Berberët në Gjenevë dhe Lozanë: Në fokus të një çështjeje për pastrim parash

Në Zvicër, disa sallone “W* Barbershop” po hetohen për pastrim parash. Shuma të mëdha parash dyshohet se kanë kaluar përmes këtyre bizneseve me qëllim fshehjen e origjinës së tyre; dyshohet se këto fonde rrjedhin nga trafikimi i drogës.
Në rrjetet sociale, “W* Barbershop” prezantohen si vende në modë. Në faqet e tyre në Instagram dhe Facebook, yje të tenisit, futbollit dhe muzikës, përfshirë reperin francez Gims dhe prezantuesin Cyril Hanouna, janë shfaqur duke prerë flokët aty. Në Zvicër, dy sallone “W* Barbershop” u hapën në fillim të viteve 2020, në Lozanë dhe Gjenevë.
Pas këtyre salloneve zvicerane qëndron një rrjet për pastrimin e parave të drogës, sipas dokumenteve të Prokurorisë Publike të Gjenevës. Ky është një rast i rrallë në Zvicër: pavarësisht reputacionit shpesh të dyshimtë që shoqëron sallonet e berberëve, rastet që përfundojnë në gjykatë mbeten të rralla.
Disa vite më parë, një sallon berberi ishte në qendër të një çështjeje prostitucioni në Gjenevë, por pa lidhje me pastrimin e parave. Përkundrazi, në Francë dhe Gjermani, ky fenomen është shumë i përhapur. Policia paralajmëron rregullisht për infiltrimin e organizatave kriminale në këtë lloj aktiviteti tregtar.
Pastrimi i parave nga trafikimi i drogës
Në qershor të vitit 2026, dy ish-drejtuesit e salloneve “W* Barbershop” dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë dolën para gjykatës së Gjenevës në kuadër të një procedure të thjeshtuar. Bëhet fjalë për një seancë që zakonisht kalon pa u vënë re dhe rrallë zgjon interesin e mediave. Gjykata refuzoi të miratonte marrëveshjen midis të pandehurve dhe Prokurorisë Publike, duke e kthyer çështjen në procedurë të zakonshme gjyqësore.
Të pandehurit rrezikojnë disa vite burg. Ata i kundërshtojnë akuzat dhe gëzojnë të drejtën e prezumimit të pafajësisë. Një gjyq i ri pritet të zhvillohet para fundit të vitit.
Trafikimi i drogës dhe orat luksoze
Kjo çështje nisi me një arrestim në doganën e Gjenevës. Në shkurt të vitit 2021, në orët e para të mëngjesit, një nga të pandehurit u arrestua në kufi ndërsa drejtonte një automjet me qira. Në sediljen e pasme, ai mbante një qese plastike të mbushur me tufa kartëmonedhash, gjithsej 156.680 euro dhe 250.260 franga. Policia arriti në përfundimin se paratë vinin pjesërisht nga trafikimi i drogës.
Dokumentet gjyqësore tregojnë se “shuma të mëdha parash nga trafikimi janë investuar në kompani në Zvicër, përfshirë sallone berberësh në Gjenevë dhe Lozanë”. Aty specifikohet: “Kompania W* Barbershop (…) drejtohej me qëllimin e vetëm të pastrimit të parave nga trafikimi i drogës (…), për të krijuar një origjinë të ligjshme për fondet, por edhe për të mundësuar depozitimin e këtyre parave në llogari bankare zvicerane, apo për të justifikuar fitimet e mëdha dhe stilin e jetesës së të pandehurve.”
Të pandehurit dyshohen se kanë marrë pjesë në një trafik të gjerë droge midis Zvicrës frëngjishtfolëse dhe Francës: “më shumë se tridhjetë kilogramë kokainë të papërpunuar dhe rreth 1000 kilogramë produkte të llojit kanabis (hashash dhe marihuanë)”.
Të pandehurit thuhet se kanë qenë aktivë edhe në tregun gri të orëve luksoze, me transaksione që kapnin vlerën e mbi 800.000 frangave, duke përfshirë orë të markave Audemars Piguet dhe Patek Philippe. Njëri prej të pandehurve dyshohet se ka investuar disa qindra mijëra franga dhe euro në pasuri të paluajtshme në Marok, raporton RTS, transmeton albinfo.ch.
Hetime komplekse
Alexandre Brahier, zëdhënës i policisë së kantonit të Gjenevës, nuk pranoi të komentonte mbi rastin. Megjithatë, ai thekson vështirësitë e këtij lloji hetimi: “Në Zvicër, i takon sistemit të drejtësisë të provojë se paratë e kriminelëve janë të pista, ndërsa në Francë apo Itali, është i pandehuri ai që duhet të provojë se origjina e parave është e pastër.”
Që nga arrestimi i të pandehurve, dy sallonet zvicerane të berberit i kanë mbyllur dyert. Në rrjetet sociale, një biznes i ri u prezantua si pasues i degës së Gjenevës, me një emër të ri dhe një pronar të ri.
Megjithatë, kjo përpjekje zgjati pak. Sipas informacioneve tona, njëri nga menaxherët e rinj është larguar nga Zvicra muajt e fundit për të jetuar jashtë vendit. Në lagjen Les Pâquis, fqinjët tregojnë se policia ka kryer kontrolle dhe bastisje të përsëritura në sallonin e berberit. Biznesi tani ka falimentuar zyrtarisht.
Megjithatë, sipas banorëve të zonës, klientët vazhdonin të shkonin aty për t’u qethur. Të kontaktuar disa herë, berberhanja dhe pronari i saj i ri nuk iu përgjigjën kërkesave tona për intervistë.
The post Berberët në Gjenevë dhe Lozanë: Në fokus të një çështjeje për pastrim parash appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



