Nga diaspora drejt arkitekturës botërore, gjenerata e re shqiptare që po ndërton të ardhmen

Nga diaspora drejt arkitekturës botërore, gjenerata e re shqiptare që po ndërton të ardhmen

Arkitektura është një profesion që lidh dijen, kreativitetin, kulturën dhe mënyrën se si njerëzit e përjetojnë hapësirën. Për një brez të ri shqiptarësh, ajo është bërë edhe një mënyrë për të krijuar ura mes vendeve ku jetojnë dhe prejardhjes së tyre.

Nga Kosova në Austri, nga Tirana në Angli, nga Mitrovica në Berlin, nga Zvicra në Prishtinë dhe nga Kosova drejt Shteteve të Bashkuara e Norvegjisë, revista Albinfo.ch këto histori të ndryshme po i bashkon  në një rrëfim të përbashkët, atë të të rinjve të diasporës që kanë zgjedhur arkitekturën si profesion dhe po ndërtojnë rrugëtimin e tyre në institucione e studio të njohura ndërkombëtarisht.

Këto nuk janë vetëm histori diplomash. Pas tyre qëndrojnë vite studimi, punë, kërkimi dhe projekte që shpesh lidhen drejtpërdrejt me vendin e origjinës. Disa prej tyre kanë zgjedhur që në projektet e diplomës të rikthehen te Kosova, qytetet dhe hapësirat e saj, duke i parë ato me syrin e një arkitekti të formuar jashtë vendit.

Nora Lika – nga Vjena, me një punim të përzgjedhur ndër më të mirët

Një nga këto histori vjen nga Austria, ku Nora Lika po ndërton rrugëtimin e saj akademik në një prej institucioneve më të njohura teknike të Evropës.

Nora studion në programin “Master of Science in Architecture në Technische Universität Wien” (TU Wien), Universitetin Teknik të Vjenës. Para studimeve të masterit, ajo kishte përfunduar Bachelorin e Shkencave në Arkitekturë në Kosovë.

Një nga arritjet më të rëndësishme të saj akademike lidhet me temën e masterit, e cila është përzgjedhur ndër punimet më të mira të viteve të fundit në “TU Wien” për t’u prezantuar në ekspozitën “Archdiploma”.

Ekspozita prezantoi 57 punime të përzgjedhura nga rreth 600 tema masteri të përfunduara gjatë këtyre viteve. Përfshirja e punimit të Norës në këtë përzgjedhje dha një vlerësim të rëndësishëm për punën e saj akademike dhe përkushtimin e treguar gjatë studimeve, shkruan albinfo.ch.

Për një arkitekte të re nga Kosova, ekspozimi i punimit në një platformë të tillë është edhe një shembull se si studentët nga diaspora mund të arrijnë në hapësira akademike ndërkombëtare dhe të bëhen pjesë e diskutimeve bashkëkohore në fushën e arkitekturës.

Sara Cenaj, dy diploma master dhe një rrugëtim mes Shqipërisë e Anglisë

Një tjetër histori vjen nga Sara Cenaj, e cila ka ndërtuar një profil akademik të veçantë përmes dy diplomave ndërkombëtare në fushën e arkitekturës dhe zhvillimit të pronave.

Sara e nisi këtë rrugëtim në Tiranë, ku u diplomua në Universitetin Polis me Master Shkencor në Arkitekturë dhe Dizajn Urban.

Më pas, ajo vazhdoi studimet në Angli, në Nottingham Trent University, ku përfundoi një tjetër program master, këtë herë në Zhvillimin e Pronave dhe Planifikim.

Përfundimi i dy programeve master në fusha të ndërlidhura i ka dhënë asaj një formim që shkon përtej arkitekturës tradicionale, duke ndërthurur projektimin me zhvillimin e pronave dhe planifikimin, shkruan albinfo.ch.

Arritja e saj u shoqërua edhe me marrjen e titullit MSc në Zhvillimin dhe Planifikimin e Pronës me dallim, si dhe me çmimin prestigjioz RICS.

Për të, përfundimi i dy diplomave master nuk ishte vetëm një arritje akademike, por rezultat i një rruge të gjatë pune dhe këmbënguljeje. “Ka qenë një udhëtim sfidues, por shpërblyes”, ka theksuar ajo, duke e përshkruar rrugëtimin si një dëshmi të pasionit për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të ndjekur ëndrrat.

Dua Ramaxhiku, historia e Mitrovicës në qendër të arkitekturës së saj

Nga Mitrovica vjen historia e Dua Ramaxhikut, një arkitekte e re që ka përfunduar studimet në Berlin, duke e lidhur projektin e saj akademik me një prej simboleve më të rëndësishme të qytetit të saj.

Tema e diplomës së Duas, “Kështjella e Mitrovicës – Reagimet Arkitekturore ndaj Ngjarjeve Historike”, trajton mënyrën se si historia mund të ndikojë në formësimin urban dhe arkitektonik të një qyteti.

Si rast studimi, ajo ka marrë Kalanë e Mitrovicës, një prej elementeve më të vjetra dhe më simbolike të qytetit.

Në punimin e saj, historia nuk trajtohet vetëm si një kapitull i së kaluarës, por si një element që mund të ndikojë në mënyrën se si qyteti perceptohet dhe zhvillohet në të ardhmen.

Qasja arkitekturore e kombinuar me hulumtimin historik i jep projektit një dimension akademik dhe profesional.

Elion dhe Lindon Bytyqi, dy vëllezër, një diplomim dhe një lidhje e veçantë me Prishtinën

Një nga historitë më të veçanta në këtë përmbledhje është ajo e vëllezërve Elion dhe Lindon Bytyqi, të cilët kanë përfunduar studimet master në Arkitekturë në Hochschule Luzern – HSLU, Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Lucern.

