është i përgatitur si asnjëherë më parë për të pritur mërgimtarët, të cilët si çdo verë pritet të vijnë në numër të madh në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Me një rritje të konsiderueshme të numrit të fluturimeve dhe udhëtarëve, ANP ka ndërmarrë një sërë investimesh për të përmirësuar përvojën dhe komoditetin e udhëtimit.

Fluturime më shumë, pritje më pak

Referuar zëdhënëses së aeroportit, Valentina Gara, numri i fluturimeve është rritur me 16.5% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ajo thekson se ky trend është reflektuar edhe në rritjen e udhëtarëve:

“Ne tashmë e kemi filluar vitin me një rritje të ndjeshme të numrit të udhëtarëve dhe nëse trendi vazhdon kështu, do ta tejkalojmë numrin e përgjithshëm të udhëtarëve nga viti 2024”, ka deklaruar Gara.

Investime në teknologji dhe infrastrukturë

Për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje, Aeroporti ka investuar në zgjerimin e infrastrukturës.

Portat (gates) janë shtuar nga 8 në 12, janë vendosur Self Check-in kioska dhe Baggage Drop, E-gates janë funksionalizuar për përshpejtim të kontrollit kufitar.

“Këto përmirësime janë bërë për të përshpejtuar proceset dhe për të lehtësuar lëvizjen e pasagjerëve,” thekson Gara.

Rritje e stafit dhe trajnime të vazhdueshme

Aeroporti ka shtuar 61 punonjës të rinj, të shpërndarë në të gjitha njësitë operative – nga sigurimi deri te shërbimet për pasagjerë.

“Secila detyrë në aeroport është e ndërlidhur ngushtë me të tjerat. Rritja e kapaciteteve njerëzore është thelbësore për të ruajtur ritmin me kërkesat në rritje,” ka thënë Gara për Infokus.

 

Fokus në siguri dhe kënaqshmëri

Përveç teknologjisë dhe stafit, Aeroporti bashkëpunon ngushtë me autoritetet e sigurisë në Kosovë për të garantuar rend dhe siguri në çdo hallkë të procesit të udhëtimit.

“Inkurajojmë pasagjerët që të ndajnë me ne çdo pakënaqësi përmes shërbimit tonë të ankesave – sepse vetëm kështu mund të përmirësojmë vazhdimisht shërbimet tona,” tha Gara.

 

 

Mbi 147 milionë euro investime

Që nga fillimi i koncesionit, në infrastrukturën e aeroportit janë investuar mbi 147 milionë euro, ndërsa në buxhetin e Kosovës janë derdhur mbi 166 milionë euro përmes tarifës së koncesionit.

Kështu Aeroporti i Prishtinës është i gatshëm për sezonin. Dhe për të gjithë ata që po e planifikojnë rikthimin në vendlindje.

“Mërgimtarëve tanë u urojmë mirëseardhje të përzemërt dhe pushime të mbara në atdhe,” përmbylli zëdhënësja Valentina Gara.

The post Aeroporti i Prishtinës shton kapacitetet: Gati për të pritur mërgimtarët appeared first on Albinfo.