Afrim Aliti doktoroi në Gjuhë dhe letërsi angleze në UEJL

Sot, para Komisionit akademik në përbërje Prof. dr. Andrew Goodspeed, Prof. dr. Brikena Xhaferi (mentore), Prof. dr. Demush Bajrami, Prof. dr. Agim Poshka dhe Prof. dr. Veronika Kareva, në Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit në UEJL, në Tetovë, kandidati Afrim Aliti, e mbrojti me sukses temen e doktoraturës me titull: “The Use of Podcasts as a Pedagogical Tool for EFL: Insights from Students and Teachers in Secondary Schools of Kumanovo”, me ç’rast edhe mori titullin shkencor doktor në fushën e filologjisë – Gjuhë dhe letërsi angleze.
Për temën e doktoraturës së Afrim Alitit, anëtarët e Komisionit thanë se është punuar me mjaft kjujdes, duke ndjekur një metodologji të saktë që ofron rezultate me vlerë të zbatueshme. Hulumtimi, i cili është kryer përmes një dizajni metodash të përziera me triangulim empirik të të dhënave, duke integruar instrumente sasiore dhe cilësore, arrin të sigurojë vlefshmëri të lartë konstrukti. Pyetësorët (për nxënësit dhe mësimdhënësit), intervistat gjysmë të strukturuara (për mësimdhënësit) dhe vëzhgimi i strukturuar në klasë (nga hulumtuesi), janë përpunuar siç duhet. Të dhënat sasiore janë përpunuar përmes statistikës përshkruese dhe tabelave të kryqëzuara, ndërsa ato cilësore përmes analizës tematike.
Edhe triangulimi (konvergjenca), i bazuar në instrumentet që janë përdorur, vërteton një perceptim të lartë pozitiv dhe pranueshmëri të podkasteve (validimi i H1 dhe H4). Ndërkaq, divergjenca (kontrasti), sipas të dhënave sasiore, tregon lehtësi përdorimi. Sakaq, vëzhgimi empirik dhe pyetjet e hapura zbulojnë barriera reale gjuhësore (theksi, shpejtësia) dhe pedagogjike (validimi i pjesshëm i H2 dhe H3).
Rezultatet e interpretuara përmes ‘Modelit të 6 Tensioneve’ (Rime et al., 2022), arrijnë të vërtetojnë se ky mjedis ndodhet në një fazë tranzicioni mes metodologjisë inovative dhe kufizimeve strukturore/tradicionale.
Prandaj, marrë në tërësi, tema është interesante dhe me rëndësi praktike e akademike për fushën e metodologjisë së mësimdhënies së gjuhës angleze (EFL) dhe integrimit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në arsim, u tha midis tjerash për disertacionin e doktoratës së doktorantit Afrim Aliti.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



