“Dosja 23” hap plagën e 23 intelektualëve: A do të çojnë provat te e vërteta dhe përgjegjësit e krimeve në veri?

Arrestimi i nëntë personave në Zubin Potok, në kuadër të operacionit të koduar “Dosja 23”, ka rikthyer në qendër të vëmendjes një prej rasteve më të rënda të krimeve të luftës në veri të Kosovës – atë të njohur si “Grupi i Intelektualëve”.
Operacioni i Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës lidhet me hetimet për zhdukjen dhe vrasjen e 23 personave gjatë luftës së vitit 1999, ndërsa arrestimet e fundit pasojnë edhe gjetjen dhe identifikimin përmes ADN-së të mbetjeve mortore në Zubin Potok.
Rasti ka marrë një dimension të ri, pasi hetimet tashmë nuk lidhen vetëm me identifikimin e viktimave, por edhe me përpjekjet për të zbardhur përgjegjësinë penale të personave që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në këto krime. Për Prokurorinë Speciale dhe Policinë e Kosovës, “Dosja 23” paraqet një hap të ri në hetimin e krimeve të luftës, ndërsa për familjet e viktimave mbetet e rëndësishme të dihet e vërteta për fatin e të afërmve të tyre dhe të vendoset drejtësia.
Por, çfarë rëndësie kanë këto arrestime për zbardhjen e krimeve të luftës në veri të Kosovës? A mund të çojë “Dosja 23” drejt provave dhe përgjegjësive të reja penale, dhe sa mund të ndikojë ky rast në procesin e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre?
“Arrestimi i nëntë personave në Zubin Potok është një zhvillim i rëndësishëm në hetimin e krimeve të luftës, por drejtësia duhet të mbështetet në prova dhe procedura ligjore”
Pas gati tri dekadash pritjeje, familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë meritojnë të marrin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre dhe drejtësi për viktimat. Eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, vlerëson se çdo përpjekje institucionale për zbardhjen e këtyre rasteve është e rëndësishme, veçanërisht kur bëhet fjalë për raste që kanë mbetur për vite të tëra pa një përgjigje të plotë.
Duke komentuar për “Bota sot” operacionin e koduar “Dosja 23” dhe arrestimin e nëntë personave në Zubin Potok, Berisha thotë se ky zhvillim mund të ketë rëndësi të veçantë për hetimin e krimeve të luftës në
“E konsideroj operacionin ‘Dosja 23’ dhe arrestimin e nëntë personave në Zubin Potok si një zhvillim të rëndësishëm në procesin e hetimit dhe zbardhjes së krimeve të luftës të kryera gjatë luftës në Kosovë”, shprehet Berisha për ‘Bota sot”.
Sipas tij, rëndësia e këtij operacioni shtohet edhe më shumë për faktin se lidhet me rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Ai thekson se ky rast për shumë vite ka mbetur pa një përgjigje të plotë për familjet e viktimave dhe opinionin publik.
Për Berishën, hetimi nuk duhet të përfundojë me gjetjen dhe identifikimin e viktimave, por duhet të shkojë deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjeve dhe zhdukjeve.
“Rëndësia e këtyre arrestimeve qëndron pikërisht në faktin se hetimi nuk duhet të ndalet vetëm te gjetja dhe identifikimi i viktimave, por duhet të shkojë deri te zbardhja e plotë e rrethanave të vrasjeve dhe të zhdukjeve”, deklaron ai.
Megjithatë, eksperti i sigurisë tërheq vëmendjen se arrestimet janë pjesë e një procesi hetimor dhe, si të tilla, nuk mund të konsiderohen automatikisht si dëshmi e fajësisë së personave të arrestuar. Sipas tij, hetimet duhet të zhvillohen në mënyrë profesionale, mbi bazën e provave dhe në përputhje me procedurat ligjore.
“Duhet të kemi parasysh faktin se arrestimi është pjesë e një procesi hetimor dhe nuk nënkupton automatikisht fajësinë e personave të arrestuar. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që hetimet të zhvillohen në mënyrë profesionale, mbi bazën e provave dhe në përputhje me procedurat ligjore”, thekson Berisha.
Ai shprehet optimist se “Dosja 23” mund të sjellë zhvillime të reja në zbardhjen e këtij rasti, nëse gjatë hetimeve sigurohen prova dhe dëshmi të mjaftueshme për të sqaruar rrethanat e fatit të 23 intelektualëve të zhdukur.
“Besoj se ‘Dosja 23’ mund të sjellë zhvillime të reja në këtë rast, sidomos nëse gjatë hetimeve sigurohen prova dhe dëshmi që ndihmojnë në sqarimin e plotë të asaj që ka ndodhur me 23 intelektualët e zhdukur”, thotë ai.
Në fund, Berisha nënvizon se familjarët e viktimave presin prej vitesh zbardhjen e së vërtetës, ndërsa drejtësia, sipas tij, nuk duhet të vonohet më.
“Drejtësia për viktimat dhe familjarët e tyre nuk duhet të vonohet më. E vërteta duhet të zbardhet dhe përgjegjësit, nëse identifikohen dhe fajësia e tyre vërtetohet, duhet të përballen me drejtësinë dhe të marrin dënimin e merituar”, përfundon eksperti i sigurisë, Fidair Berisha.
