Deri në 100 franga gjobë për parkim në Zvicër, kompanitë private nën kritika

Kompanitë private të menaxhimit të parkingjeve në Zvicër po përballen me kritika për tarifat e larta që u kërkojnë shoferëve edhe për shkelje të vogla, raporton radioja dhe televizioni zviceran SRF.
Sipas raportimit të emisionit “Espresso”, kompania Parkosecure i kërkoi një banori të Bernës 70 franga, pasi atij iu deshën pesë minuta për të paguar parkingun përmes kodit QR. Në një rast tjetër, një grua e moshuar në Interlaken u përball tri herë me kërkesa të ngjashme, megjithëse kishte paguar parkingun.
Ndërkohë, kompania Unisecur i kërkoi një shoferjeje nga kantoni i Cyrihut 100 franga, pasi ajo e ktheu veturën për disa sekonda në një pronë private.
Juristi Yves-Alain Moor nga Klubi Zviceran i Automobilistëve (TCS) vlerëson se, kur parkingu është paguar dhe pronari nuk ka pësuar humbje financiare, mund të mungojë baza ligjore për kërkimin e kompensimit. Ai thekson gjithashtu se tarifat administrative duhet të mbulojnë shpenzimet reale dhe se kërkesat për shuma joproporcionale mund të jenë të pajustifikuara.
Parkosecure deklaroi se zakonisht u jep shoferëve një periudhë tolerance prej 10 minutash, por nuk komentoi pretendimin se mungon baza ligjore për tarifa të tilla. Ndërsa Unisecur nuk iu përgjigj pyetjeve të SRF-së.
Rastet kanë nxitur debat mbi ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e tarifave që kompanitë private të parkingjeve u vendosin shoferëve në Zvicër.
The post Deri në 100 franga gjobë për parkim në Zvicër, kompanitë private nën kritika appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



