Donjeta Sadiku triumfon në ring dhe i sjell Kosovës medaljen e parë në Taranto

Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka siguruar medaljen e parë për Kosovën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, pasi triumfoi në çerekfinale ndaj turkes Esmanur Lok.
Në duelin e kategorisë deri në 60 kilogramë, Sadiku zhvilloi një përballje të fortë dhe arriti të fitojë me vendim të ndarë të gjyqtarëve, 4:1.
Kosovarja e nisi më mirë luftën, duke dominuar në raundin e parë. Lok u kundërpërgjigj në të dytin, ndërsa raundi i tretë solli shkëmbim të shumtë goditjesh. Megjithatë, Sadiku ishte më e saktë në aksionet e saj dhe në fund mori fitoren.
Edhe pse boksierja turke kishte avantazh në gjatësi, Sadiku e kompensoi këtë me përvojën dhe qartësinë në ring.
Me kualifikimin në gjysmëfinale, Sadiku e ka të garantuar së paku medaljen e bronztë në Lojërat Mesdhetare. Megjithatë, synimi i saj mbetet medalja e artë.
Në gjysmëfinale, që zhvillohet të martën, Sadiku do të përballet me greken Sofia Legaki.
Në kategorinë deri në 60 kilogramë janë vetëm gjashtë boksiere.
Kosova kishte edhe katër përfaqësues të tjerë në boks në “Taranto 2026”, por të gjithë u eliminuan në përballjet e para. Kështu, Sadiku mbetet shpresa kryesore e Kosovës në këtë sport dhe tashmë ka siguruar medaljen e parë për vendin në këto Lojëra Mesdhetare.
The post Donjeta Sadiku triumfon në ring dhe i sjell Kosovës medaljen e parë në Taranto appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



