Arrestohet një burrë i armatosur pranë fushës së golfit të Trumpit

Arrestohet një burrë i armatosur pranë fushës së golfit të Trumpit

Autoritetet në Kaliforni kanë arrestuar një burrë që është parë pranë një fushe golfi në pronësi të Donald Trumpit, në zonën e Los Anxhelosit, pak para vizitës së presidentit për një darkë mbledhjeje fondesh atje.

Hetuesit kanë bërë të ditur se Jeanine John Taele, 38 vjeç, është gjetur me një pistoletë dhe municion të paligjshëm në fushën e golfit “Trump National” në Rancho Palos Verdes.

Sipas Departamentit të Sherifit të Los Anxhelosit, ai “është parë duke ecur nëpër mjediset e fushës së golfit, duke bërë fotografi e video dhe dukej sikur po vëzhgonte aktivitetet e planifikimit të sigurisë”.

Arrestimi ka ndodhur të dielën pasdite.

Trumpi aktualisht po viziton Kaliforninë për të marrë pjesë në një darkë mbledhjeje fondesh të Partisë Republikane që do të mbahet në atë fushë golfi javën e ardhshme.

Taele po mbahet në paraburgim me akuza për mbajtje të fshehtë të një arme zjarri dhe posedim të municionit të ndaluar.

Në një njoftim për shtyp, departamenti i sherifit ka thënë se Taele është arrestuar pasi agjentët federalë me rroba civile kishin raportuar një person të dyshimtë tek autoritetet vendase.

Kur policia ka ndërhyrë dhe e ka ndaluar burrin, ka zbuluar se ai kërkohej nga Departamenti i Policisë së El Segundo-s në lidhje me një grabitje. El Segundo ndodhet rreth 25 km në veri të Rancho Palos Verdes, një zonë bregdetare luksoze e njohur për kodrat dhe shkëmbinjtë e saj piktoreskë.

Autoritetet më pas e kanë kontrolluar dhe kanë gjetur se ai mbante një karikator me 16 fishekë të tipit “hollow-point”- municion që zgjerohet gjatë goditjes.

Ndërkaq, në automjetin e tij, të parkuar pranë fushës së golfit, ata kanë gjetur një pistoletë të mbushur, si dhe një karikator të mbushur me municion të të njëjtit lloj.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.