Euroja po ndryshon pamje: Ja si mund të duken kartëmonedhat e reja dhe kur pritet të dalin

Banka Qendrore Evropiane po përgatit një seri të re të kartëmonedhave euro, por qytetarët nuk do të kenë nevojë t’i ndërrojnë kartëmonedhat që kanë në duar. Dizajni përfundimtar pritet të miratohet deri në fund të vitit 2026, ndërsa kartëmonedhat e reja pritet të hyjnë në qarkullim vetëm pas disa vitesh.
Në korrik të këtij viti, Banka Qendrore Evropiane prezantoi 10 propozime për pamjen e ardhshme të euros, të bazuara në dy tema kryesore: “Kultura evropiane” dhe “Lumenjtë dhe zogjtë”.
Qytetarët e vendeve të eurozonës patën mundësinë të shprehnin mendimin e tyre përmes një ankete online, e cila përfundoi më 21 shtator.
Tani, Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Evropiane do të përzgjedhë dizajnin përfundimtar, duke marrë parasysh rezultatet e anketës, vlerësimin e jurisë dhe analizat teknike. Vendimi pritet të merret deri në fund të vitit.
Kështu mund të duken kartëmonedhat e reja
Një nga temat e propozuara është “Kultura evropiane”, e cila përfshin portrete të personaliteteve të njohura evropiane dhe pamje të institucioneve e hapësirave kulturore.
Sipas këtij propozimi, në kartëmonedhën prej 5 eurosh do të ishte Maria Callas, në atë prej 10 eurosh Ludwig van Beethoven, ndërsa në kartëmonedhën prej 20 eurosh Marie Skłodowska-Curie.
Në kartëmonedhën prej 50 eurosh është propozuar Miguel de Cervantes, në atë prej 100 eurosh Leonardo da Vinci, ndërsa në kartëmonedhën prej 200 eurosh Bertha von Suttner.
Në anën tjetër të kartëmonedhave mund të paraqiten biblioteka, institucione arsimore, shfaqje artistike dhe skena të tjera që lidhen me kulturën evropiane.
Tema e dytë, “Lumenjtë dhe zogjtë”, i kushtohet natyrës evropiane. Propozimet kombinojnë peizazhe ujore dhe lloje të ndryshme zogjsh me ndërtesa të institucioneve evropiane.
Të dyja temat janë ende vetëm propozime dhe nuk përfaqësojnë dizajnin përfundimtar.
Rreth 9 milionë evropianë dhanë mendimin e tyre
Sipas Bankës Qendrore Evropiane, rreth 9 milionë qytetarë morën pjesë në procesin e konsultimit për pamjen e ardhshme të kartëmonedhave.
Ndryshimi është pjesë e një procesi shumëvjeçar për modernizimin e kartëmonedhave, të cilat aktualisht kanë motive të urave dhe stileve të ndryshme arkitekturore që nga futja e euros në qarkullim në vitin 2002.
Një nga qëllimet kryesore të serisë së re është rritja e sigurisë kundër falsifikimit dhe përmirësimi i përdorshmërisë së kartëmonedhave, veçanërisht për personat me dëmtime të shikimit.
A duhet t’i ndërrojmë kartëmonedhat që kemi?
Jo.
Miratimi i një dizajni të ri nuk do të thotë se kartëmonedhat aktuale do të bëhen menjëherë të pavlefshme.
Banka Qendrore Evropiane ka bërë të ditur se kartëmonedhat e serive aktuale dhe të mëparshme do ta ruajnë vlerën e tyre dhe do të vazhdojnë të jenë në qarkullim edhe pasi të dalë seria e re.
Kjo do të thotë se qytetarët që kanë kursime në euro nuk kanë nevojë të ndërmarrin asnjë veprim për momentin.
Data e saktë se kur kartëmonedhat e reja do të hyjnë në qarkullim ende nuk është përcaktuar. Pas miratimit të dizajnit do të nevojiten edhe disa vite për zhvillimin, testimin dhe prodhimin e tyre.
BQE planifikon të ruajë prerjet aktuale, nga 5 deri në 200 euro, ndërsa pritet që të ruhen edhe përmasat dhe ngjyrat bazë të kartëmonedhave.
Pra, euroja do të ndryshojë pamje, por kartëmonedhat që përdoren sot nuk do të humbin vlerën dhe nuk ka asnjë arsye për t’i zëvendësuar tani.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



