Bllokada në Kuvend mund të vazhdojë edhe pas të shtunës
Procesi i konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës vijon të jetë i bllokuar, pasi ende nuk ka sinjale të qarta se raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit do të miratohet së shpejti nga deputetët. Sipas paralajmërimeve, seanca pritet të vazhdojë të shtunën, por edhe kjo ditë nuk […] The post Bllokada në Kuvend mund të vazhdojë edhe pas të shtunës appeared first on Albinfo.

Procesi i konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës vijon të jetë i bllokuar, pasi ende nuk ka sinjale të qarta se raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit do të miratohet së shpejti nga deputetët. Sipas paralajmërimeve, seanca pritet të vazhdojë të shtunën, por edhe kjo ditë nuk shihet me shumë optimizëm nga njohësit e zhvillimeve politike dhe vetë deputetët e partive, shkruan Radio Evropa e Lirë, përcjell albinfo.ch.
Miratimi i këtij raporti është një hap thelbësor për të mundësuar betimin e deputetëve të rinj dhe për të çuar më tej procesin e konstituimit të Kuvendit, i cili është i nevojshëm për formimin e Qeverisë së re. Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk ka deklaruar nëse ka siguruar shumicën e nevojshme për të kaluar këtë raport në Kuvend.
Në seancën e parë të mbajtur më 15 prill, partitë opozitare – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – kërkuan dorëheqje të qarta, formale dhe publike nga anëtarët e Qeverisë në detyrë që janë zgjedhur si deputetë. Ata kushtëzojnë votimin e raportit me këtë hap, transmeton albinfo.ch.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka theksuar se dorëheqja e tij ka hyrë në fuqi që më 27 mars, kur ka njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për kalimin e Qeverisë në detyrë. Megjithatë, ky veprim nuk po konsiderohet i mjaftueshëm nga partitë opozitare, të cilat vazhdojnë të kërkojnë dorëheqje të dokumentuara në Kuvend.
Deputetët e opozitës shprehin rezerva në lidhje me votimin e raportit, por disa prej tyre theksojnë nevojën për të tejkaluar bllokadën. Deputeti Bekë Berisha nga AAK deklaroi se raporti duhet të miratohet dhe se nuk ka arsye për pengesa të mëtejshme.
“Duhet ta kalojmë [miratojmë] raportin dhe të hyjmë në temë, pra, të betohen deputetët. Raportin është dashur të kalojmë [qysh në fillim]. Nuk është kjo as garë as kundërshtim”, theksoi Berisha për REL, transmeton albinfo.ch.
Megjithatë, qëndrimi i LDK-së mbetet i pandryshuar – sipas deputetit Besian Mustafa, vetëm dorëheqjet zyrtare të anëtarëve të Qeverisë mund ta hapin rrugën për votim.
“LDK-ja vazhdon të jetë me të njëjtat qëndrime që kanë qenë që nga fillimi i kësaj seancë konstituive. LDK-ja nuk sheh ndonjë rrugë tjetër, përveç asaj ligjore”, thekson Mustafa.
Ndërkohë, politologu Dritëro Arifi vlerëson se partitë politike nuk po shfaqin vullnet për të zgjidhur ngërçin. Sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm te raporti, por më shumë te frika e palëve nga hapi pasues – formimi i Qeverisë së re. Asnjëra nga partitë nuk e ka shumicën për të qeverisur vetëm, dhe asnjëra nuk po shpreh gatishmëri për të ndërtuar një Qeveri të pakicës, shkruan REL.
“Në fakt, asnjëra palë nuk po dëshiron, por normalisht që përgjegjësia më e madhe bie mbi partinë fituese [LVV], sepse ata janë që duhet të bashkëpunojnë, të gjejnë zgjidhje. Ata i kanë fituar zgjedhjet për të qeverisur dhe jo për të ikur nga qeverisja. Në një këndvështrim afatgjatë, kjo mund ta dëmtojë më shumë Vetëvendosjen sesa partitë tjera”, thekson Arifi.
Arifi sugjeron se tejkalimi i bllokadës mund të vijë përmes një bashkëpunimi minimal ndërmjet LVV-së dhe partive të tjera për miratimin e raportit, çka do të lejonte konstituimin e Kuvendit dhe do t’ia linte përgjegjësinë Vetëvendosjes për të provuar formimin e Qeverisë.
Nëse situata nuk zgjidhet në ditët në vijim, Arifi parashikon përfshirjen e presidentes Vjosa Osmani në nxitjen e një zgjidhjeje, edhe pse roli i saj është i kufizuar për shkak të kompetencave kushtetuese. Ai thekson se presidentja ka përgjegjësi për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe për të parandaluar që Kosova të mbetet pa institucione funksionale, përcjell albinfo.ch.
Bllokada në Kuvendin e Kosovës mund të vazhdojë edhe për disa seanca të tjera, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje ndërmjet palëve politike. Miratimi i raportit mbetet çelësi për ecjen përpara të institucioneve, por për këtë kërkohet vendosmëri dhe kompromis politik.
The post Bllokada në Kuvend mund të vazhdojë edhe pas të shtunës appeared first on Albinfo.