Donika Gërvalla publikon shënimin e babait: “Jetën po e jetoj falas, deri kur të më jipet rasti që ta jap për Kosovën”

Donika Gërvalla publikon shënimin e babait: “Jetën po e jetoj falas, deri kur të më jipet rasti që ta jap për Kosovën”

Në 81-vjetorin e lindjes së Jusuf Gërvallës, vajza e tij, Donika Gërvalla, ka ndarë një faqe të rrallë nga ditari i babait të saj, të shkruar më 30 dhjetor 1979, pak ditë pas arratisjes së tij nga Kosova. Në shkrim, Gërvalla rrëfen mallin për vendlindjen, dhimbjen e ndarjes nga familja dhe shpresën për çlirimin e Kosovës.

Shumë të dashur miq, në 81-vjetorin e lindjes së Babit, dua të ndaj me ju një faqe nga ditari i tij, të shkruar në Ludwigsburg më 30 dhjetor 1979, vetëm gjashtëmbëdhjetë ditë pas arratisjes së tij nga Kosova. Sot, në Kosovën e lirë, eshtrat e tij prehen në Dubovik.

[…]
Në ç’gjendje të shthurur shpirtërore jam tërë kohën, mund të shihet edhe nga përmbajtja edhe nga kaligrafia e këtij shkrimi.
Po arsyetohem, duke thënë që nuk është çudi. Jam shkëputur nga toka që më lindi e më ushqeu më se 34 vjet. Kurrë s’i kam pasur në hatër largimet nga vendlindja, as për shëtitje të shkurtra, madje, dhe sesi po më vjen sikur jam shkëputur nga pjesa më e fuqishme e vetvetes.
Pas shpine lashë qindra e qindra të burgosur politikë, që po bien sakrificë për çështjen e atdheut, mes tyre Hysenin dhe Ekremin; lashë gruan me tre fëmijë dhe gruan e Hysenit me shtatë fëmijë. Një shthurje e madhe e vendlindjes dhe e familjes njëherazi.
Edhe për Bardhin morëm vesh që në Konsullatën Jugosllave qenka në sy si armik i Jugosllavisë, prandaj, në këtë çast, po e zë të arratisur edhe atë.

Por, megjithë ndjenjën e zbraztësisë së madhe si pasojë e kësaj shthurjeje të madhe, shpresa për shpëtimin e atdheut po më mban gjallë. Kosova ime po hy në një rrezik të madh, por pikërisht duke hyrë në këtë rrezik do ta gjejë edhe shpëtimin. Jetën po e jetoj falas, deri kur të më jipet rasti (nderi) që ta jap për Kosovën, për Shqipërinë, për Shqiptarizmën.

Po Shqipëria nënë, ç’thotë vallë ajo sot?
A e ka ndër mend dhe a ka kushte t’i hyrë kryerjes së detyrës, e cila po e pret qëmoti?

Armiku ynë e humbi torruan, u nevrikos, e hoqi maskën! Kështu, me nervozizëm, do t’ia hajë një ditë kokën vetes, në rrugën e degjenerimit të vet. Së paku do të mbetet pa Kosovën edhe pa shqiptarët!

Jusuf Gërvalla


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.