Era zgjedhje/ Partitë fillojnë para kohe fushatën zgjedhore

Ndonëse ende nuk është caktuar data për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare në vend, partitë politike kanë filluar të takohen me përkrahësit dhe militantët e tyre nëpër qytete të ndryshme të vendit dhe në diasporë, shkruan FrontOnline. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, vikendin e kaluar kishte mbajtur një tubim me përkrahësit e saj në […]

Era zgjedhje/ Partitë fillojnë para kohe fushatën zgjedhore

Ndonëse ende nuk është caktuar data për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare në vend, partitë politike kanë filluar të takohen me përkrahësit dhe militantët e tyre nëpër qytete të ndryshme të vendit dhe në diasporë, shkruan FrontOnline.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, vikendin e kaluar kishte mbajtur një tubim me përkrahësit e saj në Prishtinë.

Edhe partia më e madhe opozitare në vend, PDK, ka filluar që të përgatitet për zgjedhjet e reja, ani pse nuk ka datë për to. Kryetari i kësaj partie politike, ndryshe nga rivali i tij, Albin Kurti, ka filluar të prezantoj kandidatët për deputet, siç ishte ai me prezantimin e Sala Jasharit, e cila do të jetë pjesë e listës zgjedhore të PDK-së, për zgjedhjet e reja.

Edhe LDK-ja, partia tjetër opozitare, ka nisur që të bëhet gati për zgjedhje. Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, sa në Kosovë e sa në diasporë, është takuar me përkrahës të subjektit të tij politik.

Ndërkaq, koalicioni parazgjedhor AAK-NISMA, ndryshe nga LVV e AAK, por pak a shumë ngjashëm si PDK, ka filluar të prezantoj kandidatët e saj për deputetë.

E gjithë kjo përgatitje, po shihet nën prizmin se zgjedhjet mund të mbahen edhe para afatit të rregullt kohor, në shkurt 2025.

 

Rexhaj i VV-së: Opozita i shtyri zgjedhjet, kemi rritje të madhe në diasporë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, për FrontOnline, thotë se tubimet e subjektit të tyre politik kohës së fundit, janë më shumë tradicionale se sa që ka diçka risi dhe se opozita është ajo që i ka shtyer zgjedhjet.

”LVV prej se është krijuar, në datat të cilat i ka mbajtur aktivitetet ne i kemi quajtur si ditët e Lëvizjes, pra nga 10 qershori duke filluar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e duke përfunduar parmbrëmë në Sallën 1 Tetori në Prishtinë, është shumë tradicionale dhe këtu nuk ka diçka risi, dhe nëse kthehemi vit për vit se çka kemi bërë është e njëjta gjë’’, deklaron ai.

Deputeti Rexhaj, thotë se në këtë aspekt me tubime të tilla i mbajnë gjallë aktivistët dhe e aktivizojnë strukturën e tyre politike, duke thënë se opozita është ajo që i ka shtyer zgjedhjet.

‘’Pastaj në anën tjetër a duket si fushatë, dhe natyrisht në këtë aspekt e mbajmë gjallë dhe e aktivizojmë strukturën tonë dhe për zgjedhje ne kemi thënë se jemi të gatshëm çdo herë, por siç duket opozita nuk do zgjedhje, opozita i ka shtyer zgjedhjet dhe kryeministri Kurti do e përfundoj mandatin në kohë rekord, do të jetë kryeministri i parë i Kosovës që e përfundon mandatin deri në fund’’, thekson ai.

Rexhaj, thotë se kryeministri Albin Kurti do e përfundoj mandatin e tij qeverisës deri në fund si dhe duke deklaruar se kanë rritje të votave në diasporë.

‘’Në aspektin ligjor, si të hyjmë me 1 shtator, ne pra kur do që mbahen zgjedhjet, qeverinë e kryejmë në fund të mandatit. Kur do që mbahen pastaj zgjedhjet, llogaritet mandat i plotë. VV gjithmonë ka qenë e votuar shumë në diasporë, por me ndryshimin e ligjit për zgjedhje, iu është lehtësuar votimi atyre në diasporë, po ashtu aktiviteti dhe puna e mirë e Qeverisë do ta shumëfishoj votën tonë në diasporë’’, shprehet deputeti i VV-së për FrontOnline.

Po ashtu, deputeti Rexhaj, për FrontOnline thotë se do të ketë edhe risi në listën e tyre zgjedhore për deputet.

‘’Mendoj se VV çështjen e listës zgjedhore e ka të strukturuar në disa aspekte, e para një pjesë e listës tonë vije nga degët tona, pra ata i dërgojnë direkt kandidatët e qyteteve në lista, një pjesë e listës është e garantuar për kryetarin e VV-së, dhe një pjesë propozohet në kryesinë e VV-së’’, potencon Rexhaj.

Berisha: VV do të pësojë rënie të madhe në zgjedhje, PDK tregoi se jemi gati për zgjedhje

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, për FrontOnline, deklaron se VV është ngritë me “kauza mashtruese” dhe për këtë arsye ka pasur rënie në zgjedhjet lokale dhe një fat i tillë e pret edhe në zgjedhjet e reja.

”Menjeherë pas zgjedhjeve qendrore, kanë qenë zgjedhjet lokale dhe VV e koalicioni i saj, kanë pësuar rënie drastike, që ka qenë mesazh i qartë se qytetarët shumë shpejtë, se kanë të bëjnë se kanë të bëjnë me një qeveri që janë ngritë me kauza mashtruese’’, thotë ai.

Berisha, deklaron se VV është duke folur me gjuhë opozitare edhe pse është në pushtet, duke përdorur gjuhë të shifrave dhe mashtrimeve.

