ARKEP tregon sa numra telefonikë janë bartur, klientët po largohen me të madhe nga IPKO

ARKEP tregon sa numra telefonikë janë bartur, klientët po largohen me të madhe nga IPKO

Bartshmëria e numrave të telefonisë mobile në Kosovë po zhvillohet pa vështirësi që nga nisja e zbatimit më 5 tetor 2026, sipas Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

ARKEP ka konfirmuar se numri i bartjeve të realizuara deri më 22 tetor, në orën 14:00, është gjithsej 2,300.

Prej tyre, rreth 2,200 numra janë bartje nga IPKO drejt Valës, ndërsa nga Vala drejt IPKO-s janë bartur rreth 100 numra.

Rregullatori ka bërë të ditur se bartshmëria aktualisht zbatohet vetëm ndërmjet Telekomit të Kosovës (Vala) dhe IPKO-s, ndërsa numrat e operatorit mts D.O.O. nuk mund të barten drejt këtyre dy operatorëve apo anasjelltas.

Sipas ARKEP-it, shërbimi zbatohet vetëm ndërmjet operatorëve të rrjeteve mobile që posedojnë autorizime individuale nga ky autoritet dhe që kanë qenë pjesë e projektit të bartshmërisë që nga fillimi, përkatësisht Telekomit të Kosovës dhe IPKO-s

“Rrjedhimisht, në kuadër të këtij procesi, nuk është përfshirë dhe nuk mund të realizohet bartja e numrave nga operatori mts D.O.O. drejt këtyre dy operatorëve apo anasjelltas”, thuhet në përgjigjet e ARKEP-it për Buletini Ekonomik.

Nga ky institucion kanë sqaruar veçmas se numrat me prefiksin 047, të alokuar për operatorin mts D.O.O., aktualisht nuk mund të barten drejt Valës ose IPKO-s për shkak të kufizimeve në mënyrën e operimit të këtij operatori, përfshirë kufizimet infrastrukturore dhe territoriale që burojnë nga konteksti i zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit.

Megjithatë, ARKEP-i nuk ka specifikuar se kur këto kufizime mund të tejkalohen apo nëse ekziston një afat për përfshirjen e numrave të mts D.O.O. në sistemin e bartshmërisë.

Zbatimi i bartshmërisë së numrave nisi më 5 tetor të këtij viti, duke iu mundësuar konsumatorëve të kalojnë nga një operator te tjetri duke ruajtur numrin ekzistues.

Me funksionalizimin e këtij shërbimi, prefikset telefonike nuk janë më tregues i sigurt se te cili operator është i regjistruar një numër, pasi konsumatorët mund ta bartin atë te një operator tjetër.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.