Gjykata Speciale shkelë sovranitetin e Kosovës, përdorë termin ‘Kosovë dhe Metohi’” në dokumentin e saj

Dhomat e Specializuara të Kosovës janë përballur me kritika dhe shqetësime të mëdha pas përdorimit të termit “Kosovo i Metohija” për të përshkruar Republikën e Kosovës, gjatë një intervistimi të zhvilluar në Hagë, shkruan FrontOnline. Sipas një ankese të dorëzuar te Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara të Kosovës, një i intervistuar nga Gjykata

Gjykata Speciale shkelë sovranitetin e Kosovës, përdorë termin ‘Kosovë dhe Metohi’” në dokumentin e saj

Dhomat e Specializuara të Kosovës janë përballur me kritika dhe shqetësime të mëdha pas përdorimit të termit “Kosovo i Metohija” për të përshkruar Republikën e Kosovës, gjatë një intervistimi të zhvilluar në Hagë, shkruan FrontOnline.

Sipas një ankese të dorëzuar te Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara të Kosovës, një i intervistuar nga Gjykata Speciale ka ngritur shqetësimin se, më 11 nëntor 2022, gjatë një intervistimi, një punonjës i Zyrës së Prokurorisë Speciale iu referua Kosovës me këtë emër të diskutueshëm, i cili është tradicionalisht i përdorur nga autoritetet serbe për të përfshirë edhe Republikën e Kosovës në një kontekst të diskutuar politikisht sipas mendësisë së tyre politike.

Në ankesë, thuhet se gjatë intervistës, një punonjës i ZPS-së, në fillim të procesit, përdori termat “Kosovo i Metohija” gjatë leximit të një dokumenti, gjë që ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga i intervistuar.

Përdorimi i këtij emri ka ngjallur shqetësim, pasi termi “Kosovo i Metohija” është i lidhur ngushtë me politikën e Serbisë dhe përdorimi i tij nga një institucion ndërkombëtar ka nxitur pyetje lidhur me objektivitetin dhe neutralitetin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Haradinaj: Specialja vetëm e heqi maskën, ajo po e përdorë emrin ‘’Kosovë’’ vetëm për ta sulmuar Kosovën

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, për FrontOnline ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale, duke thënë se ky institucion nuk është krijuar për të mbrojtur interesat e Kosovës, por për të vepruar kundër saj.

Haradinaj ka theksuar se Shteti i Kosovës është “duke i shkuar për shtati” kësaj gjykate, dhe se kjo gjykatë ka treguar se nuk është ndërtuar për të mirën e vendit.

“Shteti i Kosovës është duke i shkuar për shtati Specialës. Mendoj se ajo gjykatë ka treguar se nuk është ndërtuar për të mirën e Kosovës,” ka deklaruar Haradinaj, duke shtuar se fjala “Kosovë” ka pasur një përdorim të njëanshëm në këtë kontekst.

Ai ka potencuar se emri “Kosovë” është përdorur nga kjo gjykatë vetëm për të mundësuar formimin e saj dhe për të sulmuar më pas vendin.

“Fjala Kosovë asaj gjykate iu ka dashur vetëm sa me e mundësu formimin e saj, dhe nëse i duhet prapë emri Kosovë, i duhet vetëm me e sulmu Kosovën,” ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se Gjykata Speciale tashmë ka hequr maskën dhe se është bërë më e qartë që kjo gjykatë nuk ka punuar kurrë për interesat e Kosovës.

“Ajo veç e ka zhveshë maskën e vetë dhe më haptas ajo gjykatë kurr s’ka punuar kundër Kosovës,” ka shtuar ai për FrontOnline.

Përfundimisht, Haradinaj ka bërë të qartë qëndrimin e tij se kjo gjykatë nuk ka asnjë lidhje me Kosovën, duke thënë se ajo po e tregon gjithnjë e më shumë fytyrën e saj.

“Unë mendoj se kjo gjykatë po e tregon fytyrën e vetë. Kjo gjykatë nuk është e Kosovës,” ka përfunduar ai.

 

Jashari: Referimi i Specialës si ”Kosovë dhe Metohi” fyerje e rëndë për shtetin, me këtë duhet të merret Kurti dhe Haxhiu

Xhavit Jashari, përfaqësues i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, për FrontOnline ka reaguar ashpër ndaj përdorimit të termit “Kosovo i Metohija” nga Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe fyerje për popullin dhe luftën e UÇK-së.

