Berisha në SHBA, rikthim drejt pushtetit apo vetëm “derë e hapur” nga Amerika?

Berisha në SHBA, rikthim drejt pushtetit apo vetëm “derë e hapur” nga Amerika?

Vizita e kreut të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka rikthyer në qendër të debatit politik në Tiranë dhe më gjerë çështjen e pozicionit të tij në politikën shqiptare dhe të mundësive për një rikthim të opozitës në pushtet. Prania e Berishës në SHBA është parë nga mbështetësit e tij si një zhvillim me rëndësi politike dhe si një sinjal që mund të ndikojë në perceptimin e tij ndërkombëtar.

Në një kohë kur politika shqiptare vazhdon të karakterizohet nga përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës, çdo zhvillim që lidhet me marrëdhëniet e figurave kryesore politike me Uashingtonin merr një peshë të veçantë. Për Berishën, raporti me SHBA-në ka qenë prej kohësh një prej çështjeve më të debatueshme të karrierës së tij politike, ndaj edhe kjo vizitë është interpretuar përmes prizmit të mundësisë së një kapitulli të ri në rrugëtimin e tij politik.

Megjithatë, sipas dy vlerësimeve, vizita nuk duhet parë si dëshmi e një ndryshimi të politikës amerikane ndaj Berishës dhe as si një zhvillim që, në vetvete, mund të prodhojë ndryshime të menjëhershme në skenën politike shqiptare. Po ashtu, ndikimi i drejtpërdrejtë i kësaj vizite në Kosovë dhe në raportet rajonale vlerësohet i kufizuar, duke qenë se ekuilibrat politikë në rajon përcaktohen nga një sërë faktorësh shumë më të gjerë se një vizitë e vetme politike.

Në këtë situatë, mbetet e hapur pyetja nëse vizita e Berishës në SHBA mund të shndërrohet në një avantazh politik për të dhe opozitën shqiptare, apo nëse ajo do të mbetet kryesisht një mundësi për konsolidimin e mbështetjes së tij brenda kampit opozitar.

“Vizita e Sali Berishës në SHBA duhet parë më shumë si një rikthim i tij në hapësirën politike e diplomatike amerikane, sesa si dëshmi e sigurt për rikthimin e tij në pushtet”

Analisti politik Adem Lushaj në një prononcim për ‘Bota sot’, ka komentuar vizitën e kreut të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se ajo nuk duhet parë, së paku në këtë fazë, si dëshmi e një rikthimi të sigurt të tij në pushtet.

Sipas Lushajt, vizita e Berishës përbën më shumë një moment të rëndësishëm të rikthimit të tij në hapësirën politike dhe diplomatike amerikane, pas një periudhe kur ai kishte qenë i përjashtuar nga SHBA-ja dhe ishte përballur me një akuzë serioze nga administrata amerikane.“Do ta shihja më shumë si një moment të rëndësishëm të rikthimit të tij në hapësirën politike dhe diplomatike amerikane”, është shprehur Lushaj, duke shtuar se kjo mund të interpretohet edhe si një lloj rehabilitimi politik e diplomatik, ose së paku si ndryshim i qasjes ndaj tij.

Megjithatë, ai thekson se duhet bërë një dallim i qartë mes rikthimit të një politikani në marrëdhëniet me Uashingtonin dhe rikthimit të tij në pushtet në Shqipëri.

“Duhet bërë dallimi mes rikthimit të një politikani në marrëdhëniet me Uashingtonin dhe rikthimit të tij në pushtet në Shqipëri”, ka deklaruar Lushaj, duke nënvizuar se e dyta varet mbi të gjitha nga zhvillimet e brendshme politike dhe nga mbështetja që Berisha arrin të krijojë në shoqërinë shqiptare.

Duke folur për ndikimin e mundshëm të një roli më aktiv të Berishës në politikën shqiptare ndaj Kosovës, Lushaj vlerëson se një zhvillim i tillë mund të jetë pozitiv, nëse çështja e Kosovës dhe interesat shqiptare vendosen në një kornizë të përgjegjshme euroatlantike.