“Arrestimet në Zubin Potok janë të rëndësishme jo vetëm për aspektin penal, por edhe për dokumentimin e së vërtetës, ndërsa thekson se përgjegjësia individuale duhet të vërtetohet përmes provave dhe një procesi të rregullt gjyqësor”
Kurse, arrestimet e nëntë personave në Zubin Potok, në kuadër të operacionit “Dosja 23”, sipas ekspertit të kriminalistikës Muhamet Racaj, kanë rëndësi të veçantë për zbardhjen e krimeve të luftës në veri të Kosovës. Ai thekson se rëndësia e këtij operacioni nuk kufizohet vetëm në aspektin penal, por shtrihet edhe në kriminalistikë dhe në dokumentimin e së vërtetës për ngjarjet e luftës.Racaj, duke iu referuar informacioneve të bëra publike nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale, thotë se nëntë persona janë arrestuar nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile, në një rast që lidhet me “Grupin e Intelektualëve”.
Sipas tij, nga këndvështrimi kriminalistik, sfida kryesore e një operacioni të tillë është ndërtimi i një zinxhiri provash që e lidh të dyshuarin me veprën konkrete penale.
“Nuk mjafton vetëm identifikimi i personave të dyshuar; duhet të ndërtohet një zinxhir provash që lidh personin, vendin, kohën, viktimën dhe mënyrën e kryerjes së veprës”, shprehet Racaj për ‘Bota sot’.
Ai vlerëson se në këtë proces rol të veçantë kanë provat materiale dhe forenzike. Racaj përmend mbetjet mortore, analizat e ADN-së, dokumentet ushtarake, komunikimet, të dhënat elektronike, dëshmitë e dëshmitarëve dhe çdo gjurmë tjetër që mund të ndihmojë në rindërtimin kriminalistik të ngjarjes.
“Jashtëzakonisht të rëndësishme janë provat materiale dhe forenzike: mbetjet mortore, analizat e ADN-së, dokumentet ushtarake, komunikimet, të dhënat elektronike, dëshmitë e dëshmitarëve, si dhe çdo gjurmë tjetër që mund të ndihmojë në rindërtimin kriminalistik të ngjarjes”, deklaron ai.
Racaj i referohet edhe zhvillimeve të fundit të bëra publike nga autoritetet, duke thënë se hetimet paraprake kanë çuar në gjetjen e mbetjeve mortore dhe identifikime përmes ADN-së. Po ashtu, ai thekson se gjatë operacionit të fundit janë sekuestruar telefona, libreza ushtarake dhe materiale të tjera që autoritetet i konsiderojnë relevante për rastin.
Duke folur për mundësinë që “Dosja 23” të sjellë zhvillime të reja në vendosjen e drejtësisë, Racaj thotë se potencialisht operacioni mund të përbëjë një pikë të rëndësishme për hetime të mëtejshme, por rezultati përfundimtar, sipas tij, duhet të përcaktohet nga provat që do të administrohen në procedurën penale.
“Po, potencialisht mund të jetë një pikë e rëndësishme për zhvillime të reja, por kjo duhet të përcaktohet nga rezultatet e hetimit dhe nga provat që do të administrohen në procedurën penale”, thekson Racaj.
Ai nënvizon se arrestimi përbën vetëm një fazë të procesit dhe nuk nënkupton fajësi. Sipas tij, përgjegjësia penale duhet të vërtetohet individualisht për secilin të dyshuar, përmes një procesi të rregullt gjyqësor.
“Arrestimi është vetëm një fazë e procesit dhe nuk nënkupton fajësi. Përgjegjësia penale duhet të vërtetohet për secilin të dyshuar individualisht, përmes një procesi të rregullt gjyqësor”, thotë ai.
Në një këndvështrim më të gjerë, Racaj e lidh hetimin e krimeve të luftës edhe me sigurinë juridike dhe institucionale të Kosovës. Ai argumenton se siguria e një shteti nuk ndërtohet vetëm përmes pranisë policore apo masave operative, por edhe përmes aftësisë së institucioneve për të hetuar, dokumentuar dhe ndjekur penalisht veprat e rënda, pavarësisht kohës kur janë kryer.
Për këtë arsye, ai e sheh si të rëndësishëm vazhdimin e bashkëpunimit profesional ndërmjet Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale, ekspertëve të kriminalistikës dhe strukturave forenzike, duke kërkuar që integriteti i provave të ruhet dhe hetimi të bazohet në fakte.
“Për Kosovën është e rëndësishme që Policia, Prokuroria Speciale, ekspertët e kriminalistikës dhe strukturat forenzike të vazhdojnë bashkëpunimin profesional, duke ruajtur integritetin e provave dhe duke ndjekur metodologjinë e hetimit të bazuar në fakte”, deklaron Racaj.
Ai thekson se drejtësia për viktimat nuk nënkupton vetëm identifikimin e tyre, por edhe dokumentimin shkencor të rrethanave të vrasjes, zhdukjes dhe përgjegjësisë individuale të personave të përfshirë.
Në përfundim, Racaj thotë se zbardhja e fatit të të zhdukurve dhe ndjekja e përgjegjësve, nëse fajësia provohet, nuk duhet të shihet vetëm si një çështje që i përket së kaluarës, por edhe si një element i rëndësishëm për të ardhmen e vendit.
“Krimet e luftës duhet të dokumentohen, autorët të përballen me drejtësinë dhe viktimave t’u kthehet e drejta për të vërtetën”, përfundon Muhamet Racaj për “Bota sot”.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



