Gashi takon delegacionin gjerman, flasin për bashkëpunim ekonomik

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka takuar delegacionin gjerman nga shteti i Bavarisë, të cilët i ka falënderuar për vizitën që po i bëjnë vendit tonë dhe për mbështetjen e palëkundur që i kanë ofruar në vazhdimësi popullit të Kosovës, procesit të shtetndërtimit dhe përkrahjes pa ekuivoke për anëtarësim në strukturat […]

Gashi takon delegacionin gjerman, flasin për bashkëpunim ekonomik

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka takuar delegacionin gjerman nga shteti i Bavarisë, të cilët i ka falënderuar për vizitën që po i bëjnë vendit tonë dhe për mbështetjen e palëkundur që i kanë ofruar në vazhdimësi popullit të Kosovës, procesit të shtetndërtimit dhe përkrahjes pa ekuivoke për anëtarësim në strukturat euro-atlantike.

Në njoftimin për media, thuhet se Gashi i njoftoi përfaqësuesit e delegacionit gjerman për të arriturat që ka shënuar Qeveria e Republikës së Kosovës si në aspektin e reformave të brendshme, po ashtu edhe në rritjen ekonomike dhe avancimin e mëtutjeshëm të demokracisë, duke e renditur vendin të parin në rajon sipas matjeve të organizatave kredibile ndërkombëtare.

“Në kuadër të bashkëbisedimit, vëmendje e veçantë iu kushtua zgjerimit dhe thellimit të bashkëpunimit ekonomik dypalësh në fusha të interesit të përbashkët, duke marrë parasysh marrëdhëniet e shkëlqyeshme që tashmë janë kultivuar ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve, si edhe rolin që diaspora shqiptare ka luajtuar dhe mund ta luaj si urë lidhëse e fuqizimit të këtij bashkëpunimi”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet në njoftim se sektorët specifikë potencialë të këtij bashkëpunimi dypalësh ishin teknologjia informative, bujqësia, arsimi dhe telemjekësia.

Gjatë këtij takimi u diskutua për themelimin e një grupi të përbashkët të punës dhe gjithashtu, për organizimin e një forumi të biznesit në të ardhmen.

“Siguria dhe stabiliteti rajonal ishte një temë tjetër e takimit – u ngritën shqetësime për rritjen e ndikimit të shteteve të tjera, të cilat kanë synime dashakeqëse jo vetëm ndaj vendeve të rajonit, por edhe ndaj vlerave të përbashkëta evropiane dhe sistemit të demokracisë në nivel ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

Delegacioni gjerman shprehu mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në BE dhe në NATO.

Ata theksuan se ka qenë vendimi më i duhur që shteti i Bavarisë ka bërë me mbështetjen e fortë që i ka dhënë zgjerimit të BE-së dhe të NATO-s në të kaluarën.

Ndryshe, një delegacion i deputetëve të CSU-së të Parlamentit të Bavarisë, të drejtuar nga Gerhard Hopp po e viziton Kosovën, ku janë takuar me personalitete politike e biznesore në vend.