Deklarata bombë e nënkryetarit të Kuvendit: Kuvendi nuk është konstituuar

Nënkryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala, ka kontestuar kushtetutshmërinë e institucionit në të cilin u zgjodh.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vlerësuar se Kuvendi nuk është konstituuar plotësisht, pasi ende mungon nënkryetari nga radhët e PDK-së.
Në një deklaratë për Telegrafin, Shala ka kontestuar edhe kushtetutshmërinë e Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti.
“Qeverinë e zgjodhi një Kuvend i pakonstituuar, prandaj ajo nuk është një qeveri kushtetuese”, ka deklaruar Shala.
Ai është thirrur në përcaktimet kushtetuese për përfundimin e seancës konstituive dhe zgjedhjen e Kryesisë së Kuvendit.
“Sipas Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi konsiderohet i konstituuar pas zgjedhjes së kryetarit dhe të gjithë nënkryetarëve”, ka thënë Shala.
Deklarata merr peshë të veçantë pasi vjen nga njëri prej nënkryetarëve të zgjedhur gjatë seancës së sotme.
Shala mori 75 vota për, një kundër dhe katër abstenime, duke u zgjedhur nënkryetar nga radhët e LDK-së.
Gjatë seancës u zgjodhën edhe Tanja Vujoviq nga Lista Serbe dhe Emilia Rexhepi nga komunitetet e tjera joshumicë.
Megjithatë, Kuvendi mbeti pa nënkryetarin nga radhët e PDK-së, pasi kjo parti e kishte pezulluar përkohësisht kandidaturën e Vlora Çitakut.
Pavarësisht kësaj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e shpalli të përfunduar procesin e konstituimit dhe vazhdoi me procedurat për formimin e Qeverisë.
Pas kësaj, Kurti u propozua mandatar dhe Qeveria e tij e re u votua në një seancë ku munguan PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja.
Në sallë ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ata të Listës Serbe dhe përfaqësues të komuniteteve të tjera.
Qëndrimi i Shalës përputhet me pretendimet e PDK-së se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve.
Deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda, ka paralajmëruar se çështja do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
“Askush nuk mund të përfitojë nga shkelja e vet: VV nuk mund t’i shkelë afatet dhe pastaj PDK-së t’ia marrë një të drejtën kushtetuese”, ka shkruar Gruda.
Ai ka thënë se PDK-ja nuk ka hequr dorë nga posti i nënkryetarit, por vetëm e ka pezulluar përkohësisht ushtrimin e kësaj të drejte.
Edhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka cilësuar Qeverinë e votuar si jokushtetuese dhe jolegjitime, duke paralajmëruar adresimin në Kushtetuese.
Ndërkaq, PDK-ja ka bërë të ditur se do t’i dërgojë në Gjykatën Kushtetuese të gjitha vendimet e dala nga Kuvendi.
Kështu, vetëm pak orë pas formimit të institucioneve, kushtetutshmëria e tyre është kontestuar nga partitë opozitare dhe nga vetë nënkryetari i Kuvendit.
Tashmë, përplasja politike pritet të zhvendoset në Gjykatën Kushtetuese, e cila mund të vendosë për vlefshmërinë e konstituimit dhe vendimeve pasuese.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



