Çfarë ndryshon në Zvicër nga 1 tetori 2026?

Çfarë ndryshon në Zvicër nga 1 tetori 2026?

Nga 1 tetori 2026, në Zvicër hyjnë në fuqi një sërë ndryshimesh ligjore dhe rregullash të reja që prekin fusha të ndryshme të jetës dhe ekonomisë, përcjell albinfo.ch.

Një nga ndryshimet lidhet me arsimin profesional. Me rishikimin e Ligjit për Arsimin Profesional, për disa kualifikime do të përdoren titujt shtesë “Professional Bachelor” dhe “Professional Master”. Synimi është që arsimi i lartë profesional të pozicionohet më qartë në nivelin terciar dhe të rritet njohja e këtyre kualifikimeve. Gjithashtu, termi “Höhere Fachschule” do të mbrohet ligjërisht, ndërsa anglishtja do të lejohet si gjuhë shtesë e provimeve.

Nga kjo datë hyjnë në fuqi edhe rregulla të reja kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Përveç ndryshimeve në ligjin ekzistues, zbatohet edhe ligji i ri për transparencën e personave juridikë dhe identifikimin e pronarëve përfitues. Rregullat prekin, ndër të tjera, shoqëritë aksionare, GmbH-të dhe kooperativat, ndërsa nis edhe periudha kalimtare për regjistrimin në regjistrin përkatës të transparencës.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet EFTA-s, ku bën pjesë edhe Zvicra, dhe Kosovës. Marrëveshja synon të rrisë sigurinë juridike dhe të lehtësojë shkëmbimin ekonomik mes dy vendeve. Sipas qeverisë zvicerane, eksportet zvicerane drejt Kosovës do të përfitojnë nga heqja e tarifave doganore, në disa raste pas periudhave kalimtare. Vëllimi i tregtisë dypalëshe të mallrave ishte rreth 175 milionë franga vitin e kaluar.

Ndryshime ka edhe për prodhuesit e qumështit bio. Çmimi i prodhuesit për qumështin organik rritet me 3 centë për kilogram nga 1 tetori. Sipas Bio Suisse, rritja lidhet me thatësirën, mungesën e ushqimit për kafshët dhe humbjet e korrjeve gjatë këtij viti.

Në fushën e sigurisë, autoritetet zvicerane do të mund të përdorin nga 1 tetori edhe forma të reja të sinjalizimeve në Sistemin Informativ Schengen (SIS). Këto masa synojnë kryesisht personat nga vendet jashtë BE-së dhe Schengenit, të dyshuar për planifikimin ose kryerjen e terrorizmit apo veprave të rënda penale. Europol mund t’ia propozojë një sinjalizim Zvicrës, ndërsa vendimin përfundimtar e merr fedpol pas shqyrtimit të rastit.

Këto ndryshime synojnë, ndër të tjera, forcimin e transparencës, sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkufitar të Zvicrës, si dhe krijimin e kushteve më të favorshme për shkëmbimin ekonomik me Kosovën. /Albinfo.ch

The post Çfarë ndryshon në Zvicër nga 1 tetori 2026? appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.