Gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë pritet të hapet në vitin 2027

Gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë pritet të hapet në vitin 2027

Pas më shumë se dy dekadash pritje, objekti i ri i Shkollës së Mesme “Sami Frashëri” në Kumanovë pritet të jetë në përdorim gjatë vitit 2027.

Zëdhënësja e Qeverisë, Venera Latifi Azizi, njoftoi se për ndërtimin e shkollës janë siguruar 373 milionë denarë. Punimet kryesore ndërtimore kanë përfunduar, ndërsa aktualisht po realizohen punët përfundimtare në instalimet elektrike dhe mekanike.

Sipas njoftimit, pas përfundimit të këtyre punimeve dhe procedurave të nevojshme, objekti i ri do të vihet në funksion gjatë vitit të ardhshëm.

Azizi tha se ndërtimi i shkollës është pjesë e investimeve të Qeverisë në infrastrukturën arsimore, ndërsa theksoi se Kumanova është përfshirë në projektet e investimeve publike.

“Dikush mund ta ketë harruar Kumanovën, por ne po e rikthejmë në fokusin e Qeverisë, me investime, projekte dhe punë konkrete”, deklaroi Azizi.

Shkolla e Mesme “Sami Frashëri” është një nga objektet arsimore që ka pritur për më shumë se 20 vjet ndërtimin e një godine të re.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.