Aksioni i Drejtorisë Tatimore (DAP) në Tetovë zbraz rrugët nga taksistët

Këto janë pamjet që ka siguruar Televizioni 21 gjatë një aksioni të DAP, të zhvilluar gjatë ditës së djeshme kundër taksistëve në Tetovë.
Gjatë ditës së sotme, në Tetovë pothuajse nuk qarkullonte asnjë veturë me tabelën TAXI. Megjithatë, veturat e taksive ishin në punë dhe lëviznin lirshëm nëpër qytet. Ekipi ynë pyeti disa nga taksistët që ndodheshin në terren, por ata deklaruan se nuk kanë informacion se çfarë po ndodh.
“Nuk di gjë, nuk di gjë, më fal. Se di çka ndodh.”
Të pyetur nëse janë në dijeni se Komuna lëshon licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie, përgjigjet ishin të shkurtra.
“Nuk e di unë, unë jam fillestar.”
Për momentin, në Komunën e Tetovës janë të caktuara mbi 60 vende për parkimin e taksive. Mirëpo, për çudi, deri më tani asnjë taksist individual apo kompani nuk ka kërkuar licencë në komunë për të ushtruar këtë veprimtari ligjërisht.
“Në territorin e Komunës së Tetovës ka gjithsej 10 pozicione për vendparkime për taksitë e qytetit. 10 pozicione me nga 6 vendparkime, diku mbi 60 vendparkime. Fatkeqësisht, në Sektorin për Veprimtari Komunale nuk ka arritur asnjë kërkesë për t’u licencuar dhe për të punuar ligjërisht asnjë taksi individual, po asnjë edhe nga kompanitë e taksive, kështu që Komuna e Tetovës nuk ka licencuar dhe nuk ka dhënë leje për taksitë në këtë vit”, theksoi Albi Qamili, komuna e Tetovës.
Lidhur me aksionin e djeshëm, Televizioni 21 kërkoi sqarim edhe nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, mirëpo deri në përfundim të këtij edicioni të lajmeve nuk kemi marrë asnjë përgjigje.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



