Anthony Athanas: Njeriu që ndërtoi "American Dream" duke mbajtur lidhjen me Shqipërinë

Anthony Athanas: Njeriu që ndërtoi "American Dream" duke mbajtur lidhjen me Shqipërinë
Kur flitet për Anthony Athanas, mendja nuk shkon menjëherë te restoranti i famshëm "Anthony’s Pier 4" në Boston, as te fotografitë e tij me presidentë amerikanë, senatorë ose personalitete botërore që zbukuronin muret e këtij institucioni. Mendja shkon te Anthony vetë. Në buzëqeshjen e tij të ngrohtë, në mënyrën se si të pritiste në hyrje të restorantit dhe në përulësinë me të cilën e bënte të ndihesh si në shtëpinë tënde. Ishte pronari i një prej restoranteve më të njohura të Amerikës, por nuk sillej kurrë si njeri i rëndësishëm. Përkundrazi, kur hynte një shqiptar, ai shihte para së gjithash një bashkatdhetar. Kjo ishte madhështia e Anthony Athanas.
Autori i këtij artikulli ka pasur fatin të takojë Anthony Athanas disa herë gjatë viteve, gjatë shërbimit në Washington, gjatë aktiviteteve të komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe në restorantin e tij në Boston dhe gjatë takimeve në Nju Jork. Çdo herë largohej me të njëjtën përshtypje: se përballë kishte jo vetëm një biznesmen të suksesshëm shqiptaro-amerikan, por një burrë që nuk i kishte lejuar asnjëherë suksesi ta largonte nga njerëzit e tij, nga Vatra dhe nga Shqipëria.
Në përvjetorin e lindjes së tij, është e rëndësishme të kujtojmë jo vetëm njeriun që realizoi ëndrrën amerikane, por edhe shqiptaro-amerikanin që e kishte kuptuar se suksesi merr kuptim të plotë vetëm kur vihet në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan, në interes të Amerikës dhe të lidhjeve të ngushta historike midis kombeve. Për Anthony Athanas, kjo ishte një detyrë e pandalur gjatë gjithë jetës së tij.
Jeta e Anthony Athanas është një shembull i rrallë i atë që amerikanët e quajnë "American Dream", por që për të nuk ishte kurrë një histori e shkëputur nga rrënjët shqiptare. Ai ka lindur në Korçë dhe si shumë bashkatdhetarë të brezit të tij, mori rrugën e emigrimit në moshë shumë të re. Ishte vetëm katër vjeç kur mbërriti në Amerikë në vitin 1911, për t’u bashkuar me të atin. Jeta nuk i fali asgjë: në moshën 13-vjeçare u detyrua të linte shkollën për të punuar. Por ajo që nuk mundi t’i jepte shkolla, i dha puna, përkushtimi dhe inteligjenca natyrore e shqiptarit. Nga larës i enëve e deri tek pronari i një prej restoranteve më të famshëm të Amerikës, rruga e tij nuk ishte as e lehtë dhe as e shkurtër. Ishte një jetë ndërtuar me djersë, sakrifica dhe këmbëngulje.
Kur hapi "Anthony’s Pier 4" në Boston në vitin 1963, askush nuk mund ta kishte parashikuar se ky restorant do të bëhej një institucion amerikan. Për dekada me radhë, ky restorant nuk ishte vetëm një vend ushqimi. Ishte një simbol i suksesit të një shqiptari në Amerikë. Në vitet e lulëzimit të tij, mijëra klientë e frekuentonin çdo ditë, ndërsa në muret e tij vareshin fotografi me presidentë amerikanë, senatorë, artistë, diplomatë dhe figura të njohura botërore si Frank Sinatra, John F. Kennedy, Richard Nixon, Henry Kissinger, Elizabeth Taylor dhe shumë të tjerë. Megjithatë, as fama dhe as pasuria nuk ia ndryshuan karakterin e shqiptarit. Anthony Athanas nuk e harroi kurrë vendlindjen, gjuhën dhe kombit. Përkundrazi, sa më shumë rritej emri i tij në Amerikë, aq më shumë shtohej angazhimi i tij në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Anthony Athanas ishte një nga figurat më të rëndësishme të Federatës Pan-Shqiptare "Vatra". Ishte bashkëpunëtor i afërt i Fan Nolit dhe Faik Konicës dhe më vonë një nga mbështetësit më besnikë të vazhdimësisë së kësaj organizate historike në Shtetet e Bashkuara. Për ata që e njihnin, Anthony Athanas nuk e bëri këtë angazhim për interes personal, sepse nuk kishte nevojë as për emër, as për para. E bëri sepse besonte se shqiptari, sado larg të jetë, nuk duhet ta harrojë kurrë përgjegjësinë ndaj kombit të vet.
Gjatë luftës së Kosovës, Anthony Athanas iu bashkua delegacioneve amerikane që vizituan Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, duke përdorur prestigjin e tij në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve. Kjo ishte arsyeja pse ai gëzonte respekt jo vetëm në komunitetin shqiptaro-amerikan, por edhe në qarqet më të larta politike dhe shoqërore amerikane.
Gjatë jetës së tij shumëdimensionale, Anthony Athanas nderoi Shqipërinë me besnikërinë ndaj prejardhjes së vet dhe me shërbimin e palodhur të tij ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan. Sot, në një kohë kur shoqëria shqiptare, sidomos komuniteti shqiptaro-amerikan, kërkon modele frymëzimi, jeta e Anthony Athanas mbetet një dëshmi e suksesit të vërtetë që nuk matet vetëm me pasurinë që krijon, por edhe me gjurmën që lë në jetën e njerëzve dhe në historinë e kombit.
Për këtë arsye, Anthony Athanas nuk është vetëm një figurë e shquar e diasporës shqiptaro-amerikane. Ai është pjesë e historisë sonë kombëtare. Ai na kujton se suksesi nuk matet vetëm me pasurinë që grumbullojmë, por me respektin që fitojmë në komunitet dhe më gjerë, me dorën që u shtrijmë të tjerëve dhe me shërbimin që i bëjmë kombit tonë të origjinës dhe Amerikës sonë të dashur.
Me pak fjalë
Anthony Athanas ishte një shqiptaro-amerikan që arriti të ndërtojë një jetë të suksesshme në Amerikë duke mbajtur gjithmonë lidhjen me Shqipërinë. Nga një emigrant i vogël në moshën katër vjeç, ai u bë pronari i një prej restoranteve më të njohur në Shtetet e Bashkuara, por gjithmonë mbeti besnik ndaj vlerave të kombit të tij. Angazhimi i tij në Vatra dhe mbështetja për kauzën shqiptare e bëjnë atë një model frymëzimi për brezat e ardhshëm.
Personat e përmendur
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



