Aksident i rëndë në një market në Viti: Punëtorja bie nga rreth 3 metra lartësi, dy persona përfundojnë në ndalim

Aksident i rëndë në një market në Viti: Punëtorja bie nga rreth 3 metra lartësi, dy persona përfundojnë në ndalim

Një mëngjes i zakonshëm pune në një market në Viti është kthyer në një incident të rëndë, pasi një punëtore 27-vjeçare ka rënë nga rreth tre metra lartësi dhe ka pësuar lëndime të rënda.

Por rasti nuk ka përfunduar vetëm si aksident në vendin e punës.

Dy persona janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria dhe Policia kanë nisur hetimet nën dyshimet për cenimin e sigurisë në vendin e punës.

Sinjali mëson se të dyshuarit janë G.SH dhe L.H, ndërsa punëtorja e lënduar është E.F 27-vjeçare.

Ngjarja ka ndodhur të enjten, më 10 shtator, rreth orës 07:35.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, E.F ishte duke kryer detyrat e saj të punës, konkretisht duke sistemuar dhe vendosur kuti me artikuj të ndryshëm në rafte.

Pikërisht mënyra se si po kryhej kjo punë është tashmë pjesë e hetimit.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se punëtorja ndodhej mbi një mjet pirunar ngritës, pajisje e destinuar për ngritjen dhe uljen e mallrave, kur ka rënë nga një lartësi prej rreth tre metrash dhe është përplasur në dysheme.

Si pasojë e rënies, 27-vjeçarja ka pësuar lëndime të rënda.

Fillimisht asaj i është dhënë ndihma mjekësore në Viti, ndërsa më pas është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Gjilan.

Për shkak të natyrës së lëndimeve, mjekët kanë vendosur që ajo të transferohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për trajtim më të specializuar.

Ndërkohë, hetuesit kanë nisur mbledhjen e provave për të përcaktuar se si punëtorja kishte përfunduar mbi pajisjen ngritëse, në çfarë kushtesh po kryhej puna dhe nëse ishin respektuar masat e nevojshme të sigurisë.

Pas veprimeve fillestare dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është marrë vendim që G.SH dhe L.H të ndalohen për 48 orë.

Rasti po hetohet për veprën “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, ndërsa hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave. /sinjali


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.