Ermal Mamaqi e thotë copë: Nëse nuk shitesh, nuk ke vlerë
Në një episod të fundit të podcastit të Ilnisa Agollit, producenti, aktori dhe motivuesi Ermal Mamaqi lëshoi një deklaratë që nuk kaloi pa u vënë re: “Nëse nuk shitesh, nuk ke vlerë.” Fjalët e Mamaqit ngjallën reagime të ndryshme në publik – disa e interpretuan si një deklaratë të ashpër por realiste mbi botën e […]

Në një episod të fundit të podcastit të Ilnisa Agollit, producenti, aktori dhe motivuesi Ermal Mamaqi lëshoi një deklaratë që nuk kaloi pa u vënë re:
“Nëse nuk shitesh, nuk ke vlerë.”
Fjalët e Mamaqit ngjallën reagime të ndryshme në publik – disa e interpretuan si një deklaratë të ashpër por realiste mbi botën e biznesit dhe marketingut personal, ndërsa të tjerë e konsideruan si reduktuese dhe materialiste.
Ermal Mamaqi në rrjete sociale dhe në portale është komentuar si një artist që ka “shitur” artin dhe praninë e tij dikur në krah të Partisë Demokratike dhe më pas në krah të Edi Ramës që e kishte në film dhe Erion Veliajt në fushata të ndryshme ku madje dolën edhe dokumenta që për filmin “Dy gisht mjaltë” Bashkia e Tiranës i kaloi Mamaqit 80.000€
Sipas Ermal Mamaqit, në kohët moderne, vlera e një individi apo produkti nuk matet më thjesht nga cilësitë që ka, por nga aftësia për t’u promovuar, për të tërhequr vëmendje dhe për të gjeneruar ndikim. Në këtë këndvështrim, “shitja” nuk ka të bëjë vetëm me tregtinë, por me mënyrën se si prezantojmë veten, idetë dhe aftësitë tona.
“Ka shumë njerëz me talent të jashtëzakonshëm që nuk njihen, sepse nuk dinë të shesin veten,” tha Mamaqi gjatë intervistës. “Nëse nuk di të pozicionohesh, nëse nuk arrin të kapësh vëmendjen, je i padukshëm.”
Kjo filozofi përputhet me mënyrën e të bërit biznes që Mamaqi ka promovuar vitet e fundit, ku ai shpesh flet për markën personale, mentalitetin fitues, dhe rëndësinë e komunikimit në suksesin profesional.
Megjithatë, ka nga ata që kritikojnë këtë qasje, duke thënë se ajo favorizon sipërfaqësoren dhe vë më shumë theksin te pamja sesa te përmbajtja. Por për Mamaqin, duket se në një botë të mbingarkuar me informacione, të qenit i “shitshëm” është mënyra e vetme për të mos mbetur në hije.
Pëlqeje apo jo, deklarata e tij ka bërë që shumë njerëz të reflektojnë mbi mënyrën si e matin vlerën – dhe çfarë çmimi kanë ata që nuk “shiten”.