Arrestimi i Ermal Beqiraj: Autoritetet shqiptare kishin informacion prej javësh

Arrestimi i Ermal Beqiraj: Autoritetet shqiptare kishin informacion prej javësh
Drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, ka deklaruar se autoritetet shqiptare kishin informacion për vendndodhjen e Ermal Beqiraj dhe se arrestimi i tij në Francë nuk ishte veprim i rastësishëm.
“Prokuroria në çdo rast merr vendimin e gjykatës, ia çon organit që ka për detyrë ekzekutimin. Nuk ka qenë veprim i rastësishëm. Grupi hetimor prej disa javësh ka qenë në kontakt me autoritetet franceze. Ka pasur informacion. Ai ka qenë i lokalizuar prej disa javësh. Nuk ka qenë qëllimi vetëm tek arrestimi, por edhe tek veprime të tjera hetimore. Në ditët në vijim do të keni informacion zyrtar. Kaq mund të ndaj sot”, tha Braho gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, përcjell A2 CNN.
Braho ka shtuar se SPAK do të kërkojë sekuestrimin e avionëve të Beqiraj. “Do keni një njoftim. Ne kemi kërkuar të sekuestrohen jo vetëm ato, por edhe pasuri të tjera”, ka thënë ai.
Drejtësia shqiptare ka nisur zyrtarisht procedurat për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiraj, i arrestuar të shtunën në Francë. 44-vjeçari raportohet se është vendosur në paraburgim. Të mërkurën, ai ka dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku i është komunikuar zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.
Brenda 40 ditëve, autoritetet franceze duhet t’i përcjellë vendimin e tyre. Nëse jepet pëlqimi, kthimi në atdhe do të realizohet brenda pak ditësh; në të kundërt, procedurat do të jenë më të gjata, shkruan A2 CNN.
Beqiraj u ndal pasi fluturoi në lartësi të ulët me një avion të lehtë mbi centralin bërthamor të Penly. Pas sinjalizimit, Forcat Ajrore franceze e shoqëruan deri në aeroportin e Albert, ku u ndalua nga policia për t’u marrë në pyetje.
Në dëshminë e tij, ai ka deklaruar se nuk kishte kryer veprime të qëllimshme dhe se, në atë moment, ishte duke folur në telefon me nënën e tij. Pas vendosjes së një gjobe prej 7 mijë eurosh, biznesmeni u la i lirë, por u mbajt nën vëzhgim policor. Pas konstatimit se Shqipëria e kishte shpallur në kërkim, efektivët e ndaluan sërish në banesë, duke njoftuar edhe autoritetet në Tiranë.
Ermal Beqiraj u shpall në kërkim nga SPAK më 21 dhjetor 2025, gjatë hetimeve për tenderët e AKSHI-t. Dyshimet lidhen me veprimtarinë e kompanisë që ai zotëron, “Soft & Solution”.
Me pak fjalë
Autoritetet shqiptare kishin informacion për vendndodhjen e Ermal Beqiraj për disa javë para arrestimit të tij në Francë. SPAK ka nisur procedurat për ekstradimin e tij, ndërsa dyshimet lidhen me tenderët e AKSHI-t dhe kompaninë “Soft & Solution”.
Personat e përmendur
Burimi i lajmit: opinion.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