‘’Gjuha elektorale VV ka qenë edhe në Qeveri me gjuhë opozitare, dhe kanë përdorur gjuhën e shifrave dhe mashtrimeve’’, shprehet ai.

Deputeti i PDK-së, deklaron se shqetësimi i partisë së tij ka qenë real dhe për këtë ka kërkuar zgjedhje të reja.

‘’Shqetësimi i PDK-së është real dhe bazohet në faktin se kjo qeveri ka rrezikuar ekzistimin e shtetit, qoftë ma marrëveshjet ndërkombëtare, qofte me raportet me aleatët. Ne kemi treguar kulturë politike, duke votuar marrëveshjet ndërkombëtare, qoftë me caktimin e datës së zgjedhjeve. Gjitha politikat e VV-së kanë qenë improvizim dhe mashtrim për qytetarët dhe këtë e thonë edhe sondazhet që tregojnë se VV vetëm se ka rënie drastike. Ne jemi të gatshëm për zgjedhje, ne kemi caktuar kandidatin për kryeministër, i cili ka nënshkrimin e projekteve të suksesshme në vend’’ thekson Berisha për FrontOnline.

Berisha i PDK-së, potencon po ashtu se me Qeverinë Kurti është varfëruar edhe shporta familjare, derisa një ushtar i Kosovës duhet lërë mbrojtjen e atdheut për tu bërë kamarier në një vend të huaj.

‘’VV vetëm se i ka marr mesazhet, nuk ka nevojë për qëndrime politike, pyetni qytetarët, pyetni gjitha kategoritë, sot është 150% më e varfër shporta familjare. Ushtari po e lëshon pozitën e ushtarit në Kosovë për tu bërë kamariar ose ndërtimtar në një vend të huaj, pra ky është mjerimi që ka kapluar këtë vend’’ përfundon ai.

Muhaxheri: Sondazhet tregojnë se kemi rritje të madhe, elektorati i LDK-së është kthyer në “shtratin” e vet politik

Gazmend Muhaxheri, nënkryetar për Organizim Partiak i LDK-së, për FrontOnline thotë ka një kohë subjekti i tyre politik është duke u përgatitur për zgjedhje.

‘’Partitë politike janë gjithë kohën në fushatë zgjedhore, varet nga intensiteti për t’u përgatitur për zgjedhje. Ne jemi që një kohë duke u përgatitur për to, por jemi në përgatitje. Unë po besoj se vitin tjetër ish dashur të përmbyllet ky mandat dhe të shkohet në zgjedhjet e reja’’, deklaron ai.

Muhaxheri, thotë se kanë i kanë realizuar disa sondazhe që tregojnë se subjekti i tyre politik ka ngritje dhe se elektorati i tyre i do më së shumti zgjedhjet.

‘’Ne i kemi kryer disa sondazhe dhe elektorati i LDK-së i dëshiron më së shumti zgjedhjet, ndërsa elektorati i VV-së pak ka kërku  zgjedhje. Po i presim me i ardhë koha zgjedhjeve,. Ndryshimi i madh është shumë, shumë i madh, jemi të kënaqur me rritjen që kemi, por do të ketë akoma rritje të LDK-së në këta 5-6 muaj’’ potencon ai.

Nënkryetari i LDK-së, shprehet po ashtu se subjekti i tyre ka kthyer votën e saj dhe se do të kenë ngritje krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare e ku do të kenë edhe emra të rinj në listën zgjedhore për deputet.

‘’Ai elektorati i LDK-së është rikthyer në shtratin e vetë dhe do të kemi ngritje krahasim me zgjedhjet e kaluara. Do të ketë emra të rinj, do të mbesin disa deputetë të vjetër, por do të jenë edhe shumë emra të rinj’’ deklaroj Gazmend Muhaxheri për FrontOnline.

Demhasaj: E çuditshme se si VV ka filluar të merret me fushatë elektorale duke qenë në pushtet

Analisti politik, Artan Demhasaj, për FrontOnline, thotë se fakti që Qeveria Kurti është në fund të mandatit qeverisës, i bie se potencialisht do të ketë edhe zgjedhje, duke mos e mohuar se mund të ketë edhe zgjedhje të parakohshme.

‘’Fakti që jemi në fund të mandatit qeverisës, potencialisht i bie që edhe zgjedhjet e rregullta i bie të mbahen më së shumti 7 muaj nga sot, pra mund të konsiderohet se ka filluar një lloj parafushate zgjedhore, por mund të pritet të ketë edhe zgjedhje të parakohshme’’ sgoreget au,

Demhasaj, shprehet se është e çuditshme se si partia në pushtet, LVV është duke bërë fushatë elektorale, kur fushata më e mire për ta do të ishte qeverisja e mire e tyre.

‘’Opozita mundet me bërë fushatë për katër vite, dhe normalisht se bën e fushatë por e çuditshme është partia në pushtet që ka filluar të merret me fushatë elektorale, sepse ajo duhet me qeverisë sepse qeverisja e mirë do të ishte për ta fushata më e mirë’’ shprehet ai.

Analisti Demhasaj, beson se do të ketë risi në listat zgjedhore të kandidatëve për deputet.

 ‘’Pa dyshim se do të ketë risi në zgjedhjet e reja, mund të jenë 20-30% ndryshe nga listat e fundit zgjedhore’’ përfundon Demahasaj.

Ndryshe, zgjedhjet e fundit parlamentare ishin mbajtur me 14 shkurt të vitit 2021, ku LVV kishte fituar shumicën e votave me 50,28% të votave apo 438 mijë e 334 vota, të pasuar nga PDK me 17,09% apo 148 mijë e 285 vota, LDK kishte fituar 12,73% apo 110 mijë e 985 vota, derisa AAK kishte dalur e katërta me 7,12% apo 62 mijë e 111 vota./FrontOnline/