Fitore Pacolli godet fort: “STOP” abuzimit me ujin e pijshëm – mbyllet hoteli në Radoniq!

Fitore Pacolli godet fort: “STOP” abuzimit me ujin e pijshëm – mbyllet hoteli në Radoniq!

Një veprimtari e jashtëligjshme në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit është mbyllur me urdhër të Inspektoratit të Mjedisit. Ministrja Fitore Pacolli ka bërë të ditur se mbrojtja e burimeve të ujit të pijshëm nuk mund të ketë kompromis, ndërsa ka kërkuar edhe hetim për rrethanat dhe përgjegjësit që kanë mundësuar këtë situatë.

Mbyllet veprimtaria e jashtëligjshme në Liqenin e Radoniqit: Mbrojtja e ujit të pijshëm nuk ka kompromis!

Inspektorati i Mjedisit ka urdhëruar mbylljen e aktivitetit të restorantit dhe hotelit “Liqeni i Dukagjinit”, i cili ndodhet në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit dhe ka funksionuar në kundërshtim të plotë me legjislacionin mjedisor.
Operatori ka 10 ditë afat të largojë nga prona pajisjet, ndërsa KRU “Gjakova” obligohet të kujdeset që kjo të ndodhë dhe të shkëputë kontratën me operatorin.
Ky aktivitet ka qenë në shkelje flagrante të Ligjit për Ujërat, Vendimit 09/127 të Qeverisë për caktimin e zonave sanitare të Liqenit të Radoniqit dhe akteve të tjera nënligjore, duke rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm.
Si Ministri, kemi kërkuar hetim të plotë të të gjitha rrethanave dhe përgjegjësve që kanë mundësuar këtë abuzim të hapur. Kjo përfshin edhe hetimin e veprimeve të ish-zyrtarëve përgjegjës, të cilët mund të kenë keqpërdorur detyrën për të lejuar këtë situatë.
Mbrojtja e burimeve dhe rezervuarëve të ujit të pijshëm është obligim ligjor dhe përgjegjësi e jona thelbësore ndaj qytetarëve. Ujërat e Kosovës do t’i mbrojmë me vendosmëri, pa asnjë përjashtim!


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.