Formimi i institucioneve të reja në Kosovë: Skenarët e mundshëm pas zgjedhjeve të 7 qershorit

Formimi i institucioneve të reja në Kosovë: Skenarët e mundshëm pas zgjedhjeve të 7 qershorit

Formimi i institucioneve të reja në Kosovë: Skenarët e mundshëm pas zgjedhjeve të 7 qershorit

Procesi i numërimit të votave për deputetët në zgjedhjet parlamentare të Kosovës të mbajtura më 7 qershor po i afrohet fundit, ndërsa vëmendja tashmë është zhvendosur te hapat që do të çojnë në formimin e institucioneve të reja. Monitoruesit e proceseve zgjedhore theksojnë se partitë duhet të nisin sa më herët negociatat për formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që të shmanget zvarritja e formimit të tyre dhe rreziku i një bllokade të re politike.

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare e vendosin Lëvizjen Vetëvendosje si forcën e parë politike në vend me rreth 42.9% të votave, që përkohësisht përkthehen në 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, këto shifra mbeten të përkohshme, pasi në to nuk janë përfshirë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës, të cilat mund të ndikojnë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve.

Sipas rezultateve preliminare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me rreth 21.1% të votave dhe 24 ulëse parlamentare, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar rreth 17.6% të votave, që aktualisht i japin 20 mandate në Kuvend. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar rreth 7.2% të votave dhe tetë ulëse parlamentare, ndërsa 20 ulëset e garantuara për komunitetet joshumicë përfshihen gjithashtu në përbërjen e Kuvendit.

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, thotë për KosovaPress se bazuar në ritmin aktual të procesit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, certifikimi i rezultateve mund të ndodhë në ditët e para të korrikut. Pas këtij procesi, sipas tij, duhet të nisë menjëherë faza e konstituimit të Kuvendit.

Jakaj thekson se legjislacioni parasheh që seanca konstituive të thirret brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, por nuk ka arsye që të pritet afati maksimal. “Për shkak të shpejtësisë së numërimit që po ndodh në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mund të ndodhë që të kemi certifikim të rezultateve aty kah data 4–6 korrik. Pastaj të nisë procedura për formimin e institucioneve. Dihet që sipas Kushtetutës, seanca konstituive duhet të thirret nga ana e ushtrueses së detyrës së presidentes brenda 30 ditëve. Por një seancë e tillë nuk do të duhej ta priste këtë afat 30-ditor deri në maksimum. Do të duhej të thirrej seanca menjëherë, nesër pasnesër, ose eventualisht brenda 10 ditëve të para të këtij 30-ditëshi”, thotë Jakaj.

Analisti politik Jeton Kelmendi konsideron se matematika parlamentare pas zgjedhjeve lë të hapura disa mundësi për krijimin e qeverisë, por jo të gjitha janë njësoj të realizueshme. Sipas tij, një koalicion ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së do të prodhonte një qeveri stabile nga pikëpamja numerike, megjithatë ai e sheh të vështirë materializimin e këtij skenari për shkak të raportit politik ndërtuar ndërmjet partive gjatë viteve.

Kelmendi vlerëson se një alternativë më e mundshme do të ishte bashkëpunimi ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje, LDK-së dhe partive të komuniteteve joshumicë. Një marrëveshje e tillë, sipas tij, do të mund të përfshinte edhe ndarjen e posteve kryesore institucionale, përfshirë pozitën e presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit. “Tash janë dy variante ku një qeveri stabile mund të krijohej mes LVV-së dhe PDK-së, por kjo nuk besoj se do të ndodhë pasi, duke njohur teorinë e Albin Kurtit, ai sigurisht do të humbiste dhe përgjysmohej pasi tabori i tij ka qenë PDK-ja dhe krahu i luftës. Andaj nuk besoj se mund të ndodhte një gjë e tillë. Varianti i dytë është që LVV-ja të shkojë në koalicion me LDK-në dhe minoritetet. Kjo në teori është e mundshme që presidenti t’i takojë LDK-së, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri LVV-së si parti fituese”, thekson ai.

Ndërkohë, Jakaj nënvizon se partitë politike nuk duhet të presin konstituimin e Kuvendit për të nisur komunikimin mes vete. Ai konsideron se rezultati zgjedhor tashmë është i qartë në vijat kryesore dhe se bisedimet për koalicione duhet të zhvillohen paraprakisht. Sipas tij, mungesa e një marrëveshjeje politike do ta bënte të vështirë formimin e qeverisë së re dhe do të mund ta shtynte vendin drejt një cikli të ri paqartësish institucionale.

“Por në rrethanat aktuale, kur ne kemi shkuar brenda një viti e gjysmë në tre palë zgjedhje, do të duhej që partitë politike të kenë ose të zhvillojnë dialog para konstituimit të Kuvendit, pasi rezultatet pak a shumë po dihen. Mund të ndërrojnë, mund të ndërrojë që Lëvizja Vetëvendosje të marrë një mandat, dy mandate ose tre mandate në maksimum, por rezultati do të dihet. Që me gjasë s’do ta bëjë një qeveri të vetën, duke qenë se do të jetë e zorshme bërja e një qeverie të tillë. Atëherë do të duhej që Lëvizja Vetëvendosje të hynte në koalicion me ndonjë parti tjetër që do ta shpëtonte vendin nga zgjedhjet për shkak të formimit të qeverisë, ose për shkak të mos dështimit të qeverisë, ose në anën tjetër edhe të diskutohej edhe për presidentin”, potencon Jakaj.

Zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit ishin të tretat që mbahen në Kosovë brenda 16 muajve të fundit, një tregues i vazhdimit të krizës politike dhe pamundësisë së subjekteve politike për të siguruar stabilitet afatgjatë institucional.

Me pak fjalë

Pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje rezultoi si forca më e madhe politike, por formimi i institucioneve të reja mbetet i paqartë. Ekspertët theksojnë nevojën për negociata të shpejta ndërmjet partive për të shmangur bllokadat politike, ndërsa skenarët e mundshëm për koalicione përfshijnë bashkëpunimin ndërmjet LVV-së, LDK-së dhe partive të komuniteteve joshumicë ose një marrëveshje me PDK-në, megjithëse kjo e fundit konsiderohet e vështirë për shkak të marrëdhënieve të ndërtuara gjatë viteve.

Personat e përmendur


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.