Guvernatorët demokratë në SHBA, aleancë për të lejuar vaksinat

Guvernatorët demokratë të shteteve të Uashingtonit, Oregonit dhe Kalifornisë njoftuan të mërkurën krijimin e një aleance të përbashkët për të përcaktuar vetë rekomandimet mbi vaksinimin, duke akuzuar administratën e presidentit Donald Trump se po rrezikon shëndetin e amerikanëve duke politizuar Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Ky zhvillim erdhi në të njëjtën ditë [...]Read More...

Guvernatorët demokratë në SHBA, aleancë për të lejuar vaksinat

Guvernatorët demokratë të shteteve të Uashingtonit, Oregonit dhe Kalifornisë njoftuan të mërkurën krijimin e një aleance të përbashkët për të përcaktuar vetë rekomandimet mbi vaksinimin, duke akuzuar administratën e presidentit Donald Trump se po rrezikon shëndetin e amerikanëve duke politizuar Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Ky zhvillim erdhi në të njëjtën ditë kur Florida njoftoi se do të heqë gradualisht detyrimin për vaksinat e fëmijëve. Guvernatori republikan Ron DeSantis tha se synon të kufizojë mandatet e vaksinave dhe masat e tjera shëndetësore të vendosura gjatë pandemisë së COVID-19.

Masa të ndryshme po merren ndërsa rastet me COVID-19 po rriten dhe ndërkohë që sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., ka ndërhyrë në strukturën e CDC-së duke shkurtuar staf dhe buxhet, si dhe ka tentuar të shtyjë përpara politika anti-vaksinë që bien ndesh me dekada kërkimesh shkencore. Pasojat janë thelluar edhe më shumë pasi Shtëpia e Bardhë kërkoi shkarkimin e drejtorit të agjencisë dhe disa drejtues të lartë dhanë dorëheqjen në shenjë proteste.

“CDC është kthyer në një mjet politik që po shet ideologji në vend të shkencës, dhe kjo do të sjellë pasoja të rënda shëndetësore”, thanë tre guvernatorët në një deklaratë të përbashkët.

Zyrtarët shëndetësorë në bregun perëndimor theksuan rëndësinë e vaksinave si një nga mjetet më të fuqishme të mjekësisë moderne, ndërsa shprehën shqetësim se politizimi i udhëzimeve po dëmton besimin e publikut pikërisht në një moment kritik.

Sipas guvernatorëve Bob Ferguson (Uashington), Tina Kotek (Oregon) dhe Gavin Newsom (Kaliforni), tre shtetet do të hartojnë politika të përbashkëta mbi imunizimin duke u mbështetur tek të dhënat shkencore dhe këshillat e organizatave mjekësore kombëtare të respektuara.

Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shëndetësisë reagoi duke akuzuar shtetet demokrate se gjatë pandemisë kanë minuar besimin publik me masa të rënda si mbyllja e shkollave dhe pasaportat e vaksinave.

Njëkohësisht, disa shtete të tjera po ndërmarrin hapa të ngjashëm për të garantuar aksesin e qytetarëve tek vaksinat pas kufizimeve të reja federale mbi qasjen në dozat kundër COVID-19. Illinois, New Mexico, Pennsylvania dhe Colorado kanë shpallur masa që u japin farmacistëve dhe autoriteteve lokale më shumë kompetenca për shpërndarjen e vaksinave.

Edhe tetë shtete në verilindje janë bashkuar muajin e kaluar për të koordinuar rekomandimet e tyre, duke përfshirë New York, New Jersey dhe Massachusetts. Guvernatorja e Massachusetts, Maura Healey, tha se shtetet do të sigurojnë mbrojtje shëndetësore për qytetarët “pavarësisht se çfarë bën administrata Trump.”

Kjo nuk është hera e parë që shtetet e udhëhequra nga demokratët krijojnë aleanca në fushën e shëndetësisë. Gjatë fazave të para të pandemisë, ato u bashkuan për të siguruar furnizime mjekësore dhe për të koordinuar hapjen graduale të ekonomive të tyre, shpesh në kundërshtim me Shtëpinë e Bardhë.