“Asgjë nuk mund ta ndalë Republikën tonë” – Në 17-vjetorin e pavarësisë kujtohet sakrifica e popullit për liri
Kosova shënon sot 17-vjetorin e pavarësisë, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008. Qeveria e vendit mbajti një mbledhje festive, në të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu mirënjohje dhe nderime për “të gjithë ata që u sakrifikuan dhe u flijuan” për lirinë. “Liria për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë, kërkon demokraci
Kosova shënon sot 17-vjetorin e pavarësisë, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.
Qeveria e vendit mbajti një mbledhje festive, në të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu mirënjohje dhe nderime për “të gjithë ata që u sakrifikuan dhe u flijuan” për lirinë.
“Liria për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë, kërkon demokraci, e cila mundëson që të dëgjohet zëri i popullit dhe të mbrohen të drejtat e qytetarëve”, tha Kurti.
Sipas tij, Republika e Kosovës “sot është më e fortë dhe më vitale se kurrë më parë – jo vetëm se kemi investuar në siguri dhe në mbrojtje, por sepse kemi forcuar institucionet demokratike dhe kemi normalizuar funksionimin e tyre”.
“Ekonomia po rritet vit pas viti, shpejt e qëndrueshëm”, tha po ashtu Kurti.
Duke iu drejtuar gazetarëve pas ngritjes solemne të flamurit të Kosovës, pranë ndërtesave të Qeverisë dhe Kuvendit, presidentja Vjosa Osmani tha se kjo ditë kujton “sakrificën shekullore të popullit” për lirinë dhe pavarësinë.
“Do të ecim përpara, sepse nuk ka asgjë që mund ta ndalë Republikën tonë të lirë, të pavarur, sovrane dhe të përjetshme”, tha Osmani.
Gjatë ditës në sheshet e Prishtinës parakaluan edhe trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në nisje të ceremonisë, presidentja Osmani ka thënë se në themelet e Republikës së Kosovës qëndron një rrugëtim i gjatë, dhe që Kosova është atdheu ku projektohen ëndrrat, me besim ta palëkundur për të ardhmen e vendit.
“Sot ne të gjithë jemi bashkë, populli i Kosovës feston si një dhe me krenari. Pavarësisht dallimeve, pavarësisht sfidave, pavarësisht pengesave që janë vënë në rrugën tonë, ne jemi dhe do të vazhdojmë të mbetemi të bashkuar për atdheun tonë, republikën tonë të dashur”, ka thënë Osmani në ceremoninë e parakalimit të forcave të FSK-së në sheshet e kryeqytetit.
Kryeministri Kurti ka thënë se Republika e Kosovës është rezultat i të gjithë atyre që luftuan e u përpoqën për vendin.
“Në katër vjetët e fundit, Kosova ka investuar qindra miliona euro në blerjen e municioneve dhe sisteme armatimesh, nga mortajat e minahedhësit, e deri te raketat anti-tank Javelin dhe fluturaket pa pilotë Bajraktar. Kemi blerë mijëra pushkë dhe miliona municione, teksa kemi bërë hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake me fabrikën e municioneve dhe të prodhimit të dronëve ‘Made in Kosova’”, ka thënë Kurti në ceremoni.
Një ditë më herët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka pranuar një mesazh urimi për përvjetorin e pavarësisë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Aty thuhet se Trump e “përgëzon popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë” dhe vë në pah “qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces”.
“Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe me padurim presim që t’i zgjerojmë ato – veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime – me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona”, thuhet mes tjerash në letër.
Qeveria e Kurtit, viteve të fundit, është kritikuar nga zyrtarët amerikanë, për shkak të disa hapave të cilësuar si të pakoordinuar kundrejt komunitetit serb.
Shtatëmbëdhjetëvjetori i pavarësisë e gjen Kosovën si shtet të njohur nga rreth 117 vende të botës.
Vendi është pjesë e disa organizatave ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.
Por, nuk është ende në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës etj.