Por suksesi i tyre mori një dimension edhe më të veçantë, të dy vëllezërit diplomuan në të njëjtën ditë, në të njëjtën sallë, krah për krah.

Përtej simbolikës familjare, projektet e tyre akademike kishin një lidhje të drejtpërdrejtë me Kosovën. Të dy punuan në tema që lidhen me Prishtinën dhe hapësirat e saj publike.

Në projektin e tij, Elion Bytyqi u fokusua në kampusin universitar të Prishtinës dhe, në veçanti, në Kishën Ortodokse të papërfunduar që ndodhet brenda kampusit.

Për vëllezërit Bytyqi, ky projekt kishte edhe një dimension personal.

“Temat tona të diplomës kishin në fokus hapësirat publike në Prishtinë, kështu që për ne ky moment ka edhe një lidhje të veçantë me Kosovën dhe dëshirën për të kontribuar me dijen dhe përvojën tonë”, është shprehur Elioni.

Historia e dy vëllezërve është një shembull i veçantë i mënyrës se si diaspora mund të ruajë lidhjen me vendin e origjinës edhe përmes profesionit – në këtë rast, duke e sjellë Prishtinën në qendër të një projekti akademik të realizuar në Zvicër.

Ilva Dodaj, nga vendimi për të shkuar vetëm në SHBA te drejtimi i një studioje

Një tjetër histori suksesi vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Ilva Dodaj ka ndërtuar një karrierë të rëndësishme në arkitekturë.

Ilva ka kryer studimet për arkitekturë në City College në Nju-Jork, ndërsa më pas është bërë edhe pjesë e stafit akademik, duke dhënë mësim në Shkollën e Arkitekturës të këtij institucioni.

Rrugëtimi i saj në SHBA nisi në një moshë të re. Ajo mori vendimin të shkonte e vetme në Amerikë në moshën 18-vjeçare, me synimin për ta provuar veten në një arenë ndërkombëtare.

Ky vendim shënoi fillimin e një rruge të gjatë profesionale.

Ilva tregon se e nisi punën në vitin 2007 në kompaninë ku vazhdon të jetë pjesë edhe sot, tashmë në pozitën e drejtoreshës së dizajnit.

Përveç angazhimit profesional, ajo ka zgjedhur ta përcjellë përvojën e saj edhe te gjeneratat e reja përmes mësimdhënies.

Ajo është vlerësuar ndër arkitektet më të dalluara nën moshën 40-vjeçare në SHBA, duke u bërë një shembull i një gjenerate që e ka nisur rrugëtimin me studime dhe ambicie, për ta ndërtuar më pas karrierën në një prej tregjeve më konkurruese të arkitekturës në botë.

Atdhe Belegu në skenën e arkitekturës norvegjeze

Në Norvegji, një emër që ka tërhequr vëmendje në arkitekturën e re është Atdhe Belegu.

Ai ka përfunduar studimet në Shkollën e Arkitekturës në Bergen, ndërsa aktualisht punon në studion e njohur të arkitekturës në Oslo, Mad Arkitekter AS, shkruan albinfo.ch. 

Karriera e tij është shoqëruar me një seri çmimesh dhe vlerësimesh në Norvegji. Në vitin 2019, Estate Media e përfshiu Belegun në listën e “10 të rinjve në ngritje”, duke e veçuar si një prej profesionistëve të rinj me potencial në fushën e arkitekturës.

Rrugëtimi i tij akademik dhe profesional është shoqëruar me disa vlerësime të rëndësishme.

Në vitin 2017, ai mori çmimin më të lartë nga Shkolla e Arkitekturës në Bergen për punimin e magjistraturës. Po atë vit u vlerësua edhe me çmimin Statsbygg për arkitekturë të shkëlqyeshme.

Në vitet në vazhdim pasuan Aspelin Ramm Award në vitin 2018, Europan Norway në vitin 2019 dhe çmimi DOGA në vitin 2020.

Këto vlerësime e kanë vendosur Atdhe Belegun në mesin e arkitektëve të rinj shqiptarë që kanë arritur të krijojnë një profil të dallueshëm në skenën ndërkombëtare të profesionit.

 

Një brez që ndërton më shumë se objekte

Historitë e Norës, Sarës, Duas, Elionit, Lindonit, Ilvës dhe Atdheut janë të ndryshme. Ata kanë studiuar në vende të ndryshme, kanë ndjekur programe të ndryshme dhe janë përballur me sfida të ndryshme.

Por ajo që i bashkon është një rrugëtim ku arsimi është bërë ura drejt suksesit profesional.

Disa prej tyre kanë zgjedhur universitete prestigjioze evropiane, të tjerë kanë ndërtuar karrierën në SHBA, ndërsa disa e kanë kthyer Kosovën në pjesë të projekteve të tyre akademike.

Në punimet e tyre shfaqen Prishtina, Mitrovica dhe hapësirat publike të Kosovës, ndërsa në karrierat e tyre shfaqen Vjena, Berlini, Lucerni, Londra, Nju-Jorku, Bergen dhe Oslo.

Kjo e bën historinë e tyre më shumë se një seri suksesesh individuale. Është edhe një pasqyrë e një gjenerate të re të diasporës shqiptare, e cila po fiton dije dhe përvojë në qendra të rëndësishme akademike e profesionale dhe po e bart këtë përvojë në fusha ku ndërthuren kultura, teknologjia, historia dhe vizioni për të ardhmen.

Drin Reçica | Albinfo.ch

The post Nga diaspora drejt arkitekturës botërore, gjenerata e re shqiptare që po ndërton të ardhmen appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.