Ai kujton se Berisha historikisht ka pasur një qëndrim të qartë ndaj Kosovës, por paralajmëron se nuk duhet krijuar pritshmëria se vetëm rikthimi i tij në skenën amerikane do të ndryshojë automatikisht pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

“Për Kosovën nevojiten politika të qëndrueshme, aleanca të forta me SHBA-në dhe Evropën dhe, mbi të gjitha, një diplomaci më aktive nga vetë institucionet e Kosovës”, ka thënë Lushaj.Sipas tij, Kosova duhet të jetë aktive në ndërtimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve të saj ndërkombëtare dhe nuk mund të mbështetet vetëm te ndryshimet politike në Shqipëri apo te figurat politike shqiptare.

Sa i përket të ashtuquajturit “bosht Rama–Vuçiq”, Lushaj shprehet se duhet pasur kujdes me këtë formulim. Ai pranon se ka pasur bashkëpunime dhe interesa të përbashkëta mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq në kuadër të nismave rajonale, por thotë se nuk duhet reduktuar e gjithë politika rajonale në një “bosht”.

“Ka pasur bashkëpunime dhe interesa të përbashkëta mes Ramës dhe Vuçiqit në kuadër të nismave rajonale, por nuk mendoj se duhet reduktuar e gjithë politika rajonale në një ‘bosht’”, është shprehur ai.

Megjithatë, sipas Lushajt, një forcim i opozitës shqiptare dhe një qëndrim më i qartë i saj për Kosovën mund të ndikojë në ekuilibrat politikë në Tiranë dhe në rajon.

Në fund, Lushaj e konsideron vizitën e Berishës në SHBA si një sinjal për një kapitull të ri në marrëdhëniet e tij me Uashingtonin, por jo si një “certifikatë” të rikthimit të tij në pushtet.

“Për Kosovën, çdo zhvillim që forcon zërin e saj në Uashington dhe në botën euroatlantike është i mirëpritur, por nuk duhet të krijojmë pritshmëri se zgjidhjet për Kosovën do të vijnë përmes ndryshimeve politike në Tiranë”, ka përfunduar Lushaj.

Vizita e Berishës në Konventën Kombëtare të Partisë Republikane në Texas është një sukses personal, por nuk pritet të ketë ndikim në politikën amerikane ndaj Kosovës, Shqipërisë apo Serbisë

Vizita e kreut të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ngjallur diskutime për atë nëse rikthimi i tij në SHBA mund të shënojë një ndryshim të qasjes amerikane ndaj tij dhe, rrjedhimisht, të ndikojë edhe në të ardhmen e tij politike.

Për analistin dhe zyrtarin politik Vendim Demaj, përgjigjja është e qartë: jo. Ai thotë se fakti që Berisha ka marrë leje për të udhëtuar drejt SHBA-së nuk duhet interpretuar si rikthim politik i tij në favor të administratës amerikane, e aq më pak si dëshmi se politika e SHBA-së ndaj tij ka ndryshuar.

“Për mendimin tim, jo. Fakti që Sali Berisha ka marrë leje për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara nuk duhet interpretuar si një rikthim politik i tij në favor të administratës amerikane, aq më pak si një sinjal se politika e SHBA-së ndaj tij ka ndryshuar”, ka deklaruar Demaj për ‘Bota sot’.

Sipas tij, në SHBA lobimi është i legalizuar dhe individë apo organizata mund të angazhojnë kompani lobimi kundrejt pagesave përkatëse. Demaj thekson se në rastin e Berishës, mediat në Tiranë dhe disa media amerikane kanë raportuar për përpjekjet e tij për ndryshimin e statusit “non-grata”, ndërsa vetë Berisha ka folur publikisht për angazhimin e kompanive dhe strukturave lobuese.

Ai përmend edhe angazhimin e LaCivitas, të cilën e cilëson si të lidhur me ish-influencuesin e fushatës së presidentit Trump, si dhe pretendimin e Berishës se janë paguar kompani të lidhura me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe shefen e Shtëpisë së Bardhë, Susie Ëiles.

Por, sipas Demajt, pavarësisht gjithë këtij angazhimi, rezultati i deritanishëm nuk duhet ekzagjeruar.

