Boeing”në krizë/ Një tjetër aksident ringjall frikën për sigurinë e avionëve
Avioni Dreamliner, një nga modelet më moderne të linjave ajrore tregtare, nuk kishte regjistruar asnjë aksident fatal që nga hyrja në përdorim në vitin 2011. Në vitin 2013, të gjithë avionët e këtij tipi u pezulluan përkohësisht për shkak të problemeve teknike, por atëherë nuk pati viktima. Së fundmi, modeli i njohur për performancën e [...]Read More...

Avioni Dreamliner, një nga modelet më moderne të linjave ajrore tregtare, nuk kishte regjistruar asnjë aksident fatal që nga hyrja në përdorim në vitin 2011. Në vitin 2013, të gjithë avionët e këtij tipi u pezulluan përkohësisht për shkak të problemeve teknike, por atëherë nuk pati viktima. Së fundmi, modeli i njohur për performancën e tij ishte nënshtruar një cikli të ri kontrollesh sigurie.
Dreamliner është i pari avion me autonomi fluturimi rreth 13.500 kilometra. Rreth 50% e strukturës së tij përbëhet nga materiale të përbëra, kryesisht fibra karboni. Ai ka dritare më të mëdha se zakonisht, cilësi më të mirë të ajrit dhe më pak zhurmë në kabinë. Pajiset me motorë General Electric dhe Rolls Royce Trent, dhe konsiderohet ndër më ekologjikët në qarkullim, duke kursyer rreth 20% të karburantit.
Avioni që u rrëzua në Indi nuk ishte i ri. Ai kishte hyrë në shërbim në vitin 2014 dhe kishte realizuar gati 8 mijë ngritje dhe ulje. Për vite me radhë, Boeing e ka prezantuar Dreamliner-in si përgjigjen më efikase ndaj kritikave të shumta që ka përballuar kompania në 15 vitet e fundit.
Megjithatë, aksidenti i avionit të Air India, i cili u rrëzua pak minuta pas ngritjes, ka shtuar ndjeshëm mosbesimin ndaj prodhuesit amerikan. Kompania Boeing ka qenë prej vitesh në qendër të polemikave, ku sinjalizues dhe ish-punonjës kanë denoncuar dobësimin e kontrolleve të sigurisë dhe përshpejtimin e prodhimit në kurriz të cilësisë.
Gjatë dëshmive në Kongresin amerikan, disa ish-punonjës pohuan se janë përballur me presione dhe frikësime nga drejtuesit e kompanisë, për të mos denoncuar problemet. Në përgjigje të akuzave, Boeing organizoi një prezantim dyorësh për mediat, ku mbrojti sigurinë e modelit 787. Ndërkohë, kompania ka pësuar humbje të mëdha financiare në tregjet globale.
Gjatë pesë viteve të fundit, shumë kompani ajrore kanë anuluar kontratat me Boeing. Vetëm muajin e kaluar, prodhuesi amerikan pranoi të paguajë 1.1 miliardë dollarë në një marrëveshje me Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së, për të shmangur ndjekjen penale për dy aksidentet fatale të modelit tjetër, 737 Max. Bëhet fjalë për rrëzimin e avionit të Lion Air më 29 tetor 2018, në linjën Xhakartë–Pangkal Pinang, që shkaktoi vdekjen e 189 personave, dhe për rrëzimin e avionit të Ethiopian Airlines më 10 mars 2019, vetëm gjashtë minuta pas ngritjes, ku humbën jetën 157 persona.
Fakti që të tre tragjeditë, përfshirë edhe atë të fundit, kanë ndodhur menjëherë pas ngritjes, ka shtuar shqetësimet mbi sistemet e sigurisë të Boeing. Në janar të vitit 2024, një tjetër incident rëndoi imazhin e kompanisë: një pjesë e trupit të një 737 Max u shkëput gjatë një fluturimi të brendshëm në SHBA, çka solli edhe largimin e drejtorit të përgjithshëm të asaj kohe./abcnews.al