Allegri rikthehet te Milani – Nis përgatitja për sezonin e ri në Milanello

Skuadra e Milanit pritet të nisë fazën përgatitore për sezonin e ri brenda pak ditësh, ndërsa trajneri Massimiliano Allegri është tashmë kthyer në Itali, i gatshëm për aventurën e tij të dytë në krye të kuqezinjve. Sipas të përditshmes italiane Corriere dello Sport, pushimet kanë përfunduar për skuadrën milaneze, pasi përgatitjet verore do të nisin […]

Allegri rikthehet te Milani – Nis përgatitja për sezonin e ri në Milanello

Skuadra e Milanit pritet të nisë fazën përgatitore për sezonin e ri brenda pak ditësh, ndërsa trajneri Massimiliano Allegri është tashmë kthyer në Itali, i gatshëm për aventurën e tij të dytë në krye të kuqezinjve.

Sipas të përditshmes italiane Corriere dello Sport, pushimet kanë përfunduar për skuadrën milaneze, pasi përgatitjet verore do të nisin zyrtarisht të hënën, më 7 korrik, në kompleksin stërvitor të Milanello-s. Allegri pritet të mbërrijë në qytet sot, në kuadër të përgatitjeve që i paraprijnë sezonit të ri, transmeton ORAinfo.

Testet fizike dhe mjekësore për lojtarët janë planifikuar të zhvillohen të premten, më 4 korrik, dhe të shtunën, më 5 korrik. E gjithë skuadra pritet të jetë e pranishme në Milanello deri të dielën në mbrëmje, për t’u grumbulluar zyrtarisht një ditë më pas.

Të hënën do të mbahet një konferencë për shtyp për prezantimin zyrtar të Allegrit si trajner i Milanit, përpara se të zhvillohet seanca e parë stërvitore, e cila do të jetë e hapur për publikun dhe mediat, dhe është caktuar për orën 17:00.

Ish-trajneri i Juventusit ka zhvilluar ndërkohë disa biseda individuale me disa nga lojtarët kryesorë të ekipit gjatë ditëve të fundit, duke i motivuar që të japin maksimumin në këtë fazë përgatitore. Objektivi i tij është që skuadra të jetë në formë të plotë fizike dhe mendore për fillimin e sezonit, i cili këtë vit do ta gjejë Milanin të fokusuar vetëm në garat vendase.

Sipas raportimeve, Allegri ka hartuar një program stërvitor intensiv, që përfshin seanca të dyfishta, ritëm të lartë dhe teste të rregullta për të monitoruar gjendjen fizike të lojtarëve. Asgjë nuk do t’i lihet rastësisë – çdo detaj do të jetë i planifikuar me kujdes, në përpjekje për të rikthyer Milanin në krye të futbollit italian. /ORAinfo/