Doganat me mbështetje të BE-së, Dauti: Pajisje moderne dhe 26 automjete për luftën kundër krimit të organizuar

Doganat me mbështetje të BE-së, Dauti: Pajisje moderne dhe 26 automjete për luftën kundër krimit të organizuar

Administrata Doganore e Maqedonisë së Veriut po forcon kapacitetet e saj operative dhe teknologjike me mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes projektit IPA 2021, “BE kundër krimit të organizuar, në mbështetje të tregtisë”.

Kështu bëri të ditur zëvendësdrejtori i Administratës Doganore, Mustafa Dauti, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale njoftoi për prezantimin e rezultateve të projektit.

Shiko videon: https://www.facebook.com/share/v/1K3SGfQ9x6/?mibextid=wwXIfr

Sipas Dautit, në kuadër të projektit janë siguruar pajisje moderne dhe të specializuara për kontrolle dhe hetime, pajisje të avancuara të teknologjisë së informacionit, si dhe 26 automjete operative për ekipet mobile doganore dhe njësinë K-9.

“Këto mjete do të mundësojnë reagim më të shpejtë dhe kontrolle më efikase në terren, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e kufijve doganorë”, theksoi Dauti.

Një komponent i rëndësishëm i projektit është edhe zhvillimi i zgjidhjeve moderne digjitale, me synim thjeshtimin e procedurave, digjitalizimin e proceseve dhe krijimin e një administrate doganore më efikase, transparente dhe në përputhje me standardet evropiane.

Dauti theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Administratës Doganore dhe partnerëve evropianë në procesin e modernizimit dhe përafrimit me praktikat e Bashkimit Evropian.

“Administrata Doganore, me mbështetjen e BE-së, kundër krimit të organizuar dhe në mbështetje të tregtisë”, shkroi Dauti.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.