Akuzë kundër pesë mjekëve nga Spitali i Manastirit për vdekjen e pacientes 40-vjeçare

Prokuroria e Manastirit ka ngritur aktakuzë kundër pesë mjekëve internistë nën akuzën për mjekim të pandërgjegjshëm të një pacienteje 40-vjeçare, të cilës ia kishin përkeqësuar gjendjen, me ç’rast ajo kishte ndërruar jetë.
“Prokuroria Themelore Publike Manastir, në bazë të procedurës paraprake të zhvilluar dhe provave të siguruara, ka ngritur aktakuzë kundër pesë mjekëve internistë nga spitali klinik i Manastirit ‘Dr. Trifun Panovski’ për vepra të kryera – ‘Vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve’ nga neni 217 paragrafi 4 në lidhje me nenin 207 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Ata akuzohen se në periudhën prej 28.05.2024 deri më 04.06.2024, në Repartin e Sëmundjeve Interne në spital, kanë mjekuar në mënyrë të pandërgjegjshme pacientën 40-vjeçare, me çka kanë shkaktuar përkeqësim të gjendjes së saj shëndetësore që ka rezultuar me pasoja fatale.
Pacientja ishte paraqitur në spital pas një kontrolli të mëparshëm dhe udhëzimi nga mjeku amë, i cili kishte shprehur dyshim për pezmatim të venave – tromboflebit. Mirëpo, pas kontrollit fillestar në repartin e internos, pa anamnezë të plotë dhe pa analiza të detajuara, i është vendosur diagnoza – artrit reumatoid dhe i është dhënë terapi, pas së cilës është lëshuar për në shtëpi.
Si rezultat i kësaj, nuk është përcaktuar me kohë gjendja e vërtetë shëndetësore e të dëmtuarës, përkatësisht nuk është zbuluar dhe diagnostikuar tromboza, e as nuk është ndërmarrë me kohë terapia dhe mjekimi i duhur për një gjendje të tillë. Me këtë është lëshuar një mundësi reale për zbulimin dhe mjekimin me kohë të procesit trombotik te e dëmtuara, për parandalimin ose kufizimin e përparimit të atij procesi, si dhe për përkeqësimin e mëvonshëm të gjendjes së saj shëndetësore.
Më 01.06.2024, pacientja me dhimbje të forte në stomak dhe gjendje të përkeqësuar të përgjithshme është paraqitur sërish për kontroll në spital. Edhe pse atëherë ishte spitalizuar, në katër ditët e ardhshme, përkundër vlerave nenormale të analizave laboratorike dhe biokimike, asnjë nga mjekët kujdestarë nuk ka ndërmarrë ekzaminime shtesë diagnostikuese me qëllim që të hulumtohen shkaqet dhe të caktohet terapia e duhur.
Për këtë arsye, gjendja shëndetësore e të dëmtuarës ka vazhduar të përkeqësohet ndjeshëm. Në pasditen e datës 04.06.2024, ajo ka kërkuar ndihmë mjekësore në një klinikë private në Shkup, ku është pranuar në gjendje të rëndë të përgjithshme. Gjatë ndërhyrjes urgjente kirurgjikale është konstatuar trombozë e arteries superiore dhe inferiore me gangrenë complete të zorrës së hollë dhe të trashë. Kjo gjendje tashmë ishte e paoperueshme dhe më 05.06.2024 e dëmtuara ka ndërruar jetë”, njoftojnë nga Prokuroria.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



