Arben Fetai: Diaspora është kapital strategjik kombëtar

Zëvendëskryeministri për Politikat dhe Qeverisjen e Mirë në Maqedoninë e Veriut flet për zhvillimin lokal, transparencën dhe rolin e diasporës shqiptare The post Arben Fetai: Diaspora është kapital strategjik kombëtar appeared first on Albinfo.

Arben Fetai: Diaspora është kapital strategjik kombëtar

Në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit në Maqedoninë e Veriut, Albinfo.ch, si medium i diasporës shqiptare në Zvicër dhe në Evropë, zhvilloi një bisedë me zëvendëskryeministrin Arben Fetai, i cili ushtron pozicionin e Zëvendëskryeministrit për Politikat dhe Qeverisjen e Mirë.
Me përvojë të formuar në perëndim dhe lidhje të forta me komunitetin e mërgatës, Fetai përfaqëson një brez të ri politikanësh që synon ta kthejë përvojën dhe dijen e diasporës në vlera konkrete për zhvillimin institucional të vendit.

Në vijim, sjellim thelbin e qëndrimeve të tij mbi zhvillimin lokal, transparencën dhe përfshirjen e diasporës në proceset politike dhe ekonomike të Maqedonisë së Veriut.

Zhvillimi lokal dhe prioritetet infrastrukturore

Sipas zëvendëskryeministrit Fetai, qeveria VLEN ka vendosur si prioritet mbylljen e problemeve të trashëguara infrastrukturore në vendbanimet shqiptare, të cilat për dekada janë lënë pas dore.
“Asnjë vendbanim shqiptar nuk duhet të përballet më me mungesë të ujit të pijshëm, kanalizimeve apo rrugëve të amortizuara,” thekson ai, duke shtuar se janë financuar qindra projekte në komunat me shumicë shqiptare me një vlerë të përgjithshme prej 80 milionë euro në vit.  Sipas Fetait, ky është një hap thelbësor drejt barazimit rajonal dhe përmirësimit të standardeve të jetesës në zonat shqiptare.

Qeverisja e mirë dhe transparenca

Në lidhje me standardet e qeverisjes, Fetai thekson se në 15 muajt e qeverisjes, VLEN nuk ka pasur asnjë rast të raportuar të korrupsionit.
“Ne jemi organizatë e njerëzve të përgjegjshëm dhe të pastër, të cilët besojnë në funksionimin e shtetit të së drejtës. Ligji duhet të vlejë për secilin, pavarësisht bindjeve politike apo përkatësisë partiake,” deklaron ai.
Ai shton se çdo kandidat i VLEN-it ka program të qartë për transparencë, përfshirje qytetare dhe menaxhim efikas të burimeve lokale, duke e konsideruar këtë “themelin e besimit publik”.

Një frymë e re politike

Fetai vlerëson se këto zgjedhje shënojnë një frymë të re në skenën lokale shqiptare. “VLEN garon me kandidatë të rinj, profesionistë dhe të arsimuar në universitetet më të njohura perëndimore. Ata nuk kanë bagazh korrupsioni dhe përfaqësojnë një qasje të re ndaj politikës – të bazuar në punë, meritë dhe integritet,” thekson ai.
Ndër prioritetet themelore ai rendit infrastrukturën bazë, pastërtinë, rendin publik, kulturën dhe zhvillimin urban të qëndrueshëm, duke e parë komunën si hapësirë të parë të reformës dhe përgjegjësisë publike.

Diaspora si partner zhvillimi

Në thelb të vizionit të Fetait qëndron diaspora shqiptare, të cilën ai e cilëson si “kapital strategjik kombëtar”.
“Diaspora përbën një pasuri të shumëfishtë për vendin – ekonomike, intelektuale dhe morale. Ne e trajtojmë atë si partner të zhvillimit dhe jo si spektator të largët të politikave tona,” deklaron ai.
Sipas Fetait, qeveria po punon për krijimin e kushteve më të favorshme për investime, përkrahje procedurale dhe lehtësira për sipërmarrësit e mërgatës që duan të kontribuojnë në vendlindje.
Ai shton se kontaktet e tij të vazhdueshme me përfaqësues të diasporës në Evropë dhe më gjerë janë pjesë e një dialogu të hapur, që synon ta përfshijë mërgatën në hartimin e politikave të zhvillimit ekonomik dhe social.

E drejta e votës dhe përfshirja politike e mërgatës

Sipas ligjeve aktuale, e drejta e votës për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut mund të ushtrohet vetëm brenda vendit. Megjithatë, Fetai vlerëson vetëdijen e lartë qytetare të mërgatës shqiptare.
“Ne presim mijëra bashkatdhetarë që do të kthehen për të votuar në vendlindje. Ata kanë familje, prona dhe plane konkrete për t’u rikthyer. Ky angazhim është dëshmi e lidhjes së fortë shpirtërore me vendin dhe ne e inkurajojmë fuqimisht,” shprehet ai.

Deklaratat e zëvendëskryeministrit Arben Fetai përbëjnë një vizion të qartë për ndërlidhjen midis institucioneve shtetërore dhe diasporës shqiptare si faktor strategjik në zhvillimin e vendit.
Në një kohë kur remitancat, ekspertiza dhe rrjetet profesionale të mërgatës kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë kombëtare, sfida qëndron në institucionalizimin e këtij bashkëpunimi dhe kthimin e tij në politika afatgjata.
Albinfo.ch mbetet e përkushtuar të ndjekë këtë dialog të rëndësishëm, duke nxitur përfshirjen reale të diasporës në proceset vendimmarrëse dhe forcimin e qeverisjes së mirë në Maqedoninë e Veriut.

Për Albinfo intervistën e realizoi: Luljeta Ademi

 

The post Arben Fetai: Diaspora është kapital strategjik kombëtar appeared first on Albinfo.