Eriona Elezi: Nga superliga zvicerane te kombëtarja e Kosovës
“Shumë njerëz ende nuk e marrin seriozisht futbollin e vajzave dhe dyshojnë në aftësitë tona. Kjo duhet të ndryshojë” The post Eriona Elezi: Nga superliga zvicerane te kombëtarja e Kosovës appeared first on Albinfo.

Me rrënjë nga Kosova dhe e lindur në Zvicër, Eriona Elezi është shembulli ideal i një vajze që ka kapërcyer paragjykime dhe sfida për të ndjekur ëndrrën e saj në futboll. Nga hapat e parë në FC Langnau am Albis deri te paraqitjet me Kombëtaren A të Kosovës, ajo ka ndërtuar një rrugëtim frymëzues për çdo vajzë që synon të arrijë majat në sportin më të dashur në botë.
albinfo.ch: Kur dhe si e zbuluat dashurinë për futbollin?
Eriona Elezi: Dashuria për futbollin nisi kur isha vetëm 6 vjeçe. Babai im ishte trajner në FC Langnau am Albis dhe një ditë më mori me vete në stërvitje – dhe që në atë moment u magjepsa. Ajo që më tërhoqi ishte fakti që futbolli është një sport ekipor, ku të gjithë duhet të japin kontribut për të arritur një qëllim të përbashkët.
albinfo.ch: Si nisi rrugëtimi juaj në futbollin e femrave në Zvicër?
Eriona Elezi: Nisa të luaj në FC Langnau am Albis kur isha 6 vjeç – fillimisht me djemtë. Në moshën 12-vjeçare u përzgjodha në ekipin rajonal të kantonit të Cyrihut (FVRZ), që përfshin lojtaret më të mira të rajonit. Më pas bëra një provë te FC Zürich dhe arrita të hyj në futbollin elitar. Kam kaluar të gjitha nivelet e moshave aty, nga U14 deri në U21.
Njëkohësisht, isha pjesë e përfaqësueseve të Zvicrës nga U16 deri në U19. Si shtetase me dy nënshtetësi, gjithmonë e kam pasur Kosovën në zemër. Para një viti realizova ëndrrën time – vesha fanellën e Kosovës për herë të parë, duke luajtur në kualifikimet për Kampionatin Evropian. Me atë turne shkruam histori, duke u ngjitur nga Liga B në Ligën A – suksesi i parë i një përfaqësueseje të re të Kosovës në nivel të tillë.
Gjysmë viti më vonë mora ftesën e parë për ekipin A të Kosovës, ku debutova me një ndeshje miqësore në grumbullimin e parë. Pas tetë vitesh me FC Zürich, kërkova një sfidë të re dhe kalova te FC Aarau – një hap që tashmë po jep rezultatet e para. Jam e lumtur dhe mezi pres të zhvillohem më tej me këtë klub dhe me Kombëtaren e Kosovës.
albinfo.ch: Kush ju ka mbështetur më së shumti?
Eriona Elezi: Familja ime ka qenë gjithmonë mbështetja ime më e madhe – në veçanti babai im. Ata kanë qenë pranë meje që nga fillimi, më kanë besuar edhe kur unë kam dyshuar në veten time. Pavarësisht vështirësive, ata kurrë nuk hoqën dorë prej meje dhe më motivuan çdo ditë. Mbështetja e tyre më ka dhënë forcën për të vazhduar rrugën time pa u ndalur, dhe për këtë jam pafundësisht mirënjohëse.
albinfo.ch: Si e përjetuat të afirmoheni në një sport të konsideruar si “mashkullor”?
Eriona Elezi: Nuk ishte aspak e lehtë. Si vajza e vetme në një ekip djemsh, duhej të punoja dyfish për t’u respektuar dhe për t’u marrë seriozisht. Skepticizmi dhe paragjykimet ishin të pranishme, por këto sfida më motivuan edhe më shumë. Me përkushtim dhe disiplinë, arrita të fitoj respektin e të gjithëve. Futbolli kurrë nuk ishte për mua “sport për meshkuj”, por pasioni im më i madh.
albinfo.ch: A ekzistojnë ende paragjykime ndaj vajzave në futboll? Çfarë duhet të ndryshojë?
Eriona Elezi: Po, fatkeqësisht ende ka paragjykime. Shumë njerëz ende nuk e marrin seriozisht futbollin e vajzave dhe dyshojnë në aftësitë tona. Kjo duhet të ndryshojë. Futbolli i femrave duhet të respektohet njësoj si ai i meshkujve – duhet më shumë mbështetje, më shumë hapësirë në media dhe më shumë investime. Barazia duhet të ndodhë në të gjitha nivelet – nga trajtimi te talentet e reja deri te pagesat profesionale.
albinfo.ch: Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha për ju si futbolliste?
Për mua sfida më e madhe ishte të balancoja shkollën, stërvitjet, ndeshjet dhe punën. Për ta arritur këtë, nevojiten shumë disiplinë, ambicie dhe sakrificë.
albinfo.ch: Çfarë duhet bërë për të përmirësuar mundësitë për vajzat me prejardhje migrante?
Eriona Elezi: Vajzat duhet të inkurajohen të jenë të guximshme, të kenë vetëbesim dhe të ndihen të pranuara. Shkollat dhe klubet duhet të krijojnë më shumë mundësi për përfshirje dhe zhvillim, duke ndërtuar mjedise të sigurta dhe përfshirëse për të gjitha.
Cili është mesazhi juaj për vajzat dhe gratë që ëndërrojnë të luajnë futboll?
Kënaquni me lojën, besoni në vetvete, keni besim në aftësitë tuaja dhe dëgjoni trupin tuaj. Futbolli është për të gjitha – mos lejoni askënd t’ju ndalojë në rrugën tuaj.
Eriona, në veten e parë
Jam Eriona Elezi, e lindur në vitin 2005 dhe jam rritur në Langnau am Albis. Dashuria ime për futbollin nisi në moshën gjashtëvjeçare në FC Langnau am Albis, dhe që nga ajo ditë futbolli është bërë pjesë e pandashme e jetës sime.
Shtatë vite i kalova në FC Zürich, ku u zhvillova si lojtare dhe si person. Aktualisht luaj për FC Aaraua si mbrojtëse anësore.
Kam përjetuar momente të veçanta: fitova FIFA Youth Cup, u shpalla kampione e Zvicrës në ligën NLB dhe shënova gol në kualifikimet e Kampionatit Evropian me ekipin U19 të Kosovës. Sot, jam pjesë e Kombëtares A të Kosovës – një nder dhe një ëndërr e realizuar.
Familja ime, sidomos babai, ka qenë themeli i këtij rrugëtimi.
Futbolli për mua është gjithçka – pasion, motivim dhe një mënyrë për të qenë vetvetja.
Synimi im është të luaj jashtë vendit dhe të përfaqësoj me krenari Kosovën në shumë ndeshje të tjera. Dua të vazhdoj të rritem dhe të dëshmoj se me punë, zemër dhe besim në vetvete, gjithçka është e mundur.
The post Eriona Elezi: Nga superliga zvicerane te kombëtarja e Kosovës appeared first on Albinfo.