Çmimet më të larta të naftës së papërpunuar rrisin kostot e importit zviceran

Rritja e çmimeve globale të naftës bruto bëri që çmimet e prodhimit dhe të importit në Zvicër të rriten në muajin gusht, ku një rritje e dukshme u shënua te produktet ushqimore.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit dhe Importit (PPI) u rrit me 0,7% në gusht krahasuar me muajin e kaluar, duke arritur në 100,4 pikë, por shënoi rënie me të njëjtën përqindje në bazë vjetore, sipas të dhënave të publikuara të hënën nga Zyra Federale e Statistikave (FSO).
Sa i përket indeksit të çmimeve të prodhimit, rritja prej 0,2% krahasuar me muajin paraardhës “lidhet kryesisht me çmimet më të larta të produkteve të naftës dhe të preparateve farmaceutike”, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.
Gjithashtu, u rritën çmimet për derrat për therje, mishin e derrit, qumështin e papërpunuar, produktet prej gome dhe plastike, si dhe për plastikat bazë.
Nga ana tjetër, u ulën çmimet e produkteve bazë farmaceutike, produkteve të tjera kimike dhe energjisë elektrike (për konsumatorët e mëdhenj). Krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, ky tregues shënoi rënie prej 1,3%.
Për sa u përket çmimeve të importit, FSO-ja vërejti rritje mujore të çmimeve, veçanërisht për produktet e naftës, produktet kimike organike dhe hidrokarburet.
Rritje çmimesh u shënuan gjithashtu te plastikat bazë, perimet, pjeprat dhe patatet, produktet prej gome dhe plastike, produktet kimike inorganike, produktet e tjera kimike, letra dhe produktet prej letre, si dhe te kafeja e papjekur (jeshile). Në të kundërt, çmimi i kompjuterëve pësoi rënie.
Kështu, indeksi për mallrat e importuara u rrit me 1,9% krahasuar me muajin e kaluar dhe me 0,8% në bazë vjetore.
The post Çmimet më të larta të naftës së papërpunuar rrisin kostot e importit zviceran appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



