Bajrami reagon pas videos së VV: Faktet para propagandës, qeveria më e dështuar e pasluftës

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar për një video të shpërndarë nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila në një klip të publikuar sot rendit disa “suksese të rëndësishme” gjatë mandatit katërvjeçar. Bajrami ka thënë se Qeveia e VV’së është qeveria e parë që e ka përmbyllur një mandat të plotë por sipas saj “është qeveria

Bajrami reagon pas videos së VV: Faktet para propagandës, qeveria më e dështuar e pasluftës

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar për një video të shpërndarë nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila në një klip të publikuar sot rendit disa “suksese të rëndësishme” gjatë mandatit katërvjeçar.

Bajrami ka thënë se Qeveia e VV’së është qeveria e parë që e ka përmbyllur një mandat të plotë por sipas saj “është qeveria më e dështuar prej pasluftës”.

Ajo ka përmendur që Kosova është nën sanksione dhe që qe katër vite s’ka njohje e as anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Bajrami ka shtuar se Kosova “kurrë më e izoluar s’ka qenë”.

“Gjatë kësaj kohe, Kurti i ka lënë trashëgimi Kosovës Marrëveshjen e Brukselit, aneksin e Ohrit dhe ka pranuar draft-asociacionin e komunave me shumicë serbe që çon drejt federalizimit të vendit, apo thënë më mirë drejt defunksionalizimit të shtetit të Kosovës.”

Ajo ka thënë se gjendja socio-ekonomike nuk ka qenë kurrë më e rëndë.

“Gjendja socio-ekonomike kurrë më e rëndë nuk ka qenë; gjatë këtij mandati Kosova ka përjetuar rritjen më të madhe të çmimeve që nga shpallja e pavarësisë, është rritur çmimi i energjisë elektrike dy herë dhe tani është në proces rritja për herë të tretë. Nuk janë rritur pagat, ato janë rritur vetëm për stafin politik, ndërsa për të tjerët rritja ka qenë pothuajse e pavërejtshme.”

Sipas saj gjatë këtyre katër viteve s’ka pasur asnjë politikë reformuese për të përmirësuar ambientin e biznesit.

“Nuk ka pasur zhvillim, nuk ka pasur asnjë politikë reformuese për të përmirësuar ambientin e biznesit, për më tepër shumica e institucioneve që janë të thirrura t’iu shërbejnë bizneseve kanë qenë jofunksionale pothuaj gjatë tërë mandatit si: OSHP, KPMM, AK, KNSH, etj.”

Bajrami thotë se investimet kapitale të nivelit qendror kanë qenë më të ulëtat në historinë e pasluftës.

“Investimet kapitale të nivelit qendror kanë qenë më të ulëtat në historinë e pasluftës, nëse marrim parasysh këtu edhe inflacionin që ka ndodhur. Nuk ka përfunduar asnjë projekt kapital, as ato që në fillim të mandatit ishin në gjysmë si: rruga për Mitrovicë, rruga për Pejë, rruga për Podujevë, rruga për Gjilan, rruga Doll-Gjakovë etj.”

Ajo ka thënë se është “dyfishuar kostoja e jetesës së qytetarëve dhe është rritur numri i familjeve që jetojnë në varfëri”.

Bajrami ka shkruar për pagën minimale, investimet e huaja, arsimin e shëndetësinë gjatë qeverisjes Kurti 2.

“Ligji për pagën minimale nuk po zbatohet. Rasti i grave që kanë punuar në mirëmbajtjen e ndërtesës së Kuvendit e ka shpërfaqur paaftësinë e kësaj qeverie që as brenda institucioneve s’mund të zbatojnë ligje. Investimet e huaja janë krejt në blerje banesash nga ana e mërgatës sonë. Është thelluar deficiti tregtar. Kosova e ka mbyllur vitin 2024 me 5.3 miliardë euro deficit tregtar, e ky deficit po thëllohet tutje në vitin 2025. Arsimi ka degraduar, asnjë vit shkollor s’ka filluar me kohë, eksperimentet me furnizimin me libra kanë rezultuar me qindra e mijëra orë të humbura dhe askush s’ka marrë përgjegjësi. Nuk ka pasur as investime dhe as reforma. Në shëndetësi nuk ka pasë investime. Kanë lyer ca korridore e klinika, por furnizimi me barna kurrë më i mangët s’ka qenë, la lista të gjata të pritjes për qytetarët, mase jo për qeveritarët. Ndërkohë që po lavdërohen me Ligjin për unifikimin e çmimit të barnave, Ligj të cilin edhe sot e kësaj dite askush s’po e zbaton.”

Bajrami ka thënë se kjo qeveri “shquhet për skandale të korrupsionit”.

“Kjo qeveri shquhet për skandale të korrupsionit. Në më pak se një mandat ka nënshkruar 2,123 kontrata njëburimore. Skandalet me tenderat e KEK-ut, ku njerëz pa asnjë funksion vendosin për tendera milionësh mandej rasti i Nagip Krasniqit, rasti i Martin Berishajt, rasti i Naser Hafizit, rasti i subvencioneve në MBZHR, rasti i subvencioneve në MKRS, rasti i subvencioneve të Ministrisë së Pushtetit Lokal, në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim dhe dhjetëra raste të tjera, të cilat edhe sot e kësaj dite merren në mbrojtje prej Albinit e poshtë, tregojnë se qeveria e LVV-së është qeveri e korruptuar dhe asnjë tentativë për të luftuar korrupsionin s’ka pasur – përkundrazi. Duke marrë parasysh këto nivele të korrupsionit, këta s’kanë qenë të interesuar të bëjnë as Vetting dhe as Byro për Konfiskim të Pasurisë. Këta katër vite kanë tentuar ta kapin sistemin e drejtësisë duke politizuar si KPK-në, ashtu edhe Byronë, në mënyrë që t’i mbrojnë të korruptuarit e tyre.”

Sipas Bajramit Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti e ka shkelur 10 herë Kushtetutën e Kosovës.

Ajo ka folur edhe për situatën në veri, duke thënë se atje nuk paguhen rryma e tatimi në pronë.

“Në Veri sot nuk paguhet rryma as tatimi në pronë, sepse humbjet e energjisë në Veri sipas pasqyrave financiare të KOSTT-it në vitin 2020 kanë qenë 8.7 milionë euro, në vitin 2021 janë 52.6 milionë euro, në vitin 2022 janë 78 milionë euro, e në vitin 2023 janë 35.7 milionë euro. Të gjitha këto paguhen nga KOSTT-i dhe mjetet e buxhetit të Kosovës. Në Veri sot shumica e institucioneve janë jofunksionale dhe, kurdo që vendoset të kthehet normaliteti atje, kemi me u kthy fiks ku kemi qënë para 4 viteve. Ndërkohë, asnjëherë nuk treguan pse e lanë Radoiçiqin të ikte për dritë të diellit, derisa e vëzhgonin me kamera. Sukseset!?”