Drejtori Fushtica pas vërshimeve në Prishtinë: Kemi pasur mbi 100 thirrje për ndihmë, nuk kemi pasur kontakt me Qeverinë

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është goditur mbrëmë nga vërshime të shumta të shiut. Shumë rrugë janë mbuluar nga uji e shumë biznese janë goditur nga vërshimet që ndodhën mbrëmë. Janë mbi 100 telefonata që janë bërë mbrëmë nga qytetarë dhe biznese të ndryshme në kryeqytet që kanë kërkuar ndihmë nga Komuna e Prishtinës. Por deri […]

Drejtori Fushtica pas vërshimeve në Prishtinë: Kemi pasur mbi 100 thirrje për ndihmë, nuk kemi pasur kontakt me Qeverinë

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është goditur mbrëmë nga vërshime të shumta të shiut. Shumë rrugë janë mbuluar nga uji e shumë biznese janë goditur nga vërshimet që ndodhën mbrëmë.

Janë mbi 100 telefonata që janë bërë mbrëmë nga qytetarë dhe biznese të ndryshme në kryeqytet që kanë kërkuar ndihmë nga Komuna e Prishtinës.

Por deri më tani, nuk ka ndonjë shifër se sa ka mundur të jetë dëmi nga vërshimet e mbrëmshme.

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, thotë për FrontOnline se janë duke bërë vlerësimin e dëmeve, por që tani nuk kanë akoma ndonjë vlerë sa janë ato.

‘’Jemi duke bërë vlerësimin e dëmeve dhe tash është shumë herët të flitet për to’’ thotë ai.

Fushtica, thotë se kanë pasur mbi 100 telefonata nga qytetarët dhe bizneset mbrëmjen e kaluar pas vërshimeve që kanë goditur kryeqytetin dhe ka kërkuar nga qytetarët që të bëjnë kërkesë në institucionet e komunës, për të marr më pas dëmshpërblimin.

‘’Ne kemi pasur mbi 100 thirrje mbrëmë dhe tash qytetarët duhet vijnë në komunë të bëjnë kërkesë për kompensim të dëmit dhe në bazë të asaj ne do të bëjmë vlerësimin e kompensimit’’ thekson ai për FrontOnline.

Drejtori Fushtica, thotë se deri tani nuk kanë pasur ndonjë kontakt me Qeverinë e Kosovës.

‘’Nuk kemi pasur asnjë kontakt me Qeverinë, përveç kemi pasur kontakt me Agjencionin për Menaxhimin e Emergjencave. Për momentin nuk kemi nevojë për Qeverinë, nuk kemi kërkuar ndihmë nga ta, ne kemi kërkuar shtabin e krizave dhe sapo e përfunduam takimin me ta dhe e kemi ndarë kryeqytetin në zona të caktuara, dhe presim ta menaxhojmë situatën sa më mirë’’ tha drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunë e Prishtinës, Lulzim Fushtica/FrontOnline/