“Pavarësisht gjithë këtij angazhimi të gjithanshëm, i vetmi sukses që Berisha ka korrur deri më tani është dhënia e lejes për të hyrë në SHBA, ku Departamenti i Shtetit ka përdorur metodën ‘ëaiver’, pra përjashtim të posaçëm”, ka thënë ai.

Demaj vlerëson se kjo vizitë përbën një sukses personal për Berishën, por jo domosdoshmërisht një sukses politik me pasoja në marrëdhëniet e tij me Uashingtonin.

“Amerika mund t’i hapë një derë për të hyrë, por kjo nuk do të thotë se i ka hapur derën e pushtetit”, shprehet Demaj.

Sipas tij, vizita e Berishës në SHBA është private dhe lidhet me pjesëmarrjen në Konventën Kombëtare të Partisë Republikane në Texas, ndërsa përpjekjet e mediave pranë PD-së dhe Berishës për ta paraqitur atë si një sukses të madh nuk duhet të ngatërrohen me ndonjë ndryshim të politikës amerikane.

Ai konsideron se vizita mund të shërbejë kryesisht për të mobilizuar dhe karikuar mbështetësit e Berishës, por nuk pret që ajo të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike në Shqipëri apo në politikën e jashtme amerikane.

I pyetur nëse një rikthim më i fuqishëm i Berishës në skenën politike amerikane do ta ndihmonte Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe nëse do të mund të prishte atë që shpesh cilësohet si “boshti Rama–Vuçiq”, Demaj sërish përgjigjet negativisht.

“Edhe këtu përgjigjja, sipas meje, është JO”, ka deklaruar ai.

Demaj thekson se Berisha nuk po shkon në SHBA për një takim zyrtar me administratën amerikane, nuk përfaqëson shtetin shqiptar dhe nuk ka ndonjë mandat diplomatik për çështjen e Kosovës.

“Sali Berisha, në këtë rast, nuk shkon në Amerikë për një takim zyrtar me administratën amerikane, nuk shkon si përfaqësues i shtetit shqiptar dhe nuk shkon me një mandat diplomatik për çështjen e Kosovës. Ai merr pjesë në një aktivitet politik të Partisë Republikane”, ka thënë Demaj.

Për këtë arsye, ai e konsideron ekzagjerim pretendimin se një vizitë e tillë mund të ndryshojë raportet e SHBA-së me Kosovën, Shqipërinë apo Serbinë.

“Aq më pak mund të shërbejë si mundësi për të sensibilizuar qeverinë amerikane ndaj problematikave në Kosovë apo Shqipëri, sepse vetë vizita është e tillë ku z. Berisha është një nga mijëra të ftuarit e Konventës Republikane”, shprehet Demaj.

Sipas tij, ndikimi i kësaj vizite në arenën ndërkombëtare, si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë, do të jetë minimal.

Demaj rikujton se pavarësisht lejes për të hyrë në territorin amerikan, statusi “non-grata” i Berishës, sipas tij, vazhdon të jetë i pranishëm në faqen e Departamentit amerikan të Shtetit.

“Pavarësisht dhënies leje për të vizituar Amerikën, z. Berisha vazhdon të jetë person ‘non-grata’ në faqen e Departamentit të Shtetit”, ka deklaruar ai.

Në këtë kontekst, Demaj e sheh vizitën e Berishës më shumë si një zhvillim që mund të përdoret në politikën e brendshme shqiptare, sesa si një dëshmi të ndonjë ndryshimi të madh në qëndrimin e Uashingtonit.

Ai e lidh këtë edhe me rastin e liderit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, duke thënë se qëndrimi i Departamentit të Shtetit ndaj statusit të “non-grata”-s duhet parë në mënyrë të veçantë për secilin rast.

Në përfundim, Demaj vlerëson se vizita e Sali Berishës në SHBA duhet të shihet me realizëm dhe jo si paralajmërim për një rikthim të sigurt të tij në pushtet apo si një ndryshim automatik i politikës amerikane ndaj Kosovës dhe rajonit.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.