“Është e kotë”, Trump nënshkruan urdhrin për shpërbërjen e Departamentit të Arsimit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër të ri ekzekutiv për të shpërbërë Departamentin e Arsimit, respektivisht agjencinë e fundit federale për të cilën ai ka kërkuar ta eliminojë në synimin për të përmbushur objektivin afatgjatë të disa grupeve konservatore. Trump ka pohuar se “agjencia është e kotë”, duke sugjeruar se financimi i [...]Read More...

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër të ri ekzekutiv për të shpërbërë Departamentin e Arsimit, respektivisht agjencinë e fundit federale për të cilën ai ka kërkuar ta eliminojë në synimin për të përmbushur objektivin afatgjatë të disa grupeve konservatore.
Trump ka pohuar se “agjencia është e kotë”, duke sugjeruar se financimi i saj do të shpenzohet më mirë nga shtetet individuale. Ai përsëriti akuzat se SHBA-ja “shpenzon shumë më tepër para për arsimin se çdo vend tjetër dhe po ashtu shpenzon shumë më shumë para për nxënës se çdo vend tjetër”.
“Ne do të kthejmë arsimin, shumë thjesht, në shtetet ku i takon. Dhe kjo është një gjë popullore për t’u bërë, por shumë më e rëndësishmja është një gjë e arsyeshme për t’u bërë dhe do të funksionojë. Absolutisht, do të funksionojë”, tha Trump gjatë ceremonisë në Shtëpinë e Bardhë.
“Njerëzit kanë dashur ta bëjnë këtë për shumë, shumë vite, për shumë e shumë dekada dhe nuk e di, asnjë president nuk ka arritur ta bëjë këtë, por unë jam gati ta bëj atë”, shtoi ai.
Të gjitha agjencitë federale formohen nga Kongresi dhe mund të eliminohen vetëm përmes akteve nga legjislatura federale. Trump dukej se e pranoi faktin pasi tha se urdhri i tij “do të fillojë të eliminojë një herë e përgjithmonë Departamentin Federal të Arsimit”.
Ted Mitchell, presidenti i Këshillit të SHBA-së për Arsimin, tha se urdhri i Trumpit është “teatër politik dhe jo politikë serioze publike”, pasi ai u bëri thirrje ligjvënësve “ta refuzojnë retorikën mashtruese në favor të asaj që është në interesin më të mirë të nxënësve dh familjeve të tyre”.
Mitchell tha se përpjekjet e administratës së Trumpit për të shkurtuar departamentin derisa kërkon të imponojë shkurtime gjithëpërfshirëse në të gjithë burokracinë federale tashmë kanë krijuar “dëm të konsiderueshëm” për nxënësit dhe taksapaguesit.
“Administrata dhe Kongresi duhet të përqendrohen në përmirësimin e punës së rëndësishme që kryen departamenti nga i cili përfitojnë amerikanët e zakonshëm, jo shkurtime të njëanshme dhe të pamenduara në fuqinë punëtore të departamentit dhe aftësinë për t’u shërbyer amerikanëve”, tha Mitchell.
Trump tha se “funksionet e dobishme” të Departamentit të Arsimit, duke përfshirë administrimin e granteve për të ndihmuar nxënësit të paguajnë për kolegjet (grantet Pell), financimi për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe nevoja të veçanta, si dhe fondet për rrethet shkollore me të ardhura të ulëta do të “ruhen plotësisht” dhe do të “rishpërndahen në agjenci dhe departamente të tjera të ndryshme që do të kujdesen shumë mirë për ta”.
Mbetet e paqartë se cilës agjenci i referohej Trump.
Një sondazh i botuar nga Universiteti Quinnipiac të enjten e kaluar zbuloi se afërsisht 60 për qind e votuesve amerikanë nuk e miratojnë planin e Trumpit për të eliminuar departamentin.
Kjo përfshin pothuajse të gjithë apo 98 për qind të demokratëve dhe 64 për qind të të pavarurve. Sipas sondazhit, rreth 20 për qind e republikanëve gjithashtu e kundërshtojnë propozimin.