Bashkimi Evropian sanksione Kosovës, reagon Vjosa Osmani

BE-ja sanksione Kosovës, Osmani në FB: Evropa, shtëpia jonë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar në Strasburg të Francës, në selinë e Parlamentit Evropian. Ajo nesër pritet të mbajë një fjalim në PE, si e para lidere e Kosovës që mban fjalim që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë, gjatë ditës sot […]

Bashkimi Evropian sanksione Kosovës, reagon Vjosa Osmani

BE-ja sanksione Kosovës, Osmani në FB: Evropa, shtëpia jonë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar në Strasburg të Francës, në selinë e Parlamentit Evropian.

Ajo nesër pritet të mbajë një fjalim në PE, si e para lidere e Kosovës që mban fjalim që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ndërkohë, gjatë ditës sot ka zhvilluar një mori takimesh me politikanë evropianë, takime këto që i ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjete sociale.

Pos këtyre, ajo së fundmi ka shpërndarë edhe një fotografi të sajën me një flamur të BE-së në prapavijë me mbishkrimin: “Evropa, shtëpia e jonë”.

Nuk dihet nëse publikimi i këtij postimit të Osmanit lidhet me zhvillimet e fundit në vend. Kjo pasi vetëm pak minuta para këtij postimi, Radio Evropa e Lirë ka bërë të ditur se burime të saja ndërkombëtare i kanë thënë se Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.

Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Sipas REL-it, takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.

Sanksioni tjetër pritet të përfshijë punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), raporton Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike.

Do të ketë edhe pasoja financiare për Kosovën. Është planifikuar një pezullim domethënës i financimit nga ana BE-së i disa projekteve për të cilat ka dhënë propozime Kosova në kuadër të Fondit investues për Ballkanin Perëndimor.

BE, si sanksion ndaj Kosovës, ka paraparë që të ulë edhe nivelin e pranisë publike në zhvillimet dhe ngjarjet e përbashkëta ku marrin pjesë anëtarët e Qeverisë së Kosovës. Kjo masë pritet të përfshijë edhe takimet në kuadër të bashkëpunimit financiar.