Ai ka theksuar se përdorimi i këtij emri, i lidhur me terminologjinë e Serbisë, është një ofendim për institucionet dhe qytetarët e Kosovës, si dhe për luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kjo është e papranueshme dhe mendoj duhet me i rregullu këto çështje sepse kjo është fyerje për Kosovën. Është fyerje për luftën e lavdishme të UÇK-së, është fyerje për qytetarin, për institucionet,” ka deklaruar Jashari.

Ai ka shtuar se këto incidente janë skandaloze dhe duhet t’i adresohen autoriteteve më të larta të Kosovës, duke përmendur kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Drejtësisë, Selim Haxhiu.

”Mendoj se këto skandale dhe këto që po ndodhin, është mirë me iu adresu Kurtit dhe Haxhiut” tha ai.

Jashari ka theksuar se përdorimi i këtij termi po prek thellë në vlerat e lirisë së Kosovës dhe në shenjën e sakrificës së luftës së UÇK-së, duke shtuar se kur preket lufta, preket gjithashtu edhe liria e vendit.

”Këto çështje po prekin thellë në lirinë e Kosovës, sepse kjo shprehje që po përdorët, më së rendi po atakohet vlera dhe lufta eUÇK-së dhe kur preket lufta prekët edhe liria e vendit” potencoii ai.

Ai ka ngritur një pyetje të rëndësishme për shtetësinë e Kosovës, duke theksuar se, pas shpalljes së pavarësisë, duhet të shqyrtohet nëse Kosova është një shtet i plotë apo jo.

“Dhe shtrohet pyetja ne si kategroi e luftës, nga shpallja e pavarësisë a jemi shtet a s’jemi shtet” ka përfunduar Jashari.

Faton Klinaku: Gjykata Speciale mund t’u zhbënte por partitë politike janë të gjitha servile

Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Faton Klinaku, ka reaguar ndaj Prokurorisë Speciale në Hagë, e cila e ka referuar territorin e Kosovës si “Kosovë dhe Metohi.”

Klinaku e ka quajtur këtë një veprim që reflekton interesat e Rusisë dhe Serbisë, duke shtuar se Gjykata Speciale është krijuar për këto dy shtete si pasojë e qëllimeve të tyre.

Ai ka theksuar se kjo gjykatë është dashur të zhbëhet por sipas tij, partitë politike të Kosovës janë të pasigurta dhe ‘servile’ për të marrë hapa konkretë në këtë drejtim.

“Kjo gjykatë është krijuar për Rusinë dhe Serbinë si rezultat i qëllimeve të tyre e fatkeqësisht e ka votuar edhe Kuvendi i Kosovës, me një ligj kanë mundur ta ndryshojnë e ta zhbëjnë menjëherë por s’ka gatishmëri se janë servil të gjitha partitë politike”, deklaroi Klinaku për FrontOnline.

Koci: Referimi i ‘’Kosovës dhe Metohi’’ nga Specialja, fyerje e rëndë, goditje e sovranitetit të vendit

Avokati Arianit Koci, për FrontOnline ka folur pas përdorimit të termit “Kosovo i Metohija” nga Gjykata Speciale dhe Prokuroria Speciale, duke e cilësuar këtë veprim si një fyerje të rëndë për sovranitetin e Republikës së Kosovës.

‘ Përdorimi i termit “Kosovo i Metohija” nga Gjykata Speciale apo Prokuroria është fyerje e rëndë për Republikën e Kosovës’’ tha ai.

Koci ka potencuar se përdorimi i gjuhës dhe terminologjisë së Serbisë nga një gjykatë që funksionon sipas ligjeve të Kosovës është i papranueshëm.

 “Një gjykatë që funksionon me ligjet tona nuk ka të drejtë të përdorë gjuhën e Serbisë. Nuk është çështje teknike, është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit të Kosovës,” ka theksuar avokati për FrontOnline.

Sipas tij, përdorimi i këtij termi mund të hapë dyshime serioze në lidhje me neutralitetin e kësaj gjykate dhe mund të vë në pikëpyetje kredibilitetin e saj. “Nuk është çështje teknike. Është goditje e drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit tonë. Me këtë veprim, hapet edhe një dilemë serioze: a është kjo gjykatë vërtet e paanshme, apo vepron sipas logjikës politike?“, ka pyetur Koci, duke ngritur pikëpyetje për ndikimet politike që mund të jenë të pranishme në vendimet e kësaj gjykate.