Escobar: Kurti po kërkon sundim të ligjit, edhe Asociacioni është obligim ligjor

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në mesin e tensioneve të shtuara mes Kosovës dhe Serbisë, e ka rikthyer edhe njëherë vëmendjen te kërkesa për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Escobar tha se nuk po kupton pse Qeveria e Kosovoës po e refuzon Asociacionin, që është ligjërisht i obligueshëm. Me këtë […]

Escobar: Kurti po kërkon sundim të ligjit, edhe Asociacioni është obligim ligjor

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në mesin e tensioneve të shtuara mes Kosovës dhe Serbisë, e ka rikthyer edhe njëherë vëmendjen te kërkesa për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Escobar tha se nuk po kupton pse Qeveria e Kosovoës po e refuzon Asociacionin, që është ligjërisht i obligueshëm. Me këtë që po bën kryeministri Kurti, Escobar tha se po trubullohen ujërat.

“Është detyrim ligjërisht i obligueshëm, kështu që mund të them se kryeministri aktual po turbullon ujërat duke thënë se Kosova mund ta refuzojë (asociacionin). Pra, duke refuzuar detyrimet e saj ligjore Kosova po refuzon rrugën evropiane sepse (asociacioni) është obligim mes Kosovës dhe Serbisë por është edhe obligim ndërmjet Kosovës dhe BE-së”, tha Escobar në një bashkëbisedim online me gazetarë.

Emisari amerikan ritheksoi se ky obligim po synohet që të themelohet brenda kornizave evropiane.

“Pra ne nuk po kërkojmë nga Kosova që të bëjë diçka që tashmë nuk kërkohet të bëjë, por ajo që po themi është se do t’i ndihmojmë që ta përpunojnë atë në një mënyrë që të jetë brenda kornizës së kërkesave evropiane dhe që të jetë një nivel i ofrimit të komunës, shërbimeve në gjuhën serbe për qytetarët e Kosovës që flasin gjuhën serbe në përputhje me politikat evropiane dhe kartën evropiane, deklaroi ai.

“Brenda këtij konteksti nuk ka asnjë model evropian ku një shtet fqinj mund të arrijë në kufijtë e një vendi tjetër dhe të ndikojë në kushtetutshmërinë dhe strukturën e tij ligjore dhe funksionalitetin e tij. Pra ky është qëllimi ynë”, shtoi ai.

Duke komentuar deklaratat e kryeministrit Kurti, se po kërkon të vendosë sundim të ligjit, Escobar shtoi se edhe përbushja e këtij obligimi është pjesë e procesit.

“Kemi dëgjuar shumë për kryeministrin që këmbëngul se gjithçka që ai po bën është zbatimi i sundimit të ligjit, por sundimi i ligjit gjithashtu kërkon që ai të pranojë detyrimet e tij ndërkombëtare… Pra, nëse duam të flasim për shtetin e së drejtës, asociacioni është pjesë e tij”, tha ai.