Dosja e Prokurorisë: I morën mbi 90 mijë € kamatë e ia detyruan shitjen e shtëpisë, si u zhvat viktima nga Prizreni nga tre të dyshuarit për fajde?

Viktima ishte detyruar të shiste shtëpinë për 60 mijë euro për të mbuluar vetëm kamatat vjetore. Tre të dyshuarit, Beqir Selimi, Fadil Selimi dhe Arsim Dogani gjenden nën masën e ndalimit prej 48 orësh
Një skemë e zhvatjes financiare dhe fajdesë që zgjati për vite me radhë në qytetin e Prizrenit është zbardhur në dosjen e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi.
Viktima, sipas dosjes, për shkak të gjendjes së vështirë financiare dhe familjare ishte drejtuar tek të dyshuarit për të holla.
Gjithçka kishte nisur në vitin 2019, kur viktima, pasi kishte mësuar se të dyshuarit jepnin të holla me kamatë, ishte takuar fillimisht me Beqir Selimin dhe më pas me Arsim Doganin. Nga ata kishte marrë shuma të ndryshme parash (5,000, 10,000 dhe 15,000 euro).
Mirëpo, nga ai moment, fitimet që i dëmtuari i realizonte shkonin pothuajse të gjitha për pagesën e kamatave vjetore.
Dosja e Prokurorisë thotë se viktima kishte paguar shuma marramendëse, ku fillimisht kishte dhënë një kamatë vjetore prej 10 mijë eurosh. Presioni financiar u shtua në vitin 2024, kur i dëmtuari u detyrua ta shesë shtëpinë e tij private për shumën prej 60,000 eurosh vetëm për të mbuluar kamatën vjetore ndaj të dyshuarve.
Përveç kësaj, ai kishte kryer edhe një pagesë tjetër prej 20,000 eurosh, ndërsa deri në momentin e ndërhyrjes së policisë, të dyshuarit i kërkonin edhe 36,500 euro të tjera në emër të kamatave të mbetura vjetore.
Viktima kishte marrë të holla edhe nga i pandehuri tjetër, Fadil Selimi, ku vetëm për shumat e marra nga ai kishte paguar deri në 60,000 euro të tjera në emër të kamatës.
Më 18 gusht, të dyshuarit Beqir Selimi dhe Arsim Dogani u zunë në flagrancë teksa po pranonin shumën prej 10,000 eurove nga viktima, para këto që ishin dhënë në emër të kamatës. Vetëm katër ditë më parë, më 14 gusht, të dyshuarit i kishin shkuar viktimës në shtëpi duke i marrë edhe një mijë euro të tjera.
Sipas dosjes së prokurorisë, të dyshuarit posedojnë të kaluar të pasur kriminale, ku Beqir Selimi ka të regjistruara 10 raste për lëndim trupor, kanosje, vrasje e mashtrim, ndërsa Fadil Selimi ka gjithsej 24 raste në databazën e Policisë për vepra të ndryshme penale.
Prokuroria Themelore në Prizren i ka propozuar Gjykatës Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të tre të pandehurit, me arsyetimin e rrezikut të arratisjes, ndikimit në dëshmitarë dhe përsëritjes së veprës penale.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



