Aleanca hedh qymyr para qeverisë, Ramadani: Kurti po e çon Kosovën në terr politik

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, bashkë me anëtarë të kësaj partie kanë zhvilluar një aksion simbolik ku para derës së Qeverisë së Kosovës kanë hedhur disa thasë me qymyr.
Ramadani tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me partinë e tij gjatë këtyre 6-7 viteve të fundit Kosovën nga një terr energjetik që e kanë mbajtur, po kalojnë në terr politik.
“Duam ta dërgojmë mesazhin se me Kurtin dhe Vetëvendosjen gjatë këtyre 6-7 viteve të fundit, Kosova nga një terr energjetik që e kanë mbajtur, po kalon në terr politik. Ajo që e kemi tepër të qartë është se mesazhi dhe simbolika e qymyrit të Kosovës është se Kosova edhe më tutje po fle mbi qymyr, por rryma nuk prodhohet këtu dhe një prej pikave kryesore të ofertës gjashtë pikëshe të Aleancës lidhet me termocentralin e ri të Kosovës që duhet të bëhet. Është e qartë që gjatë këtyre viteve, rreth 1 miliard euro janë blerë rrymë në Serbi e në vende të tjera, e prej kësaj ka fituar vetëm mafia energjetike. Në kohët e fundit po shohim se punëtorët të cilët e humbin jetën duke e nxjerr këtë qymyr për popullin e Kosovës, nuk ka përgjegjësi as politike as menaxheriale”, tha Ramadani, raporton KosovaPress.
Tutje, ai paralajmëroi se aktivitete të tilla të Aleancës do të vazhdojnë dhe do të rriten në numër.
Javën e kaluar Kosova ka nënshkruar një marrëveshje për t’i shitur qymyr Maqedonisë së Veriut, gjë për të cilën Kurti mori kritika nga partitë ish-opozitare.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



