‘BOMBA’ nga Milano: Igli Tare gati të sjellë ish-kapitenin e Lazios te Milan
Pas emërimit të tij si drejtor sportiv i AC Milan, Igli Tare duket se ka nisur të lëvizë qetë, por me vendosmëri, për të ndërtuar një strukturë të fortë brenda klubit kuqezi. Sipas raportimeve nga Calciomercato, Tare është shumë pranë një marrëveshjeje për të sjellë Marco Parolon, ish-kapitenin e Lazios, në rolin e trajnerit të […]

Pas emërimit të tij si drejtor sportiv i AC Milan, Igli Tare duket se ka nisur të lëvizë qetë, por me vendosmëri, për të ndërtuar një strukturë të fortë brenda klubit kuqezi.
Sipas raportimeve nga Calciomercato, Tare është shumë pranë një marrëveshjeje për të sjellë Marco Parolon, ish-kapitenin e Lazios, në rolin e trajnerit të ekipit nën 16 vjeç të Milanit, përcjell ORAinfo.
Parolo, i cili aktualisht punon si analist sportiv në DAZN, ka qenë një nga lojtarët më përfaqësues të Lazios gjatë dekadës së fundit dhe është një figurë shumë e respektuar në futbollin italian. Pikërisht Tare ishte njeriu që e solli mesfushorin në kryeqytet gjatë kohës kur shërbente si drejtor sportiv i Biancocelestëve.
Ky do të ishte bashkëpunimi i parë konkret mes Milanit dhe ish-figurave të Lazios që Tare ka njohur nga afër, pas shumë zërave për mundësinë e afrimit të ish-trajnerit Maurizio Sarri apo lojtarëve si Milinkovic-Savic dhe Mario Gila – lidhje që në muajt e fundit janë zbehur.
Sipas gazetarit Martin Sartorio, Parolo është një kandidat serioz për të marrë drejtimin e ekipit të të rinjve dhe drejtuesit e klubit po e konsiderojnë me kujdes këtë lëvizje. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Milan do të përfitonte jo vetëm nga përvoja si lojtar e Parolos, por edhe nga vlerat e tij profesionale dhe njohja me futbollin modern.
Ky hap i mundshëm shihet si një pjesë e strategjisë së re të Milanit për të forcuar akademinë dhe për të krijuar një urë më të fortë mes të rinjve dhe ekipit të parë – një objektiv ky që Igli Tare e ka theksuar që në prezantimin e tij zyrtar. /ORAinfo/