Begaj: Bashkëpunimi rajonal, instrument kryesor për integrim rajonal
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se bashkëpunimi rajonal është instrumenti kryesor i integrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Begaj në fjalën e tij hapëse të samitit të Procesit të Brdo-Brijunit, theksoi nevojën e fuqizimit të mëtejshëm të kësaj platforme si mekanizëm i rëndësishëm rajonal. Në samitin që po mbahet

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se bashkëpunimi rajonal është instrumenti kryesor i integrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Begaj në fjalën e tij hapëse të samitit të Procesit të Brdo-Brijunit, theksoi nevojën e fuqizimit të mëtejshëm të kësaj platforme si mekanizëm i rëndësishëm rajonal.
Në samitin që po mbahet në Durrës, po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Së bashku me Slloveninë dhe Kroacinë, si bashkëkryesuese të presidencës së Brdo-Brijunit, ne vlerësojmë forcimin e rolit të kësaj platforme si një mekanizëm i rëndësishëm rajonal. Temat që do të diskutohen sot në lidhje me bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, integrimin evropian, Planin e Rritjes së BE-së, rininë dhe hartimin e politikave për mbajtjen e fuqisë së kualifikuar punëtore në vendet tona. Shqipëria mbështet dialogun rajonal, në fokus bashkëpunimin dhe procesin e integrimit evropian. Vlerësojmë progresin e arritur në këto drejtime. Për ne, bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor i integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian. Duhet të vazhdojmë të shkëmbejmë eksperiencat dhe njohuritë tona për të pasur rezultate akoma më të prekshme të Procesit të Brdo-Brijunit”, tha ai.
Krahas Begajt dhe Osmanit, në këtë takim të nivelit më të lartë po marrin pjesë edhe presidentja e Sllovenisë, Natash Pirc Musar, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Procesi i Brdo-Brijunit është një ngjarje shumëpalëshe vjetore në Ballkanin Perëndimor. Ai u iniciua në vitin 2010 nga Sllovenia dhe Kroacia.
Procesi i Brdo-Brijunit përfshin Slloveninë dhe Kroacinë, shtete anëtare të BE-së, dhe kandidatët e kandidatët potencialë për anëtarësim në BE nga Ballkani Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina./KosovaPress/